E drejta e autorit nuk është luks ligjor, por parakusht për ekzistencën e kulturës kombëtare
1. Kur ligji nuk mbron
Në çdo shoqëri demokratike, e drejta e autorit përbën themelin e marrëdhënies ndërmjet krijuesit dhe publikut. Ajo nuk është vetëm një instrument ekonomik, por një e drejtë morale, që garanton njohjen e autorësisë, integritetin e veprës dhe shpërblimin e drejtë për përdorimin e saj. Në Shqipëri, megjithatë, kjo e drejtë, që në vetvete është shenjë e emancipimit kulturor, është trajtuar më shumë si një formalitet administrativ sesa si një garanci themelore e lirisë krijuese.
Shqipëria zhvilloi bazat e mbrojtjes së të drejtës së autorit qysh nga koha e Monarkisë së Mbretit Zog, ndërsa gjatë periudhës së socializmit ekzistonte një kuadër ligjor i dobët në këtë fushë. Pas viteve 1990, me kalimin nga sistemi komunist në ekonominë e tregut, Shqipëria nisi përpjekjet për të ngritur një kornizë ligjore që njihte pronësinë intelektuale bazuar ne standardet nderkombetare. Ligji i parë për të drejtën e autorit, nr. 7564, datë 19.05.1992, u hartua nën ndikimin e legjislacionit europain me bazë tek Konventës së Bernës për Mbrojtjen e Veprave Letrare dhe Artistike (1886) dhe evoluimin e ketij koncepti në vijim, dhe përbënte një hap të rëndësishëm drejt njohjes së së drejtës së krijuesit. Megjithatë, ligji i vitit 1992 mbeti fragmentar, pa mekanizma zbatimi dhe pa infrastrukturën institucionale që kërkon ky sistem.
Në periudhën 2005–2016, Shqipëria ndërmori një proces përafrimi të legjislacionit me acquis communautaire të Bashkimit Europian, duke miratuar një sërë ndryshimesh që kulmuan me Ligjin nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura”. Ky ligj u cilësua në atë kohë si më i avancuari në rajon, por në praktikë, rezultatet e tij kanë qenë zhgënjyese. Sot, siç dëshmon edhe emisioni investigativ “Vetting” i News24 dhe raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, administrimi kolektiv i të drejtave të autorit është kthyer në një sistem jo-transparent, me prirje monopolizuese dhe me mungesë të thellë të llogaridhënies.
2. Korniza ligjore dhe institucionale, nga parimi në zbatim
Ligji nr. 35/2016 parashikon një ndarje të qartë midis të drejtave të autorit dhe të drejtave të lidhura (të interpretuesve, producentëve, transmetuesve etj.), duke përcaktuar një mekanizëm të veçantë, administrimin kolektiv, për mbledhjen dhe shpërndarjen e të ardhurave që rrjedhin nga përdorimi publik i veprave.
Sipas nenit 133 të ligjit, një Agjenci e Administrimit Kolektiv (AAK) licencohet nga Ministria e Kulturës për të përfaqësuar interesat e një grupi autorësh dhe për të mbledhur në mënyrë të organizuar tarifat nga përdoruesit (radio, televizione, lokale, platforma streaming etj.). Po ky ligj, në nenin 135, përcakton kriteret për licencim, duke përfshirë domosdoshmërinë e bashkëpunimit me agjencitë simotra ndërkombëtare, një element që në praktikë ka prodhuar pengesa serioze për konkurrencën dhe hyrjen në treg të aktorëve të rinj.
Krahas agjencive, në vitin 2016 u ngrit Sporteli Unik për të Drejtat e Autorit (SUADA), si mekanizëm koordinues ndërmjet përdoruesve dhe AAK-ve. SUADA kishte për mision të siguronte unifikimin e pagesave dhe transparencën në mbledhjen e fondeve. Megjithatë, sipas raporteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ky institucion nuk ka arritur të krijojë rrjetin rajonal të planifikuar dhe vuan nga mungesa kronike e fondeve dhe e mbështetjes teknike. Si rrjedhojë, mbikëqyrja e tregut të përdorimit të veprave është pothuajse e pamundur.
3. Problemi i administrimit kolektiv, nga transparenca te deformimi
Në teori, administrimi kolektiv është një nga mekanizmat më të drejtë të ekonomisë së krijimtarisë. Ai synon të garantojë që çdo autor, pavarësisht madhësisë së tregut apo njohjes publike, të përfitojë shpërblimin e merituar për përdorimin e veprave të tij. Por në Shqipëri, ky mekanizëm është kthyer në një “zonë gri” ku mungon transparenca financiare dhe kontrolli institucional.
Raporti i KLSH për vitin 2024, që shqyrtoi veprimtarinë e “Albautorit”, agjencia më e madhe e administrimit kolektiv në vend, evidenton disa shkelje të rënda:
• Shpenzimet administrative tejkalojnë kufirin ligjor prej 30%, duke arritur në 37% të totalit të shpërblimeve;
• Një pjesë e fondeve të mbledhura nuk janë shpërndarë dhe nuk janë depozituar në Fondin Special të Ministrisë së Kulturës, siç kërkon neni 151 i ligjit;
• Shpërndarjet ndaj autorëve bëhen me vonesë, shpesh pas përfundimit të vitit financiar;
• Bilancet dhe raportet nuk publikohen sipas kërkesave të transparencës së nenit 147.
Këto të dhëna përbëjnë jo vetëm shkelje administrative, por edhe cenim të drejtëpërdrejtë të të drejtës ekonomike të autorit, e cila është e garantuar nga neni 57 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe nga Traktati i Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO) për të Drejtën e Autorit (1996).
4. Monopolizimi i tregut dhe pengesat për konkurrencë të ndershme
Një nga problemet më serioze që ka prodhuar ligji aktual është monopolizimi faktik i tregut të administrimit kolektiv. Sipas nenit 135, pika 1, për të marrë licencë një organizatë duhet të ketë marrëveshje ndërkombëtare për përfaqësim reciprok me agjencitë simotra. Në një treg të vogël si Shqipëria, ky kriter është bërë pengesë strukturore për hyrjen e subjekteve të reja, pasi bashkëpunimet ndërkombëtare zakonisht lidhen vetëm me agjencitë ekzistuese.
Ky konfigurim ka prodhuar një situatë të ngurtë: Albautor kontrollon pjesën më të madhe të tregut të veprave muzikore dhe letrare, ndërsa AKDIE, FMAA dhe FABER mbulojnë segmente të tjera, por pa burime reale financiare dhe pa aftësi për monitorim të tregut. Kjo mospërputhje ndërmjet përgjegjësive ligjore dhe kapaciteteve faktike e ka zhvendosur thelbin e sistemit nga konkurrenca drejt një monopoli institucional që shpesh operon pa mbikëqyrje reale.
5. Mungesa e transparencës dhe mosllogaridhënia publike
Sipas nenit 148 të ligjit 35/2016, çdo agjenci administrimi kolektiv është e detyruar të publikojë çdo vit në faqen zyrtare raportin e veprimtarisë financiare, metodologjinë e shpërndarjes dhe listën e autorëve përfitues. Megjithatë, këto detyrime zbatohen pjesërisht ose aspak. Rastet e refuzimit për të dhënë informacion publik, si ai i Drejtorit të Albautorit ndaj kërkesës së News24, përbëjnë jo vetëm shkelje ligjore, por edhe tregues të një mentaliteti mbylljeje dhe mungese llogaridhënieje, që bie ndesh me parimet e administrimit të mirë.
Për më tepër, këto struktura shpesh e përdorin termin “konfidencialitet” për të fshehur të dhëna që në fakt janë publike për nga natyra e tyre, si përqindja e shpërndarjeve, totali i të ardhurave, apo përfituesit sipas kategorive. Kjo situatë krijon jo vetëm pasiguri për autorët, por edhe dyshime për keqpërdorim të fondeve që në fakt u përkasin krijuesve.
6. Përdorimi i paautorizuar dhe shkelja e të drejtave morale
Një tjetër dimension i problemit lidhet me cenimin e të drejtave morale të autorëve, të drejtën për autorësi, integritet dhe mbrojtjen nga përdorimi i shtrembëruar i veprës. Shembujt e sjellë nga artistë si Zef Çoba, me këngën “Xhamadani vija-vija”, apo Naim Gjoshi me “Mora fjalë”, tregojnë se veprat përdoren në mënyrë të përsëritur në publik pa leje, shpesh për qëllime komerciale, pa asnjë shpërblim real për autorin. Në këto raste, ligji parashikon ndëshkime civile dhe penale, por mekanizmat e zbatimit janë praktikisht joekzistentë.
Në mungesë të një gjykate të specializuar për pronësinë intelektuale, çështjet e tilla zvarriten për vite të tëra në gjykatat e zakonshme, ndërsa autorët, të pambrojtur financiarisht, heqin dorë nga ndjekja ligjore. Kështu, ligji ekziston vetëm në letër, ndërsa në praktikë mbizotëron një kulturë e mosrespektimit të pronës intelektuale.
7. Roli i shtetit, nga mosveprimi te përgjegjësia institucionale
Përgjegjësia për këtë situatë nuk mund të bjerë vetëm mbi agjencitë kolektive. Ministria e Kulturës, si organ mbikëqyrës, ka detyrimin ligjor të verifikojë zbatimin e kushteve të licencës dhe të vendosë sanksione për shkeljet e përsëritura. Megjithatë, në dymbëdhjetë vitet e fundit nuk është regjistruar asnjë rast i tërheqjes së licencës, asnjë gjobë serioze dhe asnjë raport i plotë publik mbi auditimet vjetore.
Gjithashtu, Këshilli Kombëtar për të Drejtën e Autorit, i cili duhet të luajë rolin e një arbitri ndërmjet autorëve, përdoruesve dhe agjencive, ka mbetur një strukturë formale, pa kompetenca ekzekutive dhe pa ndikim real në treg. Që prej vitit 2017, nuk është miratuar asnjë marrëveshje e re gjithëpërfshirëse tarifore, duke e lënë procesin e shpërblimeve në një vakuum normativ që dëmton si autorët, ashtu edhe përdoruesit.
8. Perspektiva e përafrimit europian dhe sfidat e reja
Në kontekstin e integrimit europian, Shqipëria ka bërë hapa të pjesshëm në përafrimin e ligjit me direktivën 2014/26/BE për menaxhimin kolektiv të të drejtave të autorit dhe licencimin shumëterritorial të të drejtave muzikore në internet. Por mungon ende zbatimi praktik i standardeve të kësaj direktive, veçanërisht në aspektet e transparencës, qeverisjes së mirë dhe mbrojtjes së anëtarëve të organizatave kolektive.
Po kështu, Shqipëria nuk ka nënshkruar ende Traktatin e Marakeshit (2013), që garanton akses në vepra për personat me aftësi të kufizuara në të parit, dhe as Traktatin e Pekinit (2012), që lidhet me të drejtat e interpretuesve të veprave audiovizuale. Këto mungesa tregojnë se vendi ynë nuk e ka bërë ende pronë të vetën kulturën e mbrojtjes së autorit si pjesë të politikës publike për kulturën dhe dijen.
9. Nevoja për reformë të thellë: drejt një modeli të qëndrueshëm
Nëse duam që sistemi i së drejtës së autorit të funksionojë në mënyrë të drejtë dhe efikase, duhen ndërmarrë disa hapa urgjentë:
1. Rishikimi i ligjit nr. 35/2016, me qëllim heqjen e pengesave për konkurrencë dhe përmirësimin e mekanizmave të transparencës financiare;
2. Krijimi i një regjistri publik elektronik ku çdo agjenci publikon të dhënat financiare dhe shpërndarjet;
3. Forcimi i rolit të Këshillit Kombëtar dhe përfshirja e përfaqësuesve të pavarur të autorëve në proceset vendimmarrëse;
4. Ndërtimi i një sistemi të monitorimit dixhital të përdorimit të veprave (përmes watermarking, tracking audio, etj.);
5. Zbatimi i një politike të re kulturore që e sheh autorin si aktor ekonomik dhe moral të shoqërisë, jo si përfitues rastësor të subvencioneve.
10. Përfundim:
Dinjiteti i autorit si themel i kulturës kombëtare
E drejta e autorit nuk është luks ligjor, por parakusht për ekzistencën e kulturës kombëtare. Një shoqëri që nuk mbron krijuesin e saj, në fakt, mohon vetveten. Për shumë vite, kjo temë ka qenë jashtë vëmendjes publike, e reduktuar në një debat teknik për tarifa dhe licenca. Por në thelb, çështja është morale: a e vlerëson Shqipëria krijimtarinë si pronë të vetën?
Rastet e Naim Gjoshit, Zef Çobës apo qindra autorëve të tjerë që marrin shpërblime simbolike për vepra që i këndohen çdo ditë publikut, janë dëshmi e një deformimi të thellë institucional. Është koha që autoritetet, shoqatat e krijuesve dhe vetë shoqëria civile të kërkojnë një “vetting” të sistemit të së drejtës së autorit, jo për hakmarrje, por për drejtësi.
Sepse vetëm kur djersa e artistit mbrohet nga ligji, kultura bëhet pasuri e përbashkët dhe jo mall që avullon në duart e burokracisë.
Referenca:
1. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Neni 57, e drejta për pronësi intelektuale.
2. Ligji nr. 7564, datë 19.05.1992 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura”.
3. Konventa e Bernës për Mbrojtjen e Veprave Letrare dhe Artistike, 1886, WIPO.
4. Ligji nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura”, Republikë e Shqipërisë.
5. Directive 2014/26/EU of the European Parliament and of the Council of 26 February 2014 on collective management of copyright and related rights and multi-territorial licensing of rights in musical works for online use in the internal market, OJ L 84, 20.3.2014.
6. Kontrolli i Lartë i Shtetit, Raporti mbi Administrimin Kolektiv të të Drejtave të Autorit, 2024.
7. KLSH, ibid., shqyrtim i monopolizimit të tregut.
8. Raporte dhe intervista me autorë të muzikës dhe letërsisë shqiptare, News24 dhe Top Channel, 2022–2024.
9. Marrëveshja Ndërkombëtare e Marakeshit për Lehtësimin e Qasjes në Vepra për Personat me Aftësi të Kufizuara, 2013.
10. Traktati i Pekinit mbi të Drejtat e Interpretuesve dhe Producentëve të Veprave Audiovizuale, 2012.
—
*Ish-drejtor i Zyrës për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Lidhura (2012–2014)