E ftuar në studion e News24, Llabani tha se hetimet ndaj Ballukut janë shumë më të gjera nga sa është bërë publik deri tani, duke përfshirë 7 deri në 8 procedime penale që lidhen me shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash.
“Sot që flasim, ndaj Ballukut SPAK ka 7-8 procedime penale dhe kemi të bëjmë me disa dosje për gjëra të ndryshme që lidhen jo vetëm me shpërdorimin e detyrës, por edhe me pastrim parash dhe korrupsion. Dokumentet që kemi parë deri tani janë vetëm maja e ajsbergut,” – u shpreh ajo.
Sipas Llabanit, Partia Demokratike, përmes deputetit Gazment Bardhi, ka dorëzuar në SPAK dosjen që çoi në marrjen të pandehur të Ballukut.
“Fakti që PD del sot me dokumente të tjera që vërtetojnë thellimin e këtij skandali, tregon se ajo disponon materiale dhe prova shtesë për rastin,” – shtoi gazetarja.
Një nga pistat më të rënda të hetimit, sipas Llabanit, ka të bëjë me transferimin e mbi 6 milionë eurove në një bankë zvicerane në emër të Ballukut, çështje që tashmë është kthyer në hetim ndërkombëtar.
“Ka një çështje tjetër shumë të rëndësishme që është ndërkombëtarizuar – transferimi i mbi 6 milionë eurove në Zvicër në emër të Ballukut. Për këtë rast janë përfshirë edhe zyrtarë të sistemit doganor,” tha ajo.
Burime të afërta me hetimin kanë konfirmuar se SPAK ka dërguar letërporosi ndërkombëtare dhe pritet përgjigje nga Zvicra dhe Meksika, ku dyshohet se janë bërë transferta të tjera me shuma të mëdha parash.
Në vijim të deklaratave të saj, Llabani përmendi emrin e Klodian Çamit, zyrtar në Drejtorinë e Doganave, i cili sipas saj ka pasur komunikime direkte me kryeministrin Edi Rama dhe ka luajtur rol kyç në menaxhimin e fondeve.
“Klodian Çami është konsideruar si ‘kutia e Pandorës’, sepse ka funksionuar si një bankë e vogël që garantonte transfertat e parave të bëra në emër të shtetit,” – deklaroi ajo, duke shtuar se gjatë periudhës para zgjedhjeve janë kryer pagesa për zyra të ndryshme në Athinë.
Sipas Llabanit, rasti i Ballukut nuk mund të konsiderohet si një aferë e izoluar, por si pjesë e një rrjeti institucional që ka përdorur strukturat shtetërore për përfitime financiare.
“Kur sistemi doganor përfshihet në transferta të tilla, nuk kemi më të bëjmë me individë, por me përfshirje të institucioneve shtetërore,” – përfundoi gazetarja.