Dimër, 2026
Posa kisha ardhur, aherë për një kohë, në Berlin.
Redaktoja një emision televiziv shqip që, në një mënyrë, më mbante ende në koherencë me gazetarinë, tashmë e vetmja punë që njihja në jetë.
Ishte një pasdite e bukur tetori,1994, kur në zyrë binte telefoni. Matanë lidhjes dëgjova V. S. që, pas përshëndetjes dhe dy tre fjalësh formale, më pyeti për njëlloj konference që mbahej në Berlin.
Ishte i ftuar. Dhe, ndaj, ia thashë moton e saj: “Maqedonia, një tampon-shtet që të tjerët t’mos luftojnë”.
Mirëpo, megjithë rolin e saj në teatrin e paqes, Maqedonia, disa vjet më pas, do të përfshihej nga flakë e luftës. Veçse jo ashtu si parathoshin konferencierët e hollë të Europës.
Nuk do të luftonin shqiptarë e bullgarë, fjala vjen, si dy kombe pretendentë për copën e vet autentike në Maqedoni. Bullgarët kishin arsyet e tyre frenuese: ndërhyrja do të cilësohej agresion klasik duke dhënë nxitin e një lufte ballkanike. Pastaj, së dyti, vëllezërit bullgarë matanë kufirit, do të fitonin, si në ëndërr, dhuratën historike: një shtet të bukur në zemërtokën ballkanëse, pa shkrepur kurrë një pushkë të vetme!
Ndërkohë që shqiptarët, një baraspeshë etnike, mben’ë qytetarë të dytë po aty, në truallin e vet dardan.
Dhe ironia e historisë nuk mund të ishte më e hidhur. As në kohën e Titos kur bënin traktate të fshehura me sllavë të tjerë kundër shqiptarëve, e as në epokën e re pas tij.
2.
Ilirida ndodhej në hovin e kryengritjes çlirimtare kur një eksponent politik shqiptar thoshte: qëndroj në pushtet për të mbrojtur idetë.
Por idetë nuk nëvojisin pushtet që të jenë. Sepse idetë janë pushtet vetë. Ndaj çështje është: për ç’ide flet dhe përpiqet njeriu, shpesh deri në flijim?
Për idenë e lirisë, si më sublimja e të gjithave. Dhe Ajo, nëse njeh kohë, mort nuk e njeh asnjëherë.
Ndërsa rishfletoja memoaret e Kenedit, ndalova sërish në një këshillë të saktë dhe elokuente.
Ishte mot zgjedhjesh presidenciale,1960, në Amerikë. Dhe Gjoni i ri, dinamik e sharmant, i kishte hyrë punës për Shtëpinë e bardhë.
Dhe në një nga mbrëmjet prehëse, i ati Joe, themeluesi i klanit të kenedëve, i thotë: mbaje mend, biri im, vendi i dytë i përket humbësit!
Dhe, ashtu si herën e parë, më kujtonte Tokën shqiptare të Maqedonisë.
Ka kaluar kohë e gjatë, një çerekshekulli përpjekjesh iliridase e përbuzjesh sllave. Por shqiptarët, disi, gjenden gjithmonë në fillim.
Nuk do të bëj kronikën e lodhshme të tyre.Tashmë kanë mbetur prapa hapat e vegjël konjukturalë të pasluftës.
Për njeriun e dobët, vullnetzbehtë, ka përherë një justifikim për abstinencë beteje. Bota është e hallakatur, vërtet, por zjarrlufta në lindje të Europës, është e vonë kurse vetëpengosja, ishte e hershme. Fundja, kartat gjeopolitike flisnin qyshkur shqip.
Flasin dhe sot.
3.
Metternich-u admironte sajesat e mëdha shtetërore. I mendonte konstruksione të paqes në Europë. Dhe përbuzte ftohtësisht pretendimet indipendente të grupimeve të vogla etnogjuhësore, që, si thosh kancelari legjendar, prishin themelet e saj.
Por tani, gati dy shekuj më vonë, një president amerikan përafron përceptimin e kundërt. Në doktrinën e tij, Donald Trump, sikur afirmonte pararendësin e famshëm Wilson nga fillimshekulli i ikur.
A nuk ranë, në mbyllje të tij, si bryma para atij dielli lirie të Rendit të ri, viti 1990, shtetet federale disaetnike në Europë? Rusia, Jugosllavia dhe, madje, shteti që dukej funksional, i çekëve e sllovakëve?
Përse, pra, duhet të ekzistojë shteti sllav i Maqedonisë, mbi tokën antike të ilirëve dhe kundër lirisë së pasardhësve të tyre shqiptarë?
Që, aq më tepër, as i federalizuar nuk është?
Por nëse kjo duket e pakohshme, atëherë shqiptarët, në një intermezo historie, le të ngrejnë nga gjendja e gurëzuar Iliridën, të dashurën e tyre që rri në komodinë si një statujë e trishtë.
Natyrisht, jo siç thotë rrëfimi mitik kur
ajo kishte marrë frymë jete nga lutjet, për t’u bërë nusja e bukur e Shpisë. Liria urren lujen, ndërkohë që e pashmangshmja (si do t’shkruaj Koelho) vret frikën…
4.
Kur Maqedonia sllavo-shqiptare niste udhë drejt Natos, dukej e vyer qetësia dhe i matur veprimi shqiptar. Po, në fakt, vlerat e Natos nuk janë vetëm armët. Janë poaq rendi i demokracisë dhe e drejta e lirisë.
Ndërkaq tani, rirreshtimi, anise i vonuar shqiptar, ka Orën e vet.
Shteti i stisur shqiptaro-sllav nuk mund të bëj përpara tek portë e Brukselit me afro gjysmën, reliefin më vital të ekzistencës së saj, të vënë në gjendje faji të paqenë dhe ndëshkimi të padrejtë.
Për të ndryshuar duhet më parë të Jesh, lexoja te Markezi, mjeshtër fjale të bukur.
Kosova, fjala vjen, ende nuk Është. Pa njohje të ndërsjelltë me Serbinë nuk mund të bëhet asnjë lëvizje për një shkallë vetëadministrimi të komunave me shumicë serbe. Këtë kuptim shfaq dhe saga figurative e Kurtit për “kafenë e gatshme dhe filxhanin e munguar…”!
Ndryshe nga Kosova, Maqedonia e Veriut Është dhe shqiptarët nuk janë një pakicë ardhësish që kishin humbur udhën, por një komb i tërë autokton.
Që këtej, ajo gëzon tagrin e plotë të ndryshimit.
Rivandikimet e vogla, rëndom, do t’i rrëzojë, ashtu si përherë, ftoma e parë politike.
Ndaj dhe ndryshimin e madh, radikal, duhet t’a bëjnë shqiptarët: e para, të vetes së tyre dhe e dyta, të Republikës që akoma nuk është e denjë për Shtëpinë komunitare të Europës.
Kur një grusht kolonësh serbë të Kosovës kërkojnë Entitet territorial, përse shqiptarët e Iliridës që banojnë tokën e tyre qyshkur Zotat jetonin mes njerëzish, zgjedhin apatinë dhe heshtjen mortore?
Meqë s’janë minoritarë inferiorë, por komb, aherë liri kombëtare pa territor s’mund të ketë. E kjo domethënë, ose të jenë të pavarur ose të barasvarur me entitetin sllav në Ngrehën e përkohshme bikomunitare!
Që këndej, tampon-shteti i Maqedonisë s’do t’mund të mbahej në këmbë (a duhet patjetër?) në dy raste situatash qenësore: s’mund të jetë pa shqiptarët me tokën e tyre dhe as me shqiptarë si popull i rangut dytësor!
Por janë shqiptarët që duhet t’a dëshmojnë edhe të parën edhe të dytën.
E bëjnë dot?
Le të themi: jo, ose pak!
Jo aq sa gjeneron gjasë reale potenciali i tyre popullor dhe intelektual!
Ndaj dhe nga qytetarë me aftësinë e arsyetimit politik ata (ngjashëm me Kosovën ku, ndër një flegër të caktuar që ka zënë të quhet “popull musliman”, buka hahet shqip e shpirti përkallet aziatisht), shndërrohen ngadalë e mpirshëm si një shuarje ngricash alpine, në “turmë altari” me bindjen fatale për kauzën e huaj.
Dhe gjithnjë të lumtur me vendin e dytë të humbësit…
R.