Shemba e rrugës Qukës-Qafë Plloçë dhe dëmtimi i aksit Korçë-Ersekë me shirat e parë të dimrit nxorrën në pah skandalin infrastrukturor të inaguruar me bujë nga Balluku e Rama.
Ditën e sotme inxhinieri Romeo Nazarko ka deklaruar se këto projekte janë jashtë standardeve, pa kolaudime dhe pa cilësi. Sa i takon aksit Qukës-Qafë Plloçë inxhinieri thotë se është i rrezikshëm për udhëtarët ndërsa ka paralajmëruar se mund të ketë rrëshqitje të tjera.
“Qukës-Qafe Pllocë është një rrugë e rrezikshme, mund të ketë rrëshqitje të tjera. Ai segment është i rrezikshëm për udhëtarët”, tha inxhiniri për News 24.
Inxhinieri shpjegon se nëse punimet do ishin bërë me cilësi për atë shumë parash që u harxhua nga buxheti, aksi nuk do ishte shembur. Për këtë shkak segmenti nuk ka kushtet minimale të sigurisë.
Sipas tij i njëjti fenomen ka ndodhur edhe me rrugën tjetër Korçë-Ersekë, teksa theksoi dukurinë se rrugët janë bërë pa kolaudime, pa ekspertë dhe vetëm janë hedhur para në mënyrë abuzive.
“E njëjta gjë edhe me Korcë-Ersekë. Janë bërë rrugë pa projekte, pa ekspertë pa kolaudime”, tha ai mes të tjerash.
Ai shpjegoi dhe anën inxhinierike dhe infrastrukturore, ku rrugët bëhen pa projekte dhe vetëm hidhet asfalte.
“Rrugët duhen bërë me projekte, nëse bëhen në këtë mënyrë ato janë të sigurta dhe të qëndrueshme. Ajo përfundoi siç nisi, vetëm me gjurmë e ca fotografime, hap dhe shtro, hap dhe shtro asfalt. Pa bërë asnjë llogari tjetër, se sa mban ajo tokë, a mban mali dhe a ka siguri. Nëse bëhen me projekte, ato nuk shemben. Duhet të bëhet ligji sipas standardeve të BE-së, ndryshe do vazhdojmë kështu, me drejtorët e ARRSH që shkojnë në burg dhe rrugë që prishen”, shpjegoi Nazarko.
Në fund ai nënvizoi se nuk respektohet ligji për tenderimet.
“Nuk po respektohet ligji për tenderimet ndaj ndodhin këto. Nëse ai ligj respektohet atëherë edhe rrugët do bëhen më mirë edhe njerëzit nuk arrestohen apo largohen”, përfundoi inxhinieri.