Deklarata të forta ka dhënë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, pas takimit të ministrave të Jashtëm të Aleancës, ku mungoi Mark Rubio. Rutte iu përgjigj mesazhit kërcënues të presidentit rus, Vladimir Putin, i cili deklaroi se “nëse Evropa do luftë, Rusia është gati”.
“Putin mendon se mund të na lodhë, por ne nuk shkojmë askund. Sot është edhe një provë tjetër se ai gabon”, u shpreh Rutte. Sipas tij, veprimet e Kremlinit vetëm sa forcojnë vendosmërinë e NATO-s për të mbështetur Ukrainën dhe për të rritur presionin ndaj Rusisë.
Shefi i NATO-s theksoi se aleanca mbetet “plotësisht mbrojtëse”, por paralajmëroi se është “gati të bëjë gjithçka që duhet për të mbrojtur një miliard qytetarët e saj dhe territorin e saj”.
Rutte nuk ngurroi të lavdërojë edhe Donald Trump, duke thënë se “ishte i vetmi në botë që arriti të thyejë ngërçin mbi luftën në Ukrainë”.
Ai pranoi se NATO nuk ka një “Plan B” nëse negociatat dështojnë, luftimet vazhdojnë dhe SHBA ndalon furnizimin me armë për Kievin. Megjithatë, Rutte u shpreh se nuk duhet menduar për këtë skenar, pasi SHBA “ka qenë shumë konsistente” në mbështetjen për Ukrainën, ashtu si edhe aleatët e tjerë.
Shefi i NATO-s shtoi se pritet që vendet evropiane dhe Kanadaja të rrisin angazhimin e tyre. Dy të tretat e anëtarëve të Aleancës, sipas tij, kanë premtuar furnizime të reja përmes listës së prioriteteve të Ukrainës (PURL), me një vlerë të përgjithshme prej rreth 4 miliardë dollarësh.
Rutte bëri të ditur se edhe Australia dhe Zelanda e Re do të kontribuojnë në këtë fond, si partnerët e parë joanëtarë të NATO-s që i bashkohen PURL. Panorama