Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj, u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme në kuadër të hetimeve për dyshime mbi abuzime me tenderat e zhvilluar nga institucioni që ajo drejton.
Pas më shumë se tre orësh qëndrimi në ambientet e SPAK, Karçanaj doli pa dhënë asnjë koment për mediat, duke shmangur pyetjet e gazetarëve.
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka hapur një hetim për abuzimet me 12 tendera në AKSHI, procedura për të cilat është pyetur Karçanaj.
Nga hetimet rezulton se kriteret e tenderave janë paracaktuar nga kompanitë që garonin dhe në këtë mënyrë, ata arrinin të fitonin edhe milionat.
Për momentin, klienti kryesor i AKSHI-t është biznesmeni Ermal Beqiri, pronar i kompanisë “Soft & Solution”, i cili njihet si “gllabëruesi” i parave publike përmes tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Më herët, edhe ai është marrë në pyetje nga SPAK.
Gjatë ditëve të fundit, hetuesit kanë thirrur dhe marrë në pyetjeve 25 zyrtarë të AKSHI-t, që janë kryesisht anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe anëtarë të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave.
AKSHI është një institucion i vënë në qendër të akuzave dhe madje një prej ish-zyrtarëve të saj, Daniel Shima, u zhduk në mënyrë të dyshimtë për 10 orë me radhë ku mendohet të jetë mbajtur peng nga një grup kriminal në Elbasan.