Agron Gjekmarkaj i ka dorëzuar dorëheqjen nga funksioni i nënkryetarit të Partisë Demokratike kryetarit të saj, Sali Berisha, por ky i fundit raportohet se nuk ia ka pranuar.
Gjekmarkaj ka pranuar se firma e vendosur për kandidaturën e Endri Shabanit për Avokat të Popullit, ka qenë një gabim, dhe në këtë kuadër i ka komunikuar Berishës vendimin për të dhënë dorëheqjen.
Gjatë debatit në mbledhje, Sali Berisha, tha se procesi i firmosjes për Avokatin e Popullit ishte një gabim i rëndë politik.
Berisha ka kërkuar që deputetët që kanë firmosur të dalin publikisht dhe të kërkojnë falje.
“Duhet të kërkojmë falje publike secili prej deputetëve që ka firmosur për Avokatin e Popullit dhe Rama le ta gëzojë, siç ka 98% të pushtetit, të shkojë 99%”, mësohet të ketë deklaruar Berisha.
Në këtë moment ka ndërhyrë Jozefina Topalli, e cila ka kundërshtuar këtë qëndrim: “Jo mor, mos e gëzoftë”.
Ndërsa Berisha ka insistuar se Partia Demokratike nuk do ta çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
“Ta gëzojë. Ne nuk do merremi as në Gjykatën Kushtetuese. Ky ishte gabim dhe ne duhet ta pranojmë”, është shprehur Berisha gjatë mbledhjes.
Ndërkohë, Bislim Ahmetaj duket se ka qenë i revoltuar ndaj sekretarit të partisë, Flamur Noka duke shtuar:
“Mendoj që përgjegjësinë e ka Flamur Noka për gjithë këtë çorganizim të organizuar që ka partia dhe mendoj se do e kemi të vështirë të na vijnë njerëz. Me këtë reagim po neglizhojmë demokratët dhe Avokati i Popullit është përgjegjësi e Nokës. Me Salianjin nuk kam pasur simpati, se jemi përplasur, por sot, me lëvizjet që po bën, i jap të drejtë.”
Ahmetaj ka kërkuar mbledhjen e Këshillit Kombëtar për të vendosur për dorëheqjen e Gjekmarkajt dhe shkarkimin e Gazment Bardhit dhe Flamur Nokës.