Arkivi i Voal.ch
JO 29 NËNTORIT –
Nga Elida BUÇPAPAJ
E Premte, 11.29.2013, 01:22pm (GMT+1)

Klasa politike dha show-n e rradhës. 28 Nëntorin e festuan të ndarë e të përçarë. Njëra palë në Vlorë tjetra duke lamentuar në Facebook. S’ka shëmtim më të madh.
Sot më 29 Nëntor e njëjta histori e pështirë, njëra palë për Shkup, e tjetra për Shkodër, si dy drejtëza që vrapojnë në drejtime diametralisht të kundërta.
Kemi një çerek shekulli që përballemi me dilemën se kur është çliruar Shqipëria dhe se kur është larguar prej vendit çizmja e fundit gjermane. Këtë dilemë e kanë zgjidhur në mënyrë të politizuar historiografët që e retushuan historinë për 50 vjet sipas vullnetit të diktatorit. Këtë dilemë nuk e kanë zgjidhur historianët e shkolluar në Perëndim gjatë periudhës të tranzicionit. Dhe shoqëria sa vjen 29 nëntori thellon bipolarizimin e saj. Njëra palë insiston tjetra e mohon. Por edhe kjo që e mohon, pseudo e djathta e mohon sa për show. Sepse Parlamenti i Shqipërisë është kthyer në një arenë cirku dhe jo vendi ku krijohet statura e shtetit.
29 nëntorin e respekton edhe Presidenti i Republikës, kësaj here si përfaqësues i unitetit kombëtar! Po a ka unitet kombëtar kur njëra palë në mënyrë histerike mbron 29 nëntorin dhe tjetra në mënyrë pasive mbron 28 nëntorin! Jo! Presidenti i Republikës kështu respekton ndarjen dhe përçarjen kombëtare!
29 nëntori është një nga simbolet që denoncon thelbin e katrahurës të kaosit politik këta 23 vjet. 29 nëntori është njëri nga simbolet që ka lidhje me problemin thelemor i cili duhet të zgjidhet një herë e mirë nga politika shqiptare. 29 nëntori është vija e kuqe që ndan të djeshmen me të sotmen dhe që obligon dekomunistizimin e shtetit e shoqërisë shqiptare.
I pyes politikanët e së majtë, duke nisur prej kryeministrit të Rilindjes nëse e konsideron 29 nëntorin ditën e çlirimit të Shqipërisë, kur në vend u vendos një sistem totalitar barbar? Këtë pyetje ia drejtoj edhe të majtës!
Lufta partizane nuk ka asnjë lidhje me 29 nëntorin. Lufta antifashiste duhet të vlerësohet, ashtu si edhe dëshmorët e saj dhe të gjithë ata që i kontribuan. Kush konfondon Luftën antifashiste me 29 nëntorin, ose është i marrë ose synon vazhdimin e çoroditjes të shqiptarëve drejt një konfrontimi social.
Siguria, stabiliteti i vendit, ashtu si dhe standartet e një vendi demokratik nuk tolerojnë dilema të tilla. Prandaj i bëjmë thirrje politikës që ta vendosë në prioritetet e saj sanksionimin e parimeve themelore përmes Kushtetutës ku Shqipëria përcaktohet eksplicitivisht si një demokraci perëndimore.
Në fund të fundit, e përse duhet që Shqiptarët të pranojnë 29 nëntorin si ditën e çlirimit, kur kjo ditë shënon instalimin e një diktature!
E përse duhet të pranojnë shqiptarët 29 nëntorin, kur dihet se diktatori e zgjodhi këtë datë për servilizëm ndaj Titos, si shenjë gjunjëzimi për ta kthyer Shqipërinë në republikë të shtatë të ish-Jugosllavisë!
E përse duhet të pranojnë shqiptarët 29 nëntorin, kur dihet se kjo datë lidhet pikërisht me emrin e diktatorit Hoxha, regjimi i të cilit i masakroi shqiptarët dhe izoloi e bunkerizoi vendin?
Le ta zgjedhë e majta datën e çlirimit të vendit. Le të jetë 5 Maji. Le të jetë një datë që lidhet me dinjitetin dhe sakrificat e shqiptarëve, por jo me diktatorin.
Ka ardhur momenti kritik kur politika shqiptare duhet të distancohet nga diktatura, jo në mënyrë retorike, por me ligje dhe rregulla ashtu si është vepruar në vendet e ish-Europës Lindore. Të dënohen krimet e regjimit enverist dhe nomenklatura e kuqe, e cila është e parehabilitushme.
Liderët e të majtës të mos bëjnë lojra në pikën që dallon civilizimin Perëndimor nga totalitarizmi. Shqipëria nuk mund të pretendojë të jetë anëtare e NATO-s apo të anëtarësohet në BE kur liderët e shtetit shqiptar simpatizojnë ish-eksponentët e nomenklaturës të regjimit komunist, apo kur trashëgimtarët bilogjikë të ish-regjimit totalitar emërohen në postet më të larta të administratës publike pa u distancuar nga gjyshërit dhe etërit e tyre. Vetëm Bashkim Shehu e ka bërë këtë. Po ashtu, as e majta dhe as trashëgimtarët biologjikë nuk mbajnë asnjë qendrim mëshirues dhe nuk lypin as ndjesë për viktimat e diktaturës. Gjermania vazhdon e kërkon ndjesë për krimet e Hitlerit, edhe kur Lufta e Dytë Botërore ka 70 vjet që ka përfunduar!
Po ashtu e majta vazhdon të ketë si gazetën e saj, Zërin e Popullit, themeluar nga diktatori, që për 50 vjet u ka shplarë trurin shqiptarëve.
Shteti i së drejtës imponon rregulla. Shqipëria rrezikon të degradojë sepse është një shtet pa rregulla, pasi mban qendrim konfondues dhe aspak të qartë ndaj të shkuarës, ku përfshihet edhe 29 nëntori.
E majta shqiptare ka plot argumenta që kjo datë të mos jetë data e çlirimit të Shqipërisë, sepse populli shqiptar u çlirua nga nazizmi por vari në qafë vargojtë e diktaturës. Do të mjaftonte lista e gjatë e vrasjeve të bashkëpunëtorëve, që diktatori i likuidoi gjatë luftës dhe për gati gjysmë shekulli prej paranojës staliniste, që e majta të reflektonte për të rilindur me vepra jo me demagogji.
Nëse e majta e pranon që periudha 50 vjeçare e diktaturës ishte një regjim mizor, kriminal, antishqiptar, antinjerëzor që mbolli vdekjen, frikën, izolimin, luftën e klasave, depersonalizmin, varfërinë dhe katastrofën kombëtare, atëherë duhet të ketë një reagim adeguat.
Nëse e pranon realitetin që ka ndodhur për 50 vjet diktaturë, atëherë duhet të gjejë kurajo për të reaguar në mënyrë civile dhe të përgjegjëshme, çka e kërkon domosdoshmërisht formati i një shteti demokratik.
Nëse nuk e pranon, dihet përgjigja!
Arkivi i Voal.ch
EDHE KËTË FUNDNËNTOR POLITIKA NË SHQIPËRI KONSUMOI FOLKLOR
NGA ELIDA BUÇPAPAJ
E Premte, 12.03.2010, 08:42am (GMT+1)

Edhe ky fundnëntor në Shqipëri rrezatoi vulgaritet dhe folklorizëm, larg nga ajo që pritej, pasi 28 Nëntori njihet si Dita Kombëtare e shqiptarëve e këtë vit përkonte edhe me liberalizimin e lëvizjes së lirë në hapësirën Shengen, pas një izolimi total 50 vjeçar dhe një izolimi të pjesshëm gjatë dy dekadave të tranzicionit.
Dita Kombëtare apo Dita e Flamurit në botën e civilizuar festohet madhërisht e me dinjtet si shprehje e identitetit dhe unitetit kombëtar, ku fshihen të gjitha dallimet partiake apo problemet që ka politika e përditëshme.
Festa Kombëtare e Amerikanëve është 4 Korriku, që përkon me 4 Korrikun e vitit 1776 kur u shpall Deklarata e Pavarësisë dhe pavarësia nga Britania e Madhe.
Festa Kombëtare e francezëve është më 14 Korrik, që njihet si Dita e Bastijës, e përkon me 14 Korrikun e 1790, ditën e rrëzimit të burgut të Bastijes dhe të pajtimit kombëtar.
Festa Kombëtare e gjermanëve është 3 Tetori, që përkon me 3 Tetorin e vitit 1990 kur, pas rrëzimit të Murit të Berlinit dhe rënies së Perdes së Hekurt, u bë bashkimi i Gjermanisë.
Pra festa kombëtare nuk njeh barriera dhe i përfshin të gjithë qytetarët e secilit vend të kremtojnë ditën më të rëndësishme të kombit të tyre, e cila përkon me shpalljen e shtetit dhe me identitetin e tyre.
Nuk ka rëndësi nëse je Demokrat, Republikan, Socialist apo Neogolist pasi Festë Kombëtare do të thotë festë e kombit, e cila është gjithëpërfshirëse. Të gjitha partitë janë të vogla përpara kombit.
Në Shqipëri në vend që të shihnim një reflektim adekuat të kremtimit të përbashkët të Ditës të Flamurit, pamë një reflektim monoton dhe surreal të dasive partiake, që e dobësojnë dhe e mbajnë të çarë e të përçarë kombin, në opozitar dhe të pozitës.
Të dy krahët e politikës festuan të ndarë dhe në ditë të ndryshme. E djathta kremtoi më 28 Nëntor Ditën e Kombëtare dhe të çlirimit të Shqipërisë, ndërsa e majta edhe një herë konfondoi çlirimin e vendit nga okupatori fashist me ditën që diktatori Hoxha e shpalli për servilizëm ndaj Serbisë.
Edhe sikur Shqipëria të ishte çliruar vërtetë më 29 Nëntor 1944 nga pushtuesi nazist, fakti që në këtë datë në Shqipëri u instalua një diktaturë mizore, do të mjaftonte që e majta e Shqipërisë t’i bashkangjitej të djathtës për ta festuar Ditën e Flamurit dhe të çlirimit në një ditë ose të kërkonte që dita e çlirimit të festohej në një ditë tjetër të Nëntorit mjafton që kjo ditë të mos ishte 29 nëntori.
Të dyja palët shkuan të ndarë tek varrezat e Nënës Shqipëri, një monumet i ideuar sipas shijeve të diktatorit stalinist, kur mijëra figura të elitës shqitare të vrara nga regjimi totalitarist ose nuk kanë varre fare pasi eshtrat e tyre ua zhduku regjimi komunist ose prehen në varre të thjeshta dhe askush nuk kujtohet për ta.
Shqipëria pluraliste vazhdon t’i kujtojë një pjesë të të rënëve, ata të cilët regjimi diktatorial i kishte shfarosur si tradhtarë të kombit, në një mënyrë surrealiste, pa kujtesë dhe me amnezi totale.
Edhe njëzet vjet pas rrëzimit të diktaturës, Shqipëria nuk ka ende Varrezat Kombëtare, siç i kanë përshembull amerikanët Arlington National Cemetery, ku të prehen të gjithë te rënët bashkë me emrat që kanë bërë histori; apo siç kanë francezët në Paris Per-Lashezë (Per-Lachaise), Montmartre (Montmartre) apo Montparnas (Montparnasse ), të cilët bashkë me Harkun e Trumfit, Kullën Ejfel e monumentet më të njohura, janë vendet më të vizituara në botë si nga francezët ashtu edhe nga turistët, pasi aty prehen përjetësisht kokat më të famshme të Francës e më gjerë, emra që të rrënqethin si Guillaume Apollinaire, Honoré de Balzac, Frédéric Chopin, Paul Eluard, Charles Baudelaire, Simone de Beauvoir, Samuel Beckett, Heinrich Heine e tjerë e tjerë.
Njëzet vjet pas rrëzimit të diktaturës, në Ditën e Flamurit i kemi hyjtë por nuk kemi Panteonin shqiptar ku të vendosim lule e të blatojmë nderime, siç bën për shembull Franca çdo 14 Korrik për të kujtuar me ndere burrat që e bënë Francën të jetë kjo që është, duke filluar prej Volterit, Maratit, Rusoit, Hygosë, Zolasë e me rradhë.
Në ditën e 28 Nëntorit, do të duhej të vizitonim në Tiranë Muzeumin e diktaturës komuniste, që nuk e kemi, ashtu siç e kanë gjermanët, polakët apo çekët që kanë për shembull “Muzeun e Komunizmit”, i cili është i fokusuar në periudhën totalitariste, ku një vend të veçantë zë jeta e përditëshme, mjetet e propagandës, krimet e policisë sekrete, që në Shqipëri njihej me emrin e Sigurimit të Shtetit e me rradhë. Periudha totalitariste në Shqipëri ishte tragjedi për kombin shqiptar, çka anashkalohet qëllimshëm nga politika.
Pra, mjerisht edhe ky 28 Nëntor në Shqipëri shkoi kotnasikoti, ashtu siç nuk do ta meritonte as ai, dhe as kombi shqiptar, i cili nga ana e tij e festoi mrekullisht pa çarë krye nga indiferenca e Tiranës, duke filluar nga Prishtina, Shkupi, Presheva dhe metropolet e diasporës shqiptare.
(Ky opinion u botua edhe tek Bota Sot më 1 dhjetor 2010)