1.
Defensivë
A mund të jetojë bota pa tiranë që reflektojnë ftyrat vulëzeza të kohës? Apo janë pjesë natyrale e ekzistencës së saj? Çelës aktkrijimit hyjnor?
Ndonjëherë ndodh të vijnë plot shpresë. Dhe ringjallje. Si një pranverë e vonuar. Por, të identifikuar me fronin, prishen, myken e gjakosen.
Neroni (Romë, shek. I), fjala vjen, erdhi qetësisht trashëgimtar i perandorisë. I ri e fillimisht i admiruar, ai do të degjeneronte shpejt: paranojë, vrasje të familjarëve dhe përsekutim popullor.
Pastaj, a nuk digjte libra e kallte në dhé për së gjalli dijetarët, Qin Shi Huang (Kinë, shek. III p.e.s.)? Dhe të mendosh se u ngrit si yll atdhetar që do të bashkonte Kinën e reformonte shtigje të ardhmërisë.
Po avokati frëng Robespierre? Nga idealist revolucionar, do të nxiroste në emër të Republikës, miljenë e tij gijotinash të pambarim, nga e cila, viti 1794, do të jetëpritej edhe vetë. Madje, në kulme cinizmi kishte thënë se virtyti pa terror nuk është asgjë…
Apo i voni i moteve tona, Idi Amin Dada, që pat grushtshtetuar vitesh 70-të. Kish premtuar një shpresë të bardhë afrikane, por, më pas, do të tërbohej fare. Ekzekutimet masive janë kryevepra e tij e vetme madhore. Dhe i përtallte aq barbarisht viktimat tek pohonte: “Nuk vras unë njerëz. Zoti i merr ata. Unë vetëm përshpejtoj procesin e ikjes matanë.”
Veçse, ndërsjelltas nuk do të ngjajë dot kurrë. Që një tiran të kryeshtrohet në kupolën absolute me hekur e mort dhe i tillë, i zi, t’mos mbetet deri në rrokullimën e fundme.
Mirëpo një fat unik kanë të tërë ndër shekuj. Rëndom, që nga Antika, edhepse vijnë e fronsohen mënyrash të ndryshme në pikëlartën e Fuqisë, të gjithë bien njësoj: ose rrëzohen ose vdisen. Ose epoka e re pas tyre, u bën gjyqin historik…
Ndërkaq, ndryshe nga kohët e vjetra të tiranëve vetësundues, format moderne të saj janë njëlloj simbioze autokratësh e oligarkësh të errët. Dhe, pasojisht, shteti i së drejtës, katapultohet ngadalë në shtetin e gjyqtarëve të trëmbur a korruptokratë që transmetojnë vullnetin e fshehur politik.
Madje, asnjëherë, siç shkruan dhe K.Gentinetta, demokracia s’ka qenë më shumë në defansivë sesa në orët që jetojmë…
2.
Dëbimi, një etnocid
Popujt dhe kulturat e tyre politike janë të ndryshme ndër vite e hemisfera jetese.
Pritja bestyte me sy drejt qiellit që ai t’a marrë tiranin një ditë atje ku s’kthehet dot, është tradita më tragjike e kuptimit të lirisë.
Pse? Sepse, ata, rëndom, lënë pas vezët e qyqes si një trashëgimi fatkeqe që pëpetuohet vazhdimisht.
Ndërkaq, rebelimi aktiv i përket kombeve historikë që, duke mos pritur pasivisht, nuk i japin kohë një jetë, por, përmbysin piramidën e sosin ditët e tij.
Dhe kjo është filozofia e vërtetë e lirisë.
Dikur moti njerëzia nga një anë e botës, Europë, fjala vjen, s’kishte një kontakt qytetërimi me vise të largëta përtej malesh e detesh të pafund.
Dinin, vetëm se, fjala vjen, kishte një vend që quhej Kinë ku paraja ishte në trajtë letre dhe ku vajzat veshjemëndafshtë të bukura ishin…
Tani kur Ylli tokë është zvogëluar, diktaturat apo autokracitë sikur fqinjërojnë mes tyre. Dhe, ashtu, mprehin e stërhollojnë së toku levën e mbijetesës. Në fakt, ata ruajnë nuancat vendore, por duke kultivuar gjithnjë atributet klasike apo të stolisura nga bizhu kohe të tiranisë.
Mirëpo shfaqjet e jashtme janë të ndryshme. Shpesh autentike. Disa tyresh (në Korenë e kimëve) akoma vrasin. Një tjetër (Putini i rusëve) poashtu vret e, tutje, mbledh rreth vetes plutokratë për të rrëmbyer pasuritë kombëtare. Dhe shtypës e, njëkohësisht, mistik janë poaq mullokratët eTehranit (eh, Persi e shkretë) që mbahen mëkëmbës të Zotit në tokë…
Kurse ndonjë i veçuar do të shfaqë fytyrën e vet më origjinale se askush. Ai (me seli në Tiranë a Belgrad) i kurorëzon të gjitha pamjet e tyre, por njëj mjeshtërie të sofistikuar: Kultin, vjedhjen e votës, demolimin brutal të opozitës si një armik i racës, çoroditjen e demokracisë, grabitjen krenare të thesarit publik dhe vrasjen në masë.
Vrasje në masë?
Natyrisht!
Porse tani kjo vrasje ka motiv, municion e strategji tjetër. Vërtetë të padëgjuar në historinë e tiranive moderne: është spastrimi etnik, e pra depopullimi i atdheut të vet.
Por a nuk është kjo vrasje më e ligë sesa nga armiku i përbetuar?
Sepse, kështu, në armik gjaku kthehet dhe ky, Autokrati vetë.
A nuk është kjo arsyeja që Parlamenti i Tiranës heziton tash sa vjet të miratojë një rezolutë dënimi moral të gjenocidit në Kosovë apo dhe në Çamëri?
Po si mund të pritet ky akt i lartë kur luftën çlirimtare e cilësonte një zhurmë? Dhe, sërish, kur një etnocid të padukshëm ushtron vetë Autokrati shqiptar në kohë të diellta lirie? Me një qeveri prostitutë ai përqëndron si rrallëkush fuqinë në një kimi të ngushtë mes saj e mafjas transnacionale. Dhe ndjekë aq urrejtshëm opozitarët, mjeron skamnorët, poshtëron intelektualët, deshpëron rininë dhe vështron larg.
Po ku vallë vështron ky hedonist i ndyrë?
Atje ku askush akoma nuk beson. Tashmë ka ngjizur apokalipsën arbnore: ndërrimin e popullit!
Para ca kohësh pat hedhur fijet e saj si një xixë programore: shqiptarët flasin shumë!
Ai nuk duron, pra, fjalën e lirë. Aq më pak kritike. Dhe, si rregull, pason represioni, humbja e të nesërmes dhe ngrohtësisë së atdheut. Fjalëurta e Koelhos se fati nuk jepet për t’a pranuar, por për t’a zgjedhur atë, nuk gjenë gjasë në vendsundimin e tij.
Dhe njerëzia merr rrugët e botës.
Tashmë ai, me gjasë, ka një projektzëvendësim të tyre. Synon të sjellë heshtakët. Ca emigrantë nga zonat aziatike, afër apo larg, që, thotë, punojnë shumë e nuk flasin fare.
Dhe ndonëse të përafërt, ky në Belgrad i jep frymë palodhshëm doktrinës së vjetër Garashanin. Ëndërron deri në dhimbje ekspandimin mbi popuj të tjerë e territore të tyre breg detesh pa fund. Daljen nga burgu gjeopolitik, si qahej strategjisti herak Cvijiq. Që këtej, ndjek Idenë e fiksuar serbe. Të madhe e të artë. Dhe sado ëndërr e sëmurë, ai beson kthimin e t’pamundshmës kohë.
Dytësi i tij, vërtet, ka adoptuar moton e vëllamit intim “Shqipëria nuk ndalet” (Srbija ne staje), por ëndrra e tij është krejt tjetër.
E kundërt dhe fatale.
Ky, imitatori fatkeq, nuk vuan makthin e pushtimeve (pa nevojë t’a ketë), por as nuk lumnohet me dhuratën e shenjtë që
i Epërmi ka rezervuar për shqiptarët, këtë popull të parë Europe. I fut gurë nën këmbë Kosovës, shpall të paqenë Qamërinë, shpërfill Iliridën dhe i ka hyrë punës për të dealbanizuar Shqipërinë..!
A nuk është pra i njëjtë, por dhe, njëkohësisht, i ndryshëm nga lloji i tij?
E pra, i veçantë në tipin e paparë edipjan!
3.
Shkolla e lirisë
Si mund të çlirohet populli, atdheu i shaluar, prej tij?
Duke pritur zemërimin e Hyjit dhe ëngjëllin e vdekjes?
Duke bërë veç tymnajë shesheve, për t’u kthyer sërish energjie të shkarkuar në shtëpi, kino, kafene a në takim që pret?
Jo! Sepse një ditë gjithçka humbet vrullin, intensitetin dhe besimin se, kështu, një ditë, kulla krimogjene do të shëmbet.
Nga se?
Nga pendesa e sundtarit, ndjenja e fine e mjaftësisë, apo çarja dhe implozioni intern?
Asnjëherë!
Shkolla e lirisë njeh dhe leksione të tjerë me funde triumfi. Manualët historikë janë përplot të tillë…
r.