I praruar Parisi tej e tej
Nga drita flu e kolorit të vjeshtës,
Si një perëndim mallëngjyes,
Që nuk shuhet…
Ndonëse, në Bulevardin Chanps Elysses,
Çikëlon një shi intim
Si pëshpërimë…
.
Në trotuar, një femër
E veshur me një blends quiet luxury,
Që e bënte të dukej më koketë,
Njëherësh dhe,më elegante,
Tek spërdridhej në sfond të butikëve farfuritës,
Apo përmes tryezave të ngjeshura
Të kafeneve,
Ma rrëmbeu vështrimin
Si të më hidhte një lak kaugërlli…
.
Në portret i shkëndijonte gjith‘ intrigë,
Ideja e një aventure të re;
Por, ku ngutej të shkonte ?
As në taksi, as në limuzinë madje,
S’kish preferuar të hipte,
Pra, për ku po nxitonte ?
Oh , më këmbë udhën e vjeshtës
Donte ta përshkonte,
Kalimtarët, parfumi i saj
Dehte…
.
E kush nuk vlon
Nga trillet e vjeshtës artistike
Parisiane ?
Reflekset e saj,që rrjedhin në Senë
Dhe trotuareve të qullur,
Mrekullisht të ndërmendin
Tablotë e Monesë…
.
Duhet përballuar vjeshta
E Parisit ;
Unë vetë s’e kam të lehtë
T‘eci mbi mozaikun frushullues
Të gjetheve që shkunden,
Siç ecte dhe Iv Montani romantik,
Kur këndonte dridhshëm
Plot nostalgji e melankoli
Les Feuilles Mortes
Të Zhak Preverit…
Ashtu siç e këndoi më pas
Dhe Dalida
E ndritshmja !
.
Ah, ajo femra që më rrëmbeu vështrimin,
Tek nxitonte në bulevard ,
Paskësh qenë holograma
E Dalidasë …
.
Vjeshta e Parisit
Këngët e dashurisë…