Gazment Bardhi zbuloi në Log se zv.kryeministrja Belinda Balluku po hetohet edhe për tenderimin e ndërtimit të Parkut Fotovoltaik të Zadejës.
Sipas Gazment Bardhit, i njëjti projekt me të njëjtën fuqi të instaluar kushton shumë më pak kur realizohet për sektorin privat sesa kur porositet nga institucionet shtetërore të drejtuara nga Belinda Balluku.
Ai tha se një kompani private do ta paguante projektin rreth 3 milionë euro, ndërsa shteti ka paguar 8 milionë euro për të njëjtën punë nga e njëjta kompani fituese.
Bardhi argumentoi se diferenca prej 5 milionë eurosh tregon fryrje të kostove dhe abuzim me fondet publike, duke deklaruar se “kur projekti ofrohet për Belindën, zhduken 5 milionë, ndërsa për privatin çmimi mbetet ai real.”
Bardhi: Së dyti ka një procedurë tenderimi të bërë nga zonja për ndërtimin e një parku fotovoltaik në digën e Zadejes ku unë kam marrë apo gjetur të dhëna se për të njëjtin projekt, ku kompania i ka bërë për të njëjtën periudhë Endri Xhafos investitor privat dhe zonjës në fjalë. Për të njëjtën projekt, me të njëjtën fuqi, privatit i ka kërkuar 3 mln euro, zonja e ka marrë këtë shërbim për 8 mln euro.
Të dyja projektet janë të njëjta, nga e njëjta kompani, por kur e ofron për Belindën zhduken 5 milionë. Nga 8 e bën 3, s’dihet ku shkojnë 5. Vetë SPAK kishte hapur një tender për fotovoltaik në tarracë për të marrë energji elektrike që kishte të njëjtin çmim ofertues sa e kishte marrë privati në rastin e parë. E kanë provuar vetë. Kjo ndërtohet me 2 lekë, zonja e ka bërë me 5 lekë.