Marie-Françoise Allain, e njohur si Soizik, u shua në moshën 80-vjeçare.
Gazetare, intelektuale e angazhuar, ajo bashkoi kthjelltësinë morale me kërkesën e lartë për stil.
Nga Graham Green e deri në Kosovë, zëri i saj ishte ai i një besnikërie pa bujë, i një pranie të rrallë. Veprimtaria e saj për të mbrojtur çështjen e Kosovës ishte thelbësor në Francë.
Ajo ishte nënshkruesja e parë dhe bashkorganizatorja e peticionit të intelektualëve francezë kundër spastrimit etnik në Kosovë.
Paris, 14 dhjetor 2025
Marie-Françoise Allain (për miqtë, Soizik) lindur më 1945 na la të shtunën, më 13 dhjetor, në moshën 80-vjeçare.
Krahas karrierës së saj si lektore në letërsinë amerikane në Universitetin Paris-8 të Saint-Denis, ajo kontribuonte si gazetare (veçanërisht në Le Monde diplomatique), dhe u angazhua në kauza demokratike si ajo e Irlandës, Haitit, dhe Çekosllovakisë, dhe mbi të gjitha në atë të Kosovës.
Për ata që e kanë njohur, shumë më tepër se një intelektuale e angazhuar, ajo ishte një ndërgjegje lëvizëse, një prani e palëkundur atje ku kërkohej qëndresë.
Akti i shkrimit, për të, nuk ishte çështje stili, por një akt besnikërie, ndaj së vërtetës, drejtësisë dhe të tjerëve.
Bijë e një babai të vrarë në vitin 1965, në një mision në shërbim të Francës, ajo mësoi që herët se dhuna nuk është një çështje abstrakte: ajo shënon jetë, shënon trupin e njeriun të dashur dhe lë pas një dhimbje që të ndjek dhe të paralizon. Këtë trashëgimi të dhimbshme ajo do ta shndërronte në një kërkesë të brendshme: një vëmendje pa kompromis ndaj padrejtësive të heshtura, të vërtetave të shtrembëruara dhe zërave të mbytur, duke e kthyer dhimbjen në forcë.
Doktore në Teori Letërsie, ajo kishte zgjedhur Graham Greene si bashkudhëtar mendimi, jo thjesht si një “temë” akademike, por si një laborator moral, një shkollë kthjelltësie përballë zonave gri, besnikërive të dyshimta dhe kompromiseve të zakonshme, që mbushin jetën e njerëzve të vegjël.
Kjo njohje e gjatë me veprën e tij kishte formuar tek ajo një vigjilencë të rrallë: një dëgjim të kujdesshëm dhe e kishin mësuar të shihte atë “dritë të vogël” të brendshme që çdo regjim apo ideologji përpiqet ta shuajë përpara se të shperndajë terrin e vet.
Për herë të parë e takova dhe u njoha me të në një konferencë në Bruksel. Ishte e dërguar aty nga Le Monde diplomatique. Klara Buda, shqiptare iu prezantova: Marie-François Allain (Soizik), baske, ma ktheu ajo. Marie-François Allain zhvilloi një punë të duruar dhe të saktë, të përqendruar në Evropën Qendrore, me dhunën politike dhe kulturën si sizmograf.
Linja editoriale që respektonte nuk ishte ajo e vendosur nga Gazeta Le Monde diplomatique, por një linje rigoroze, etike, me saktësi dhe refuzim të thjeshtëzimeve, durim përballë fakteve dhe shpesh herë jo edhe aq diplomatike. Mbi të gjitha, ajo kishte atë mënyrë unike për të lidhur ngjarjet me jetët, pa patetizëm, por edhe pa ftohtësi. Me gjasë, ishte pikërisht kjo aleancë, etika e formës dhe ndjesia e reales, që e bëri aq të pranishme gjatë luftës së Kosovës.
E angazhuar thellësisht në Comité Kosovo*, ajo u përpoq me gjithë forcën e saj, shpesh deri në rraskapitje, për ta bërë të dëgjohej në Francë zërin e rezistencës paqësore të Dr. Ibrahim Rugovës.
Nga ky angazhim lindi, në bashkëpunim me Xavier Galmiche, një libër thelbësor: La Question du Kosovo (Fayard, 1994).
Të dy ishin bashkautorë në konceptimin e veprës: ajo, gazetare dhe intelektuale e angazhuar; ai, atëherë një studiues i ri, sapo i habilituar në Sorbonne, dhe sot Profesor në këtë universitet prestigjioz francez.

La Question du Kosovo: Entretiens avec Marie-Françoise Allain et Xavier Galmiche
Ky libër mbetet një dokument i rëndësishëm, jo vetëm për të kuptuar një strategji politike jo të dhunshme përballë shtypjes dhe dhunës, por edhe për të mesuar se si një gjuhë e vogël mund ti mbijetoje fshirjes së saj nëpërmjet mendit filozofik. Pas botimit të këtij libri, ceshtja e Kosoves u sqarua per opinionin publik francez si kurre me pare. Ishte ne keto kushte njohje qe tri dite pas fillimit të bombardimeve të NATO-s në ish Jugoslavi, do të bëhej e mundur hapja e Redaksisë shqipe të Radio France Internacionale, ku do të punoja gjatë luftës së Kosovës dhe do ta drejtoja deri në mbylljen e saj, pas renies se perdes se hekurt.
E kisha intervistuar shpesh Marie – Françoisen për Radio Francë Internacionale, kuptova shpejt se Kosova, për të, nuk qe kurrë “një dosje” mes të tjerash: ishte një vijë thyerjeje, një çeshtje ku zbulohej aftësia e Evropës për të njohur, ose për të mos njohur, fillimin e çnjerëzimit.
Në vazhdën e këtij angazhimi, ajo bashkënënshkroi disa thirrje që denonconin “spastrimin etnik” në Kosovë, dhe ishte firmëtarja e parë dhe bashkorganizatore ( me mua, si firma e dytë) e peticionit të intelektualëve francezë kundër spastrimit etnik, më 23 qershor 1998. Ajo do te ishte e pranishme ne gjithe manifestimet kunder spastrimit ethnik dhe dhunes se Milosheviçit ne Kosove dhe nuk do te rreshte te shkruante per te. Ata që e kanë lexuar, e kujtojnë frazën e saj: një frazë që analizon, që peshon. Një frazë që nuk mjaftohet me informimin, por që nuk bie kurrë në lirizëm apo kompasion të tepëruar.
Edhe kur shkruante për letërsinë, ajo kërkonte vijen e mesme ku vendoset morali. Edhe kur shkruante për luftën, ruante përmbajtjen e saj për dhimbjen e tjetrit. Ishte një përmbajtje që vinte nga njohja e faktit se të flasësh për tjetrin është gjithmonë një rrezik, dhe ajo e shndërronte këtë rrezik në disiplinë.
Mbetet një vepër, artikuj, libra, qëndrime dhe pozicionime, ku dëgjohet një besnikëri pa madhështi: besnikëri ndaj popujve të kërcënuar nga harresa (si atëhere kur mu paraqit si baske dhe jo franceze**), besnikëri ndaj nuancës, kur propaganda imponon slogane dhe tabllo bardhe e zi. Ajo ishte ishte prova e idesë se letërsia dhe gazetaria, kur qëndrojnë në lartësinë e tyre, nuk janë stoli të demokracisë, por nervat e saj.
Ata që e kanë njohur nuk do ta harrojnë kurrë Soizik-ën, qetësinë e saj të zjarrtë, dashamirësinë, dhe atë mënyrë të rrallë për ta bërë të vërtetën te shpaloset ne menyre evidente.
Ajo kishte edhe nje forme te veçante vetëironi-je. Më kujtohet një darkë në Paris me presidentin Ibrahim Rugova: ishim dy gratë e vetme në tryezë, dhe ai na dhuroi secilës nga një trëndafil. Ky gjest, i thjeshtë por simbolik, shprehte njohjen e pranisë sonë femërore në një univers politik të dominuar nga burrat. Marie-Françoise e pranoi me atë gravitet të butë që e karakterizonte, ndërsa qeshte me veten.
Xavier Galmiche, mik i mendimit, e përshkruante si një grua “me jetë dhe shpirt romanesk e të ndërlikuar”. E ndjaj të njejtin mendim me të, jeta e saj ishte komplikuar edhe nga drama e humbjes së babait kur ishte 20 vjeç.
Një komplicitet i vërtetë ekzigjence universitare dhe besimi i lidhte me të. Ai i qëndroi besnik deri në fund.
Së bashku me Xavienë bëmë një udhëtimin për ta vizituar në gusht 2020, në shtëpinë e saj të pleqërisë në Treigny, në Yonne.
Ajo na priste në një shezlong. Zëri ishte i dobët, por dëgjimi i saj, i paprekur. Një çast ndriçimi i pezullt, hera e fundit.
Pusho në paqe, Soizik. Do ta takosh sërish babanë tënd që e deshe aq shumë.
Një meshë në nder të saj do të mbahet të enjten, më 18 dhjetor, në orën 10:00, në Saint-Sauveur në Puisaye. Ajo do të varroset në varrezat e Trégourez (Finistère).
—
*Komiteti “Kosova”, pranë revistës Esprit (kolektiv francez që mbështeste rezistencën paqësore të Dr. Ibrahim Rugovës)
**vendi Bask, është ndarë në dy pjesë mes Francës dhe Spanjës, gjuha baske flitet dhe mësohet vetëm lokalisht, si nê Francë ashtu edhe në Spanjë.
Ky portret mund te ri-botohet duke cituar ©klarabudapost.com. Fotoja mund te publikohet me lejen e Z. Adnan Merovci