Ukraina ka nevojë për një “paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, e cila të shoqërohet me garanci të qarta dhe të forta sigurie. Kështu deklaroi Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një intervistë për Politico, duke theksuar se marrëveshja e paqes nuk duhet të mbjellë menjëherë farat e konfliktit të ardhshëm.
Von der Leyen nënvizoi se vetëm Presidenti Volodymyr Zelensky dhe populli ukrainas janë ata që mund të vendosin për të ardhmen e territorit ukrainas. Ajo përsëriti se garancitë e sigurisë për Kievin duhet të jenë “shumë të forta”, në mënyrë që të sigurohet stabilitet afatgjatë.
E pyetur se sa kohë i duhet Evropës për të qenë e aftë të mbrojë veten në një kontekst gjithnjë e më të ndërlikuar sigurie, Presidentja e Komisionit u shpreh: “Kjo është një pyetje shumë e mirë. Ne nuk kemi luksin e kohës.”