Qëllimi i sulmit ndaj “News 24” ishin denoncimet me prova që po i bëheshin abuzimeve financiare të zv/kryeministres Belinda Balluku dhe vartësit të saj Ceno Klosi.
Kështu u shpreh sot drejtuesi i emisionit “Vetting”, gazetari Ardian Bushi, në studion e emisionit “Studio 24”, ku u fol për mësymjen e paprecedentë të autoriteteve shtetërore, duke goditur median e lirë dhe misionin e saj.
Bushi theksoi se janë ndjerë jo vetëm të intimiduar, por kanë marrë edhe kërcënime të vazhdueshme, por misioni i denoncimit me fakte do të vijonte.

“Jemi ndjerë të intimiduar dhe të kërcënuar, por kemi vijuar punën tonë, në misionin që kemi. Le të shohim emrat që drejtuan Policinë në sulmin ndaj News 24. Ishte Ardi Veliu, ish-drejtuesi i policisë, një emër i lakuar më parë për çështje të ndryshme. Çoi policinë që të bllokonte televizionin dhe median tonë, pa një urdhër gjykate. Ata vazhdojnë të mbajnë peng median tonë, edhe sot e kësaj dite vijojnë kërcënime. Ka pasur kërcënime. Kemi pasur investigime për Ceno Klosin, kishte dosje, kemi gërmuar për implikimin e tij si zv/ministër nën varësinë e Belinda Balluku”, tha Bushi.
Më tej ai shpjegoi detaje rreth investigimeve që po kryheshin në kohën kur televizioni dhe media u sulmua pa një vendim gjykate dhe në mënyrë arbitrare, duke kujtuar se po bëheshin denoncime ehde ndaj zv/kryeministres për miliona euro të marra nga buxheti i shtetit për të fryrë tenderimet.
“Mjafton të shohësh 50 mln eurot në mënyrë abuzive te tuneli i Llogarasë apo Moglicës, e kemi me fakte se Balluku ka hedhur firmën dhe këto para janë dhënë me vendim të Këshillit të Ministrave. Vetëm në raste urgjente jepen këto para shtesë nga buxheti, ashtu është bërë kjo. Janë fakte të lidhjes së ministres Balluku me njerëzit e afërt të saj apo me lidhjet familjare që kanë marrë fonde. Jam skeptik sepse këto hetime duhet të ishin nisur që nga indiciot tona, që nga publikimi i medias tonë. Ishte indicio e mjaftueshme për të nisur hetime. SPAK aktualisht ka kërkuar masë ndaj saj mbi atë çështje. Aktualisht vazhdojnë ta çojnë më gjatë që të vazhdojnë të vjedhin, që masa të mos zbatohet. Qëllimi i sulmit ndaj News 24 ishte pikërisht ndalimi i publikimit të provave që ne kishim mbledhur për abuzimet e Belinda Ballukut dhe njerëzve të saj. Është e pafalshme futja e duarve në buxhetin e qytetarëve shqiptarë. Kemi shumë çështje, mjafton të shohim edhe inceneratorët e ndryshëm, ku vetë zv/kryeministrja ka firmosur”, tha ai.
Në fund Bushi vuri në dukje faktin se shumë media nuk raportojnë për skandalet e zv/kryeministres pikërisht për shkak se kanë marrë tendera apo janë financuar me firmë të saj.
“Shumë pronarë mediash dhe media janë mbështetur nga firma e ministres Balluku që kanë marrë tendera dhe mbështetje financiare, që ne i kemi denoncuar dhe do vazhdojmë t’i denoncojmë”, përfundoi ai.