VOAL- Kandidati i pavarur për kryetar bashkie të Beratit, Pavlo Shkarpa, gjatë fushatës zgjedhore vazhdon të prekë plagët e rënda të shkaktuara dhe të rënduara nga qeverisja e gjatë, 26 vjeçare. Duke u ndalur në fshatin Lapardha, z. Shkarpa dencon gjendjen alarmante të shkollës, çka kërkon ndryshim të menjëhershëm dhe rrënjësor:
Të dashur bashkëqytetarë beratas dhe ju banorë të Lapardhasë,
Dua të sjell në vëmendjen tuaj gjendjen e shkollës së Lapardhasë, e cila, që prej muajit qershor 2025, është jashtë funksioni. Si pasojë, nxënësit janë të detyruar të zhvillojnë mësimet në shkollën e Otllakut.
Kjo shkollë është ndërtuar rreth 40 vite më parë dhe, siç mund të shihet qartë, problemet e saj nisin që nga themeli. Kohët e fundit, Bashkia ka nisur të hapë themelet ekzistuese me synimin për ta rikonstruktuar godinën. Por si inxhinier, më duhet të theksoj se kjo nuk është zgjidhja e duhur.
Nëse do të kem mundësinë të jem Kryetar Bashkie, angazhohem që shkolla e Lapardhasë të ndërtohet nga e para, sipas të gjithë parametrave teknikë dhe standardeve bashkëkohore, një shkollë moderne, e sigurt dhe dinjitoze për fëmijët tanë.
Nga ana profesionale, i bëj thirrje Bashkisë së Beratit të ndalojë menjëherë punimet aktuale, pasi themelet ekzistuese janë të pasigurta dhe “jastëku” (baza nën themel) nuk garanton stabilitetin e nevojshëm. Kemi të bëjmë me një çedim vertikal serioz, dhe sipas informacioneve nga banorët e zonës, edhe një inxhinier i firmës përgjegjëse ka refuzuar të marrë përsipër rikonstruksionin.
Prandaj, kërkoj me përgjegjësi që të ndërpriten punimet dhe të nisë ndërtimi i një objekti të ri, që do t’i shërbejë komunitetit për shumë vite në mënyrë të sigurt, funksionale dhe të qëndrueshme.
Nëse më besoni drejtimin e Bashkisë së Beratit, ky projekt do të jetë ndër prioritetet e para.

Voto numrin 2!
