Më 13 nëntor 2025, Departamenti Amerikan i Thesarit (OFAC) publikoi një vendim që tronditi skenën politike dhe ekonomike shqiptare:
Luftar Hysa, disa anëtarë të familjes së tij dhe kompanitë e tyre u shpallën pjesë e “Hysa Organized Crime Group (HOCG)”, një rrjet që bashkëpunon me kartelin Sinaloa për pastrim parash përmes kazinove dhe bizneseve të turizmit në Meksikë dhe Evropë, përfshirë Shqipërinë.
Sanksionet përfshijnë ngrirjen e pasurive, ndalimin e transaksioneve me qytetarë amerikanë dhe bllokimin e qasjes në sistemin financiar ndërkombëtar. Sipas deklaratës së OFAC:
“Hysa Organized Crime Group operon me miratimin e kartelit Sinaloa dhe ka përfituar ekonomikisht nga aktivitetet e tij kriminale.”
Duke u kthyer ne retrospektive kujtojme lajmin nga Dosja.al:
“TIRANË– Luftar Hysa dhe Besnik Lulaj, ortakët e kartelit ‘Sinaloa’ në Shqipëri janë pikërisht personat që në datën 4 tetor të vitit 2020 vizituan zyrën e kryeministrit Edi Rama nën shoqërinë e deputetit gjerman të CDU-CSU, Mark Hauptmann dhe Dorian Duçkës, që në atë kohë ka qenë këshilltar i kryeministrit për investime nga jashtë. Fotot janë publikuar ekskluzivisht nga Dosja.al në atë kohë, në kuadër të vizitës së Hauptmann në Shqipëri…Në atë kohë, Dosja.al u interesua pranë CDU/CSU, nëse vizita e Hauptmann kishte ndonjë mision politik, por një gjë e tillë na u mohua. Dhe lajmi i gazetës meksikane “El Universal” për ortakët e kartelit Sinaloa në vendin tonë, i dha përgjigje pyetjes së ngritur dy vite më parë, duke regjistruar kështu dhe një skandal në zyrën e njeriut që qeveris vendin. Kryeministri tashmë pret ortakët e narkotrafikantit më të madh në botë, Ismael Mayo Zambada, i cili është në ‘luftë’ me djemtë e Joaquín Archivaldo Guzmán Loera, i njohur gjerësisht si El Chapo, për drejtimin e kartelit.”
Në intervistën e dhënë për median italiane Rai3 në emisionin Report, Rama deklaron se arsyeja e takimit me anëtarin e kartelit famkeq të Sinaloas në Kryeministri ishte dhënia e një licence kazinoje në Vlorë, të cilën Hysa e ka përfituar më vonë.
Por në një intervistë dhënë nga anëtari i kartelit të Sinaloas, Luftar Hysa për emisionin ‘Opinion’, ky i fundit deklaron se arsyeja e takimit ishte promovimi i një libri për Shqipërinë, shkruar një miku i tij anglez.