Atëherë kur mendon se gjithshka po shkon në rregull dhe thua se; njoftimet janë bërë, qendra e zërit punon, njerëzit janë mbledhur dhe çdo pjesëmarrës është gati të ndjekë ceremoninë e Nderimit të Ditës së Flamurit të Shqipërisë në 113 vjetorin e Pavarësisë,… pikërisht atëhere moti në Uster përkeqësohet me stuhi ere dhe rreshje dëbore, por të pranishmit vazhdojnë për çka janë mbledhur, pa u tërhequr dhe nisin me himnet kombëtare të SHBA-ve dhe Shqipërisë.
Grupi i të Rinjve të Kishës Orthodokse Shqiptare Fjetja e “Shën Marisë”, zbulojnë me fjalimet e tyre në pak histori edhe qëllimin se përse ata janë mbledhur në sheshin para bashkisë së qytetit të duke treguar se janë pjesë e qytetarëve të tij dhe ruajtës e mbrojtës të traditave e vlerave të kulturës dhe familjeve shqiptare që janë thurur për më shumë se një shekull në jetën e shoqërisë amerikane.
Ashtu sikurse edhe një thënie e njohur për motin e bregut Veri Lindor të kontinentit të Amerikës së Veriut shpreh se “Nëse nuk ju pëlqen moti në New England, prisni një minutë”… kjo pikërisht sikur u plotësua në pasditen e 28 Nëntorit, 2025 kur një grup jo i vogël bashkatdhetarësh shqiptaro-amerikanë u mblodhën për të Nderuar Ditën e Flamurit, 113 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Anthony Zdruli dhe Nick Prifti drejtuan mbarëvajtjen e këtij tubimi, duke u mbështetur nga të tjerë bashkëmoshatarë djem të rinj dhe vajza të reja, nga Grupi Valletona, nxënës shkollash, studentë kolegjesh të njohur apo që edhe sapo kanë dalë në jetë, si Ina Zhidro, Giulia Kosta, Ana Kodra të cilët ishin pjesë e fjalës poetike, e këngës dhe e valleve në këtë festë.
Kryetari i Bashkisë së Usterit Joseph M. Petty, drejtoi në fjalën e tij përshëndetjen për pjesëmarrësit, organizatorët, ish kryetaren Konstantina Lukes, këshilltaren Etel Haxhiaj, këshilltaren për arsimin Kathleen Roy dhe prefektin Niko Vangjeli dhe u ndal në dokumentin që zyra e tij njofton për Shpalljen e 28 Nëntorit, 2025 si Ditë e Pavarësisë së Shqipërisë në qytetin e Userit duke inkurajuar banorët t’i bashkohen kësaj feste. Shqiptarët shpëtuan nga pushtimi 500 vjeçar otoman, Ismail Qemali ngriti Flamurin Në Vlorë dhe se “Dita e Flamurit” që nderohet çdo vit në Uster shpreh mirënjohjen se Usteri është shtëpia popullsisë shqiptaro-amerikan që ka shpërthyer me gjallërinë e saj dhe jep në shumë drejtime të jetës së qytetit, duke arritur sukses në fusha të ndryshme të përpjekjeve profesionale dhe interesit kulturor.
Vallja e Osman Takës, u hodh thuajse në kulmin e stuhisë, por të ftuarit ndoshta të mësuar me “tekat e motit”, shoqëruan valltarët, poezitë e recituara, muzikën dhe këngët e kënduara që përbënin në pjesë të rëndësishme të programit. Në mbyllje teksa pjesëmarrësit largoheshin duke marrë me vete mbresa dhe shpërndarë në rrjetet sociale atmosferën e festës, Anthony Zdruli si bashkë- organizator i veprimtarisë shpjegoi thjeshtë përvojën e një feste edhe ku stuhia e erës bie përpara një nisme të mirë që bëjnë njerëzit kur thotë:-“… kjo nuk na ndaloi. Ne prapë e festuam kjo është e rëndësishme dhe ju e dini që kjo ditë është Dita e Pavarësisë, që ka qënë e rëndësishme shumë vite më parë, mbi 100 vjet më parë. Dhe ndoshta i njëjti mot edhe atëherë. Kështu ne e dimë se çfarë të festojmë. Ndaj vazhdojmë dhe ja dalim me motin se dimë se si shkon” dhe në pak fjalë urimi i tij në gjuhën shqipe vjen i thjeshtë:-“Gëzuar ditën e Flamurit dhe Rrofsh Shqipëri”. Një urim të cilin të rinjtë e Usterit në Masaçusets e ndajmë me gjithë shqiptarët dhe arbëreshët kudo që ata ndodhen.





28 Nëntor, 2025
Uster, Masaçusets