Kryeministri britanik Keir Starmer prezantoi sot në Dhomën e Komunave progresin e bisedimeve të paqes për Ukrainën, në sfondin e përditësimit mbi planin amerikan që po shqyrtohet nga Kievi dhe Uashingtoni.
Në të njëjtën kohë, ai theksoi se ambiciet e Putinit nuk kufizohen vetëm në Ukrainë.
Keir Starmer tha se drafti fillestar i Shteteve të Bashkuara përfshinte pika “që nuk ishin të pranueshme”, por në të njëjtën kohë “elementë shumë të rëndësishëm, të nevojshëm për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.
Ai theksoi se këto dy fjalë – “e drejtë” dhe “e qëndrueshme” – mbeten qendrore për çdo marrëveshje që mund t’i japë fund luftës.
Duke iu referuar bisedimeve të fundjavës në Gjenevë, Kryeministri britanik theksoi se ishin bërë “hapa të rëndësishëm përpara” dhe se Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kishin bërë përparim në një kuadër të përditësuar paqeje.
“Mund ta siguroj Dhomën se puna për finalizimin e planit vazhdon”, tha ai.
Sipas Starmer, një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme mund të arrihet vetëm në kushte të caktuara:
– “Sovraniteti i Ukrainës duhet të ruhet.”
– “Ukraina duhet të jetë në gjendje të mbrojë veten në të ardhmen.”
– “Çështjet që kanë të bëjnë me Ukrainën dhe të ardhmen e saj duhet të përcaktohen nga vetë Ukraina.”
– “Çështjet që kanë të bëjnë me Evropën dhe NATO-n kërkojnë konsensusin e anëtarëve evropianë dhe të NATO-s.”
Starmer shtoi se kishte “ende një rrugë të gjatë për të bërë dhe një rrugë të vështirë përpara”, por siguroi se qeveria britanike ishte “më e përkushtuar se kurrë” për të arritur paqen.
Duke folur për Rusinë, Kryeministri Britanik theksoi se “ka vetëm një shtet që e dëshiron këtë luftë, vetëm një shtet që nisi këtë pushtim të paligjshëm”. Duke iu referuar humbjeve ruse, ai tha:
“Në total, më shumë se një milion rusë janë vrarë ose plagosur – të gjitha për shkak të ambicieve perverse të një njeriu”.
Ai gjithashtu theksoi se duhet të ushtrohet “çdo presion i mundshëm” mbi Rusinë që të pranojë një plan paqeje.
“Kjo ka të bëjë me Evropën, ashtu siç ka të bëjë me Ukrainën. Ambiciet e Putinit nuk kufizohen vetëm në Ukrainë – dhe vendet fqinje e dinë shumë mirë këtë”, tha ai. gsh