Vijon prej orës 10:30 mbledhja e Këshillit të Mandateve ku do të shqyrtohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunetit zv/kryeministres Belinda Balluku që do i hapë rrugë arrestimit të saj.
Gazetarja e Syri Tv, Ambrozia Meta ka zbuluar detaje nga mbledhja po zhvillohet me dyer të mbyllura. Mësohet se mbledhja ështe ende te procedurat, pasi kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi insiston që mbledhja të jetë e hapur për median dhe publikun’ gjithashtu “ka kërkuar që të marrin pjesë të gjithë deputetët’ , por PS refuzon.
Gjithashtu Bardhi ka kërkuar të vihen ne dispozicion provat e USB, – e cila është kyçur në kasafortën e protokollit me argumentin se materialet janë sekret hetimor,- .pasi deri tani nuk janë vënë dhe po mbahen të fshehta nga maxhoranca.
Kërkesa e Bardhit është kundërshtuar nga Taulant Balla me argumentin se “mbledhja duhet bërë me dyer të mbyllura sepse duhet ruajtur sekreti hetimor. Në mbledhje duhet të jenë të pranishëm vetëm anëtarët e Këshillit të Mandateve”
Kush është i pranishëm në Këshillin e Mandateve?
SPAK përfaqësohet nga 3 prokurorë – kreu i ri i SPAK, Klodian Braho, Dorina Bejko dhe Dritan Prençi, I cili ka firmosur dhe masën e sigurisë ‘pezullim nga detyra’ dhe ‘ndalim për lëvizje jashtë Shqipërisë’.
Vetë zv/kryeministrja nuk ndodhet në Kryesinë e Kuvendit por ka pranuar të përfaqësohet nga avokati I saj Ardian Kalija, vetë Balluku shkoi në ambientet e Kryeministrisë ku po mbahet mbledhja e qeverisë.
Një ditë më parë, Apeli i GJKKO-së la në fuqi masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit të Ballukut, por nuk mori në shqyrtim ankesën për pezullimin nga detyra, derisa të shprehet gjykata Kushtetueses për ankimin e kryeministrit Rama.
Gjykata Kushtetuese e ktheu Ballukun në detyrë, deri më shqyrtimin e ankimit të qeverisë, që kërkon zgjidhjen e kompetencave me GJKKO-në.
Belinda Balluku është marrë e pandehur për tenderin më vlerë 190 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, akuzë që i është komunikuar zyrtarisht dhe dyshohet edhe për tenderin 20 milionë euro të lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës. Për të dy tenderët, me vlerë 210 milionë euro, sipas SPAK, Balluku ka paracaktuar fituesin përmes mbikëqyrjes dhe ndërhyrjes gjatë gjithë procesit të zhvillimit të garës. Dy ditë më parë SPAK i tha Kuvendit se e ka nën hetim edhe për 6 procedura të tjera në ndërtimin e kësaj vepre publike.