Dy-tre ditë i kaluan si në ankth duke menduar vetëm në nipat e mbesat, djalin e nusen e tij. Ato ditë të bukura pushimi kur ishin kënaqur të gjithë. Për ato tri ditë të ankthshme kishte marë vetëm një telefonatë nga Mërgimi e atë shumë të shkurtër: ” Babi ne mbërrimë shëndosh e mirë në banesë!”
Ky mesazh aq i shkurtër i kishte lënë një përshtypje jo të këndshme por heshti, duke arsyetuar lodhjen e Mërgimit. Kishte kaluar java që nuk kishte dalë ta shikonte token,arën e as livadhet për të parë së paku
vyshkjen nga vapa. Dielli kishte arritur në zenitin e tij. Do re dukeshin si lesh i shprishur në qiellin e hapur, bënin valle andej kah bjeshka më e afërt. I lidhej majës si këmishë e hollë vere me qeleshe të bardhë. Luteshin të gjithë për të rënë shi. Digjej toka. Në mbrëmje filloi të fryjë një fllad vere ledhatues, luhateshin pemët, bari e misri vëreheshin të lodhur etje. Hasani hedhi krahëve një setër dhe mori rrugë drejt të mbjellave të tij, gati pas një jave. I pa të lodhura nga etja për ujitje. Kundërmonte aromën e arave e livadheve të asaj pasditeje me një fresk të beftë.
Përtej arës së tij, pa Bejten, një bujk i mrekulluar i cili mihte me një shati rreth një vije uji. Nga larg dukej i djersitur.
-A je lodhë o bujk i mirë? – i foli Hasani Bejtës, me zë bukur të lartë.
Pas pak kohe u gjetën së bashku nën hijen e një thane të shpeshtë si ombrellë, mbante fllad anise ishte vapë. Pasi u ngrykuan, u ulen nën hije, nxorën kutite e duhanit kotraban dhe po ndiznin nga një fitil duhani me arome të fortë.
-Si je Hasan, si e ke familjen, a të shkuan kalamajtë e djali në Gjermani, si ia kaluat pushimin?
Ishin këto pyetje që ia bënin shpesh njëri tjetrit gjithë ata që kishin djem e familjarë në gurbet.
-Mirë Bejtë! Kaluan sa ora ato pak ditë, shkuan. Jam mërzitë kur ikën. Edhe plaka ime u mërzit shumë. Shtëpia thatë Bejto, pa zë fëmijësh nuk ka lezet pasha bukën!
– E more Hasan!-u mbledhë në gjunjë Bejta për të folur diç, por u tërhoq, e ndërroj mendimin, ndërsa ndër buzë rrëshqitën fjalët “i paç me ymër o Hasan!”
-Faleminderit Bejtë, por ashtu si u mblodhe në gjunjë, mendova se do flasësh diç tjetër.
-Dëgjon Hasan, mos u prek, të flas sinqerisht! Bota ka ndryshuar, edhe tek ne me të madhe. Ka humbë respekti, është shuar interesimi për njëri tjetrin, dashuria është vyshkë si këto arat tona nga etja përfshi njerëzorja,tradita,karakteri, morali kanë ndryshuar kahen, kulturat e huaja po ndikojnë në brendësinë tona familjare, e shumë e shumë gjëra tjera, nuk janë si më parë o Hasan miku!-foli Bejta i mllefosur
deri në palcë, por edhe kishte fakte- a!Ti, Hasan, ende nuk e ke provuar të flasësh me nipa e mbesa përmes “përkthyesit” familjarë! Është e zorshme o Hasan!
-Hasani u step! U ngri pas fjalëve të Bejtës. Nuk dëshironte të ishte ashtu, i dëshironte të ishin si fjalë boshe, por…. Nuk pati ndonjë koment pos shtoi fjalët,” o Bejtë, ç’ka është me dynja, nuk është e
dëmshme!”
– E Hasan, nuk është ashtu! Mu për këtë se po përhapet e keqja si virus i dëmshëm, është dashur t’i kundërvihemi, si individë, si shoqëri por edhe si shtet. Çdo popull ka identitetin e vet, ne kemi karakteristikat e veçanta në tërë boten. Dhe pikërisht ato të veçanta na kanë formuar identitetin që të njihemi në tërë botën. Të pyes Hasan, ku është sot besa, ndera, njerëzorja, bujaria, fisnikëria e disa tipare të
krenarisë sonë?!
Hasan Begu u gjend si i zënë pisk e i pa koment pas bisedës së Bejtës. Nuk pati ç’t’i thoshte Bejtës, pos që shtoi në fund; ”ruana Zot nga e keqja!”
Mexhës së arës, afër tyre, u dëgjua një zë mes dy vetash. Nuk iu dihej biseda, pos zëri i tyre dëgjohej. Kaluan lakun e vijës dhe u duken që të dytë. Ishte Urimi dhe Sakati- Musa Roga. Kështu e quanin Musanë, kishte një gungë në shpatulla dhe bashkëfshatarët e quanin “Sakati”. Ishte dinamik në bisedë, shakaxhi dhe nuk ia prishte askujt bisedën, por pas shpine dinte me “sjellë” hollë në kurriz të dikujt tjetër.
-Tungjatjeta juaj burra, iu foli Sakati, Bejtes e Hasanit.
-Sa bukur e paski ujdisë muhabetin në këtë hije të bukur, dhe që të dytë hoqën setrat nga krahët, u ulen mbi to dhe vazhduan bisedën atë pasdite.
– Ku i patët fjalët o Bejtë me Hasanin, a ban me ditë?!
– Asgjë tinëz nuk patën Sakat. Derte familje, si zakonisht, derte kohe. Na iki rinia jashtë, mbetem vetëm nëpër shtëpia, të moshuar. Edhe ndonjë ditë, nuk ka kush bukë me na sjellë!A po të doket mirë ty
Musë- a? Si thua?! mbylli bisedën Bejta.
-Eeeee! Bejtë, edhe ti Hasan, kemi kërkuar me shekuj të jemi shtet, të jemi të lirë, të inkuadrohemi në Evropë-Botë. Çka po mendon ti Bejtë? Këto i ka Evropa-bota, transformimin, kulturën unike, lirinë e
fjalës, lirinë e veprimit e tjera.Lum e shyqyr që na erdhi kjo ditë o Bejtë e Hasan!.Urimi nuk bëzani. Me kokë dhe me gjeste pohonte bisedën e Sakatit, ndërsa me fjalë, mbeti anash, asnjanës.
-Pjesërisht pajtohem Sakat me juve, jo plotësisht. Koha të mundëson luftë idesh, mendimesh për ecje para, por ku do i lëmë do gjëra kapitale që nuk ecet pa to?. .Cili popull e la traditën, kulturën e vet dhe eci para, ma thuaj? E pse ne t’i lamë ato me të cilat identifikohemi o Musa?!-foli Bejta dhe pastaj shtoj si mllefshem:
-Unë, me sa dij, në Evropë hyhet me dije e kulturë tënde të gjithmbarshme, si dinjitet kulturor, jo me kozmetikë, me rrena e mashtrime, lakuriqhane, por me dinjitet njerëzor e kryelartë. Sakati nuk reagoj ndaj bisedës së Bejtës, pos siç e kishte zakon, i tha mirë e kije edhe ti, mirë e pata edhe unë.Mendimet le të konfrontohen, koha do e gjen zgjidhjen adekuate, mendoj Sakati në heshtje dhe se bashku me Urimin vazhduan rrugën e nisur mexhës së arave, deri te rendatari i vadave të fushës.
Mbrëmja kishte filluar që t’ia kthejë shpinën ditës me vapë. Flladi dhe retë e shprishura u dendësuan dhe shtuan shpresën për ndërrim të motit, për një shi të aq shumë kërkuar. Pas një ndeje të gjatë e me vlerë, me interes familjar e shoqëror, Hasani e Bejta morën rrugën për në shtëpitë e tyre. Pandehnin se kishin shfyrë mallin e tyre ndaj problemeve jetësore. E kaluara dhe e tanishmja dihen si ecim, si i përjetuam, ndërsa e ardhmja është një enigmë e pazbërther për këdo në këtë botë….
X
X
X
Hasan Begin kishte filluar ta zinte mërzia dhe malli për nipat e mbesat, për djalin me nusen e tij. Kishin kaluar mbi tri vite që nuk i kishte ardhur në pushime. Kohë e gjatë për mallin e një të moshuari dhe vetminë që e rrethonte.Për mosardhje në pushime tek prindërit, Mërgimi ishte arsyetuar me mungesë mjetesh financiare, se fëmija ishin rritur së bashku me shpenzimet e tyre dhe i kishte rrëshqitur koha.
Ndërsa pëshpërimat nga anash vini se Mërgimi verave shkonte për pushime në Turqi, por edhe në Ulqin e Sarandë. Këto pëshpërima për Hasan Agën ishin si një prush i ri në mushkëritë dhe zemrën e tij të
përmallshme të cilat me zor i përpinte.I gjendur mes shumë mendimeve të kohës së pa kohë, duke mos ditur se ku ta gjejë arsyen e shkaqeve të ndërlikuara të transformimit të shpejtë mes familjes, kishte kapur kokën me dyja duart, ishte zhytur në mendime duke shikuar vetëm një pikë, në tokën e lagur me lot, të cilën herë pas here e shponte me majën e shkopit që mbante për ecje. Në këtë përpëlitje shpirtërore pëshpërima i doli me mllefin e pakontrolluar:
– Eu Bejtë eu!.. Ja paske pas qëlluar fjalëve të hija e thanës atë pasdite me vapë! Edhe unë, demek, gogël e kohës – a !”
.
Gjakovë,janar,2026