Presidenti i Sirisë, Ahmad al Shara, do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara gjatë muajit nëntor, ka deklaruar i dërguari amerikan Tom Barak. Ai shpreson që udhëheqësi sirian t’i bashkohet koalicionit ndërkombëtar kundër organizatës terroriste “Shteti Islamik”.
Në një konferencë në Bahrein, i pyetur nga gazetarët nëse presidenti sirian do të vizitojë Uashingtonin, Barak konfirmoi se “po” dhe shtoi se pret që al Shara të bëhet pjesë e aleancës kundër ISIS-it.
Kjo do të jetë vizita e parë e al Sharas në kryeqytetin amerikan dhe e dyta në SHBA, pas pjesëmarrjes në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, në shtator. Ish-udhëheqësi i grupit “Hayat Tahrir al Sham” (HTS), dikur i njohur si “Fronti al Nusra” dhe degë e Al Kaedës në Siri, u hoq nga lista e organizatave terroriste në korrik të këtij viti.
Ahmad al Shara mori pushtetin në dhjetor 2024, pas rrëzimit të Bashar al Asadit. Ai u takua për herë të parë me Donald Trump në maj, në Riad, ku presidenti amerikan u zotua të heqë sanksionet e ashpra ndaj Damaskut.
Aktualisht, Siria nuk është pjesë e koalicionit të udhëhequr nga SHBA, i krijuar në vitin 2014 për të luftuar ISIS-in, organizatë që në kulmin e saj (2014–2017) kontrollonte rreth një të tretën e territorit të Sirisë dhe Irakut. gsh