Ky takim i komunitetit të tiranasve dhe ky objekt debati socio-linguistik dhe qytetaro-urban është një rast i mirë për të vlerësuar një traditë kulturore ekzistente dhe rezistente ndaj ndryshimeve urbane dhe presioneve rrafshuese të globalizmit, që tashmë është me ndikim të dyanshëm. Së pari si ideologji me ndikim social planetar dhe efekt lokal, si problem me interference kulturore dhe ndikim në format e komunikimit, reflektimeve adekuate në stilin dhe mënyrën e të jetuarit në këtë kohë postmoderne. Në këtë kontekst, diskutimin për rolin dhe efektet kulturore e sociale të dialektit, e zhvillojmë në kushte të reja, kur Tirana nuk është më ai qyteti me “përbërje unike”, demokrafikisht puritan dhe urbanisht i izoluar. Tirana është qytet modern metropolitan i hiperurbanizuar, qytet i hapur pa kufij të ngurtë, qoftë edhe dialektor.
Përkundrazi, Tirana është qyteti më i hapur, me diversitet intensiv gjuhësor e kulturor. Këtu janë përzier qytetarët autoktonë me qytetarët e ardhur. Kjo është arsyeja që Tirana është jo vetëm një ambient urban e social i hapur, por njëherësh ai shfaqet si një “laborator” i bashkëjetesës së dialekteve të ndryshme, duke garantuar harmoni organike dhe pa sforcim të tyre. Ky diversitet dialektesh brenda qytetit, nuk e ka cenuar identitetin e atyre që kanë ardhur në Tiranë. Sepse paradigma identitare e dialektit është një komponent sintetik kulturor dhe komunikues, që nuk e cenon karakterin e gjuhës dhe tipologjinë e kulturës sonë të përbashkët. Nuk them se dialekti është pjesa thelbësore e personalitetit të tiranasve, por sidoqoftë ai është komponent me vlerë, për dallimin dhe identitetin e vetes së tyre.
Sepse dialekti në instancë të fundit, është pjesë e individualitetit dhe për këtë arsye ai duhet nderuar. Është fat dhe meritë e tyre që tiranasit e kanë ndjesinë e përbashkët, se për ta dialekti nuk është krejt formal, por është edhe thelbësor. Dialekti për tiranasit nuk është si “gomat e makinës”, që i ndërrojmë herë pas here. Kjo është arsyeja pse dialekti i tiranasve është kompatibël me natyrën e butë, tolerante, empatike e komunikative, që janë tipare esenciale antropologjike dhe psikologjike për tiranasit autoktonë. Ai është një mjet simbolizues, aspak formal, por kulturalisht identifikues. Dialekti, mënyra e artikulimit të fjalës me tonalitet dhe kolorit të veçantë, ka qenë dhe mbetet një mjet me rëndësi, që ka siguruar edhe solidaritetin e tyre urban. Le të bëjmë një marrëveshje të fjalës. Sipas mendimit tim, dialekti nuk është “lustër e jashtme”, ornament urban.
Po të ishte kështu, po qe se dialektet do ishin thjesht “dukje të jashtme” apo gjë e përciptë, ato, përfshirë edhe atë tiranas do të ishin fashitur. Sidomos në kohën e sotme, kur fjala vjen, Tirana është bombarduar nga një dyndje heterourbane e rurale, që tani e kanë kthyer atë në një “konglomerat dialektesh”. Dialekti i tiranasve është natyral, organik dhe asnjëherë cinik dhe egoist me trajtat e tjera dialektore të këtij metropoli heterourban, pa shfaqje të megalomanisë apo egoizmit të qytetarit autokton, që diskriminon dialektet e qytetarëve të ardhur në Tiranë. Një qytet gjigant si Tirana e ka të vështirë të ruajë të paprekur dialektin në kushtet e jetës me qytetari të përzier, në të cilin janë të “dënuar” të bashkëjetojnë qytetarët e vjetër të Tiranës dhe qytetarët e rinj. Së bashku me dialektet e tyre, pa diskriminim reciprok. Edhe pse nën efektet e një ridimensionimi që erdhi nga revolucioni urban i pas viteve ‘90, edhe pse qyteti është bërë një “konglomerat demografik” i përzier urban, Tirana ka qenë tolerante dhe asnjëherë nuk është shfaqur patologjia e bashkëjetesës si “duel qytetërimi, identiteti apo dialekti”.
Kjo është meritë historike e pakontestuar e humanizmit dhe solidaritetit të këtij qyteti dhe qytetarëve të saj. Tirana është bërë një metropol i madh dhe “këmisha urbane” e tij është zgjeruar, por kjo nuk është shoqëruar me asnjë nuancë të heterofobisë urbane fizike dhe dialektikore. Kulturalisht Tirana me gjithë identitetet e saj urbane, kulturore, historike por edhe dialektikore, asnjëherë nuk i ka parë të ardhurit, dialektet e tyre me difidencë apo si shenja të prapambetjes së tyre. Kjo heterofobi, mungesa e respektit për të tjerët asnjëherë nuk ka gjetur hapësirë, nuk ka pasur rrënjë ekzistenciale në kulturën e qytetarisë tiranase. Pavarësisht origjinës dhe dialekteve respektivë, në këtë qytet edhe ne të ardhurit jemi ndjerë të barabartë dhe në harmoni urbane reciproke. Sipas mendimit tim, sociologjikisht në raport me gjuhën kombëtare dhe kulturën tonë, dialektet përfshirë edhe atë të tiranasve nuk janë me D të madhe apo shenja superioriteti ndaj njëri-tjetrit. Ne kemi disa dialekte, të cilat në raport me gjuhën standarde dhe të folmen e përbashkët, janë, ekzistojnë, por janë me D të vogël.
Paradigma identitare e dialektit është një komponent sintetik kulturor dhe komunikues. Kjo do të thotë se dialekti i bukur i tiranasve nuk ka “tjetërzuar” ata nga të tjerët, me të cilët jetojnë dhe bashkëjetojnë në harmoni. Në mënyrë sintetike, është e qartë se dialekti, eleganca, muzikaliteti është një “monopol” i dialektit të tyre, që ka shërbyer si instrument social dhe mjet që ka ndihmuar në koherencën kompakte, sociale dhe urbane. Dialekti për tiranasit ka qenë dhe me sa duket edhe mbetet një “kod social” komunikativ i përbashkët. Dialekti tingëllues me muzikalitet i tiranasve nuk ka vetëm vlera në vetvete apo si tregues i një komuniteti shoqërisht kompakt dhe dialektikisht konsistent. Ai është njëri nga treguesit jo krejtësisht formal apo ekzisbicional, që tregon se ky qytet, tashmë kozmopolitan dhe metropolitan nuk është “qytet pa rrënjë”.
Përkundrazi pas dialektit të tyre shfaqen vlerat etike, qytetare, kulturore si shenja të një qytetarie fondamentale, pranuese, afirmuese dhe integruese të tyre. Pas dialektit të tyre qëndron ndërgjegjja humaniste e tiranasve. Në këtë kontekst, ruajta e dialektit nuk është thjesht nostalgji, por instrument me rëndësi, tregues i trashëgimisë që ka mbetur i padëmtuar nga ndimet globaliste të postmodernitetit. Sipas mendimit tim, vlera e madhe e njohur kombëtarisht e tiranasve në sjellje, kulturë, humanizëm, solidaritet e plot vlera të tjera të artikuluara bukur me dialektin e tyre elegant, në mënyrë sintetike janë vlera të qëndrueshme, cilësi unike që tregojnë se tiranasit janë njëherësh qytetarë modestë, por edhe krenarë për atë që kulturalisht është e tyrja. Por nga ana tjetër, në asnjë moment, as sot në këtë takim të bukur, dialektin e tyre nuk e shikojnë thjesht si “çështje pronësie” apo veçanësie!
Gazeta Panorama