Bullgaria mund të jetë përballur më 1 dhjetor me protestat më masive në historinë e saj moderne
Radio Evropa e Lirë
1Turma njerëzish janë mbledhur para ndërtesës së Parlamentit të Bullgarisë në Sofje më 1 dhjetor. Dhjetëra mijëra njerëz kanë dalë nëpër rrugët e Sofjes, ndërsa protesta tjera të ndara janë mbajtur në dhjetëra qytete tjera bullgare. Pakënaqësitë janë rritur për shkak të një projektbuxheti të vitit 2026 që parasheh rritjen e taksave dhe të pagesave për sigurime shoqërore, duke rritur edhe më shumë zemërimin te banorët që e shohin Qeverinë si të korruptuar.
2Disa gra duke bërtitur jashtë ndërtesës së parlamentit në Sofje. Protestat masive janë organizuar pasi Qeveria bullgare kishte thënë fillimisht se do ta tërhiqte draftin e buxhetit për vitin 2026 dhe më vonë ka vendosur ta çojë atë përpara.
3Alexander Karatov ka qenë njëri prej protestuesve në rrugët e Sofjes më 1 dhjetor. Ai i ka thënë Shërbimit bullgar të Radios Evropa e Lirë se e vëren që si punëtor po mashtrohet në baza të rregullta. “Ata vetëm dëshirojnë të vjedhin edhe më shumë”. Kjo ka qenë protesta e parë në të cilën ai ka marrë pjesë. “Ndjeva nevojë të dal, e ndjeva obligim”, ka thënë ai.
4Protestuesit në Sofje duke mbajtur një pllakatë të Jolly Rogerit nga seria e famshme japoneze “One Piece”. Simboli është përdorur nga të rinjtë protestues nëpër gjithë botën në vjetët e fundit.
5Karolina Koleva ishte një tjetër protestuese që foli për Radion Evropa e Lirë.“Nuk e kam problem që të kontriboj me pagën time, nëse këto para shkojnë për njerëzit që kanë nevojë, sikurse pensionistët, nënat, mësuesit dhe për kujdes shëndetësor”, ka thënë ajo. “Por kjo gjë tani, kjo taksë shtesë dhe sigurimi shoqëror do të përfundojnë për përfitime të njerëzve që në asnjë mënyrë nuk kontribuojnë në zhvillimin e shtetit”, ka thënë ajo.
6Protestuesit me një pllakatë të politikanit bullgar, Delyan Peevski gjatë protestave në Sofje. Kjo figurë politike bullgare është e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, nën dyshimet për korrupsion.
7Një protestues shihet me një shtyllë metalike parkimi gjatë protestave në Sofje, në të cilat shpërtheu edhe dhuna në mbrëmjen e 1 dhjetorit.
8Protestuesit duke thyer dritaret e zyrave politike në Sofje.
9Një protestues duke shtyrë një kontejner mbeturinash që digjet teksa kishin shpërthyer përleshjet mes protestuesve dhe policisë në Sofje.
10Një protestues duke tentuar të hedhë gjësende në drejtim të policisë. Protestat po zhvillohen teksa Bullgaria përgatitet për ta fuqizuar përdorimin e valutës evropiane, euro, prej 1 janarit 2026.