Suzanna Shkreli është një tjetër shqiptaro-amerikane që po hyn në garë politike. Demokratja e njohur po synon postin e Sekretarit të Shtetit në Michigan.
Kjo është një pozitë shumë e rëndësishme administrative e shtetit që mbikqyr veç të tjerash zgjedhjet presidenciale. Duke qenë se Michigan është një nga 8 apo 10 shtetet vendimtare në zgjedhjen e presidentit, të dy partitë do të bëjnë çmos që të kapin postin e Sekretarit të Shtetit. Sidomos tani që ka një rritje drastike të mosbesimit në procesin zgjedhor nga të dy partitë.
“Unë besoj vërtet se demokracia amerikane është në rrezik”, tha ajo për një nga gazetat lokale, duke folur për kandidaturën e saj.
Deri dje, Shkreli ishte Komisionerja e Shtetit për Llotarinë në Michigan. Më parë ka qenë një ndihmës-prokurore e suksesshme si dhe Drejtore e Zyrës së Ombudsmanit të fëmijëve. Ajo është edhe bashkëthemeluese dhe anëtare e Bordit të Drejtorëve të Demokratëve Shqiptaro-Amerikanë.
Shqiptarët mësuan për herë të parë për Suzanna Shkrelin në vitin 2016, kur u bë kandidatja më e re që synoi Kongresin Amerikan, në moshën 29-vjeçare. Ndonëse mundësitë e saj ishin të pakta, për shkak se hyri në garë vonë, për të ndihmuar Partinë Demokrate në Distriktin 8 në Michigan. Ajo humbi përballë kongresistit Mike Bishop.
Lexuesit nuk duhet të ngatërrojnë postin e Sekretarit të Shtetit, në kabinetin e presidentit, që është praktikisht ministri i jashtëm amerikan, me postin me të njëjtin emër të çdo shteti. i pari është diplomatik, i dyti administrativ.
Suzanna Shkreli do të duhet të fitojë garën brenda Partisë Demokrate ku përballet me dy kandidatë të tjerë. Fituesi do të garojë me kandidatin e Partisë Republikane ku gjithashtu kandidojnë tre vetë.
Demokratja Shkreli ashtu si Republikani Robert Lulgjuraj, janë pjesë e të njëjtit komunitet shqiptarësh në Michigan. Larmia politike e këtij komuniteti refleton atë të shtetit ku jetojnë. Jo më kot, shqiptarët në Michigan gëzojnë vëmendjen e të dy partive kryesore amerikane. Fati i vendit caktohet aty çdo katër vjet.
Suksese shqiptaro-amerikanëve, pavarësisht se çfarë partie i përkasin! Suksese Suzanna!