Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka publikuar një video të zv.kryeministres Belinda Balluku, e cila është pezulluar nga detyra me vendim të GJKKO, ndërsa e ka cilësuar atë si “hajdutja më e madhe e kombit”.
Berisha ka ironizuar momentet teksa Balluku u bën moral vartësve të saj të përfshirë në afera korruptive dhe i paralajmëron se do të japin llogari një më një, ndërkohë që vetë është marrë e pandehur e SPAK për aferat 210 mln euro, atë të tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe të Tiranës.
“Secili prej jush që ka marrë pjesë në këtë skemë korruptive, i ka hyrë detit në këmbë. I ka marrë në qafë të gjithë taksapaguesit shqiptarë dhe për këtë do të përgjigjeni një për një të gjithë. Do të bëhet një shembull, se çfarë ndodh kur ka grupe të strukturuara. Ky është grup i strukturuar, besoj se e kuptoni. Ky është grup i strukturuar që ka vepruar në bashkërendim të plotë në kurriz të shtetit shqiptar dhe të taksapaguesve shqiptarë”, dëgjohet të thotë Balluku në video, ndërsa Berisha shkruan krahas saj: “Kur hajdutja më e madhe e kombit, pas Edi Ramës jep leksion kundër vjedhjes”. gsh