Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njoftoi se është informuar mbi bisedimet e vazhdueshme mes Ukrainës dhe SHBA-së nga delegacionet në Florida, duke theksuar se vendi i tij “synon paqe të vërtetë”.
Në një postim në X, Zelensky tha se pati një “telefonatë të gjatë dhe të thellë” me të dërguarin e posaçëm amerikan, Steve Witkoff, dhëndrin e presidentit Donald Trump, Jared Kushner, si dhe diplomatët ukrainas që po kryejnë negociatat.
Ai theksoi gjithashtu se do të presë një raport të drejtpërdrejtë nga delegatët ukrainas, sepse “nuk mund të diskutohet gjithçka përmes telefonit”.
Bisedimet mbuluan shumë tema, duke përfshirë “pikat kyçe që mund të sigurojnë përfundimin e gjakderdhjes dhe eliminimin e kërcënimit të një pushtimi të ri rus”.
Ai theksoi gjithashtu rrezikun që Rusia mund të mos përmbushë premtimet e saj, siç ka ndodhur disa herë më parë.
Zelenski përfundoi duke falënderuar Trump “për qasjen intensive ndaj negociatave”. Në postimin e tij ai shkruan:
“Sapo pata një bisedë të gjatë dhe të thellë me Steve Whitkof dhe Jared Kushner, së bashku me Andriy Khnatof dhe Rustem Umerov. Jam mirënjohës për diskutimin shumë të fokusuar dhe konstruktiv. Mbuluam shumë tema dhe shqyrtuam pikat kyçe që mund të sigurojnë fundin e gjakderdhjes dhe të eliminojnë kërcënimin e një pushtimi të ri rus në shkallë të plotë, si dhe rrezikun që Rusia të mos përmbushë premtimet e saj, siç ka ndodhur më parë.
Ukraina është e vendosur të vazhdojë bashkëpunimin me mirëbesim me palën amerikane për arritjen e një paqeje të vërtetë. Ne ranë dakord për hapat e ardhshëm dhe format e bisedimeve me SHBA-në. Falënderoj Presidentin Trump për qasjen intensive në negociata. Tani pres Rustem Umerov dhe Gjeneralin Khnatof me një raport të detajuar personal.
Nuk mund të diskutohet gjithçka përmes telefonit, prandaj duhet të punojmë ngushtë me ekipet tona për ide dhe propozime. Qasja jonë është që çdo masë kritike për paqen, sigurinë dhe rindërtimin të jetë e zbatueshme. Faleminderit”, tha ai.
Steve Whitkof e përshkroi si “konstruktive” takimin dy-ditor të së enjtes dhe të premtes me Rustem Umerov.
Ai dhe Umerov ranë dakord mbi “kornizën e rregullimeve të sigurisë” që mund të çojnë në një marrëveshje dhe diskutuan “kapacitetet e nevojshme për parandalim për të ruajtur paqe të qëndrueshme”, pa dhënë më shumë detaje.
Sipas deklaratës, perspektiva për përfundimin e luftës varet nga gatishmëria e Rusisë për të marrë “masa për deeskalim dhe ndalimin e vrasjeve”.
Gjatë bisedimeve në Florida, delegacioni ukrainas u informua mbi takimin e fundit midis Whitkof dhe presidentit rus Vladimir Putin, i cili zgjati gati pesë orë në Moskë të martën. Kremlini deklaroi se “nuk u arrit kompromis” mbi planin e propozimit për paqe të SHBA-së. gsh