Mësueses Luljeta Gjini Gërmenji – motrës së kompozitorit Kastriot Gjini, Migjenit të Pentagramit shqiptar
.

Njoh një motër artisti, uragan synimi,
E pakthyeshme si lumi, e hapur si dita,
Dhe në fushë me lule ç’ mure pengimi
I ngrinin liliputët që s’i zinte drita…
.
Ia kam njohur që herët rrënjët fisnike
I ka pasur të thella, të pashkulshme,
Mirësinë në udhëtim ajo pati mike
Me ëmbëlsi të bardhë, ashtu, e pabujshme.
.
Njohim nga legjenda që vëllai për motrën
Kur ka një amanet, del nga dheu e s’pyet,
Se ka një nënë plakë të lodhur, të gjorën
Që pret me mall nëne, e zhuritur pret.
.
S’po rrëfej baladën, ku dridhet fjala e dhënë
Them Besën e Luljetës – shqiponjë Çike për vëllanë,
Jo të Kostandinit që doli nga dheu për Doruntinën
Po çfarë nuk bëka sot motra…dhe në tramundanë.
.
Ç’ është kjo amazonë labe, kjo Miro Tërbaçe
Ç’e bukur qytetare, që zyrave dudume pyet,
Halldupët i mbyllin dyert, kjo “vëd me kopaçe”
Çfarë nuk bëka motra sot për vëllain tek yjet…
.
Dhe nga faqja e Malit në Qafë të Elimit,
Në Horën e Tërbaçit, buzë Lumit të Bardhë,
Me dritën e ngrohtë të Kastriot Gjinit
Në shtatoren derdhur në bronz ka ardhë…
.
Bekim marrka kjo ditë shtatori, kam bindjen
Ngjyrën e artë vjeshta nga flokët e tu ka marrë,
Të bëhet tufë trëndeline për ditëlindjen
Për ty Luli, e palëkundura në guximin qytetar.
.
Vlorë, 3 shtator 2025
