Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka komentuar vendimin e GJKKO, lidhur me përplasjen e tij ligjore me deputetin Agron Shehaj.
I ftuar në emisioni ‘Kafe Shqeto’ në Syri Tv, përmes një lidhje videoje, Lapaj shprehet se lajmi kryesor është se një deputet është dënuar penalisht, pavarësisht interpretimeve publike që mund t’i bëhen çështjes.
Lapaj sqaroi se gjykata dhe prokuroria konstatuan se asnjë nga pretendimet e ngritura nga deputeti Shehaj nuk u vërtetua. Megjithatë, ai shpjegoi se për shkak të statusit të veçantë që gëzojnë deputetët lidhur me lirinë e shprehjes, gjykata nuk e dënoi atë për shpifje, por për fyerje, pasi u vërtetua cenimi i nderit dhe dinjitetit personal të avokatit.
I pyetur nga gazetari mbi videot e publikuara nga Shehaj, ku ky i fundit dyfishon akuzat duke pretenduar se Lapaj financohet nga paratë e krimit, avokati reagoi ashpër duke mbrojtur profesionin e tij. Ai theksoi se roli i avokatit është të përfaqësojë këdo që ka probleme me ligjin, duke bërë një paralelizëm me mjekët që kurojnë pacientë pa pyetur për moralin e tyre.
“Injoranca e kujtdo nuk është argument,” u shpreh Lapaj, duke shtuar se tentativa për të kriminalizuar profesionin e avokatit të kujton kohën e Enver Hoxhës, kur ky profesion u ndalua me ligj. Ai nënvizoi se detyrimi i tij i vetëm është të mos korruptojë sistemin e drejtësisë, ndërsa përzgjedhja e klientëve është çështje profesionale.
Lidhur me aktualitetin politik dhe protestën e paralajmëruar nga Partia Demokratike më datë 24, Lapaj konfirmoi se do ta respektojë atë. Ai bëri thirrje për një bashkim të madh qytetar kundër kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar që qytetarët të zbresin në shesh me flamurin kombëtar dhe pa logo partiake.
INTERVISTA:
Adriatik Lapaj: Gjykata dhe prokuroria në atë proces, të paktën për sa u shprehën aty, janë referuar faktit që asnjë prej pretendimeve të zotit Shehaj nuk vërtetohet, por për shkak të lirisë së shprehjes së të zgjedhurit, sepse ai gëzon një status të veçantë për shkak se është deputet, dhe sipas pretendimeve që standardet europiane janë që të mos cenohet liria e shprehjes së deputetit, nuk arrihet të dënohet për shpifje për shkak të lirisë së shprehjes, por vërtetohet që cenon dinjitetin dhe nderin tim si person dhe për këtë arsye dënohet për fyerje. Kjo është në pak rreshta ajo që ka ndodhur.
Gazetari: Pra, gjykata ka thënë që Shehaj s’ka të drejtë po s’e gjykojmë dot për shpifje?
Adriatik Lapaj: Praktikisht kanë thënë që, domethënë prokuroria që mbajti një qëndrim, se është dhe palë në atë proces, është referuar në këtë mënyrë: nuk vërtetohen pretendimet, por prevalon liria e shprehjes së të zgjedhurit në një rast të tillë, sa kohë është cenuar nderi dhe dinjiteti, arrihet deri në veprën penale të fyerjes. Kjo është në pak rreshta.
Gazetari: Ndiheni sikur keni fituar Lapaj?
Adriatik Lapaj: Po s’është me të ndjerë, është me vendim gjykate, është dënuar një njeri.
Gazetari: Përtej vendimit…
Adriatik Lapaj: Personi në fjalë është dënuar.
Gazetari: Si do i komentoni se ndërkohë që ju thoni që është dënuar, Shehaj kishte postuar një video dje që këmbëngulte, dyfishonte qëndrimin e tij dhe akuzat e tij ndaj jush si dikush që jeni furnizuar me para krimi, i keni shërbyer krimit e të tjera.
Adriatik Lapaj: Unë jam avokat edhe injoranca e kujtdo nuk është argument. Kështu që, sigurisht që një avokat përfaqëson njerëz që kanë probleme me ligjin, se nuk është aty për të përfaqësuar as hoxhallarë e as priftërinj. Sigurisht që një mjek kuron njerëz të ndershëm, po kuron dhe njerëz që kanë probleme me ligjin. Ky është profesioni që ne kemi. Doni ta mbyllni avokatinë? Mund ta mbyllni.
Gazetari: Edhe me TVSH-në me qejf e ka ta mbylli.
Adriatik Lapaj: Po ta mbyllë, ta heqë me ligj edhe kaq. Ky është profesioni që unë kam. Profesioni që unë kam është të përfaqësoj njerëzit në gjykatë, në prokurori, në kontrata, ky është. Pastaj nëse doni ta hiqni këtë profesion, mund ta bëni, e ka bërë njëherë Enver Hoxha dhe e pa si shkoi kjo punë. Kaq e thjeshtë është. Mua, pra unë kam detyrim të mos çoj lekë lart e poshtë nëpër gjykata dhe prokurorira për të bërë korrupsion. Pjesa tjetër pastaj, kë përfaqësoj, është çështje e profesionit që unë kam dhe ec e bëjini gjyq publik ju, maskarenjve që u vdiq dhomën e avokatisë dhe përfaqësonës pak çdo ditë njerëz, apo avokatëve të tjerë… e zura zotërinë se është drejtues i dhomës, s’kam asgjë, ka qenë zyrtar i lartë… Po, apo avokatë të tjerë të cilët i ftonin nëpër emisione. Ky është profesioni jonë i nderuar. Pastaj për politikë mund të flasin gjithë ditën e mund të bëjnë çfarë të duan. Gjykata është shprehur: Sot një deputet është i dënuar në këtë Republikë nga një gjyq që është bërë, kaq. Tjerat janë llafe pastaj.
Gazetari: Dhe meqë jemi te veprat, me datë 24 si e keni agjendën Lapaj?
Adriatik Lapaj: 24? Partia Demokratike në dijeninë time ka thirrur një protestë dhe agjenda është do respektojmë protestën e tyre. Unë jam gjithë sy e vesh për të pritur që çdo qytetar i këtij vendi, përfshirë dhe demokratët, të zbresin në shesh me flamurin kombëtar dhe pa logo partiake për të bërë një bashkim të madh të gjithë qytetarëve kundrejt Edi Ramës. Kjo është çështja.