1.
Çka quhet “fitore e Rusisë” ?
Kur para tre vitesh rusët invaduan drejt Kyjevit, një diplomat i hershëm kroat, Lonçar, hidhte në qarkullim teorinë konspirative: amerikanët kishin manipuluar shërbimin e fshehtë rus!
Ishin ndërfutur në informacionet ruse dhe dërgonin q’andej lajme të rreme sesi, fjala vjen, ne, populli vëlla i Ukrainës, po ju presim me padurim të vini shpëtimtarë.
Përse?
Të shihnin forcën reale të ushtrisë së Kremlinit, t’a izolonin botërisht Rusinë dhe t’a sfilitnin ekonominë e saj. Por, sidomos, të ndërhynte në historinë e dy fqinjëve një lum gjaku që do t’ i dërgonte ngjyrën e kuqe qiellit të shekujve.
Lufta, tashmë kishte plasur, kur një njeri i thjeshtë, jashtë politikës (mjek i syve), më thoshte në mënyrë popullore: Ukraina nuk mund t’i mbajë viset e Donbasit!
Ndërkaq, dy presidentë amerikanë, Biden në prakluftë dhe, tani Trump, në kulmin e saj, ripohonin më vonë çuditërisht ngjashëm fjalët e të njohurit tim anonim.
Madje, Trump, thuase fliste për një tregtizë vjeshte, do të thoshte kësokohe ftohtë e shpërfillshëm: rusët do të marrin territore, sepse kanë luftuar shumë!
Si? Është luftë e tyre çlirimtare?
Çfarë relikti historie!
Një justifikim i vonë dhe, tani i pagjasë, i ariozofisë së Fyhrerit të madh. Përse, pra, nuk iu njoh dhe atij, tash mbi 80 vjet që këtej, e drejta sovrane mbi tokat e pushtuara me gjak?
E drejta e fuqia kishin përherë një inverzion fatkeq. Veçse mbulohej nga një letërmbështjellëse e bukur. Një stolisje solemne për Orët e festave me epilog tragjik.
Ndërkaq tani, ky rrotullim nga Fuqi e së drejtës – në të Drejtën e fuqisë, ligjërohet hapur e mizorisht.
Çdo vend që ndien epërsinë e çastit, një mëngjes të hershëm, para se të ikin yjët vetmitarë, nis pushtime e anekson territore të fqinjit më të vogël.
Veçanërisht agresivë e sfidantë janë shtete a regjime që gëzojnë aftësinë e shantazhit bërthamor. Shtyjuni pak më tej, thonë, se, bashkë me dalëzotësit tuaj, do t’ju bëjmë hi e pluhur…
Teksa fliste mbi përplasjet në Ballkan, e famshmja Durhamm shkruante figurshëm: kur s’ka vend për të dy, aherë njëri do të largohet.
Po Rusia, vallë, vuan marrjen e frymës nga ngushtësi e hapsirës mbijetuese ku, madje, dhe varret vertikale janë?
S’kanë tokë buke, pyje, minerale, energjentë strategjikë?
Tani jashtë parimeve të arta, unë nuk do deshja humbjen e Ukrainës (aniqë furnizonte me armatime “vëllezërit maqedonës”) sepse, thjeshtë, urrej fitoren e Rusisë.
Si njëj kori të madh politik, europianët, të gjithë: kancelar e presidentë, gjeneralë e historianë që shfletojnë fate luftërash të hershme, thonë disi betueshëm se rusët nuk bën të fitojnë kurrësesi!
Mirë atëherë: çka quhet, në fakt, fitore e Rusisë që mneron Europën?
Këputja e një pjese të
Ukrainës që nuk tronditë fare Amerikën apo rënja e Kyjevit që rrëzon barrikadat drejt Europës sllave?
E besoj përherë vetëm prerjen e Ukrainës. Gjymtyrët e huaja ruse, mbase, do t’i kthehen trupit të vet natyral.
E pastaj, do të gëzoja krejt legjitimisht nëse një Jalltë e dytë, do të vuloste simetrinë e bekuar: Donbasin për njohjen ruse të Kosovës!
Mbase e padrejtë, do thoshin marksistët dhe spiunët. Të parët, me filozofinë e proletarëve të shtypur dhe, të dytët, me gjakun e tyre të prishur…
Porse bota, para e pas tyre, mbeti po ajo, si tash e mijëra vjet.
2.
Fashizmi i pakqortuar
Europa, selia komunitare e saj, mori mundimin të bëj lodhshëm një Rezolutë për Serbinë.
Ishte një dramë e vërtetë miratimi i saj. Klani i rezervuar i krahut popullor rezistonte heroikisht. Dukej të ketë më shumë tension e njëzëshmëri, por sërish e vakët, e shtirur dhe rudimentare.
Fjalët ishin të matura, skofjare, madje njëj sensi ledhatimi nga leksiku i vjetër. Ndonjë kritikë e kovertuar për zyrtarë të pafuqi reale politike, pëpiqej të thosh një qortim të mirëpeshuar.
Po kauzatori i gjithçkaje të keqe e fashiste në Serbi e Ballkan, kryeserbi Vuçiq?
Apo sanksionet kundër tij, kastës dhe vetë shtetit ku sundon?
Asnjë fjalë!
Madje, për ironi, edhe derdhjet e fundit të lekëve nga Brukseli për Ballkanin perëndimor, ndalonin më shumë në Belgrad, si një stacion i fundit trenash të periferisë, ku gjurmët humbin ngadalë në horizont…
3.
“Zëvendëspopujt” dhe një brëngë e fisme…
Por ja, Europa, mbasi ka lënë suksesshëm prapa dertet e mëdha (Lufta, Rusia, Ekonomia, Vrulli djathtist), ka zbuluar një merak tjetër të veçantë: kontraceptivët për meshkuj!
Çfarë brënge e mundimshme!
Trishtimi e, më pas, ideja dhe trysnia dolën të kenë autorësi gjermane.
Ndërsa lexoja për
ofshámën e kësaj dhimbjeje, kujtoja vetishëm kultshkrimtarin frëng Houllebecqe që pohonte: askush si gjermanët nuk e përsosën aq mjeshtërisht kulturën e vetëzhbërjes.
Ishte viti i madh (2015) i miliona refugjatëve sirianë, kur, e tmerruar, Le Pen, sikur desh t’i përgjigjej shkrimtarit të madh, thoshte: gjermanët nëvojisin robër!
Domethënë, nuk ishte punë e vetëshuarjes, por e skllavërisë. S’kishte qenë fuqi koloniale dhe, ndaj, kuronte kompleksin e vet.
Në fakt, janë francezët veteranë të skllavodashjes, por tema është tjetër. Është frika se mos Europa shndërrohet ngadalë në Eurabinë e Oriana Fallacit.
Sepse, pikërisht këta “robër gjermanë” të Le Penit, një ditë me hovin e ardhjes, lindshmërisë dhe vullnetin jetik, mund të ndërrojnë rolet e tyre: nga Robër në Zotërinjë!
Barbarët fitojnë! Kështu titullonte një autor me pseudonim armen shkrimin e tij interesant që i bënte gjëmën Europës.
Në çdo stinë e mot, këlthiste ai, janë mijëra hixhra-emigrantë që behin veshur detyre të shenjtë për shfytyrimin e kontinentit dhe civilizimit të krishterë. Dhe, megjithë humbjet e para periferike, shfaqen prorë kryelartë e fitimtarë.
Po cili qenka çelësi i fshehtë i triumfit së tyre?
Natyra, ligj i saj i përjetshëm, është: jeta, shtimi dhe rritja!
Dhe ata, njëj energjie të fuqishme sociale, rrojnë në harmoni me natyrën: riprodhohen pafundsisht!
E, kështu, si shpërblim hyjnor, pajohen me frytin e saj të shenjtë: jetën njerëzore!
Ndryshe prej tyre, njeriu europjan, gjendet në luftë të zjarrtë guerile me natyrën. Me kodin ekzistencial të saj.
Ekologjia mjedisore, mandej kopshtet e bleruara, ballkonet me lule, parqet përrallore, shtigjet e blirëve me aromë parajse, nuk mjaftojnë për të pasur bekimin e natyrës.
Ajo urdhëron përtëritjen e jetës dhe europianët përherë e më tepër zhgënjejnë atë. Shumë prej tyre, si një endemi murtaje, nuk lumnohen aspak nga sytë e buzëqeshur të fëmijës
Pikërisht aty nis e këputet fijelidhja me Hirësinë e saj, natyrën, që godet pa mëshirë. Dhe dënimi i saj është fatal: degjenerim, venitje, shuarje race…
Një punonjës banke, Tillo Sarazin (i kontestuar), si për t’i ngritur një digë rrokullimës, alarmonte idiotizimin e popullit gjerman nga vërshima e turkoarabëve inferiorë…Kurse, publicisti i shquar Peter Scholl Latour, pak para së të ikte kësobote, publikonte librin kumbonë “Frika e njeriut të bardhë”…
Ngjashëm me rrathët e valëve që përplasen brigjeve, rrëzoma
përshtrihet natyrshëm ndër europianë të Ballkanit ilirik. Kumti i saj ka mbërritur, tashmë, tek portë e tij. Realitetet janë krejt të afërta. Kudo vërehen “zëvendëspopuj” me kanùtë e tyre…
Ndryshon akoma vetëm ritmi dhe pezmi ndaj tyre.
Po ç’e do. E mira ka adresë tjetër. Pulsimi me natyrën do të zgjidhte nyjën pa ulërimë e poshtërime njerëzore. Dashuria është formula e saj ngadhnjimtare përjetë.
Por, sërish, konflikti me natyrën vijon, mjerisht, tej kohës dhe shenjave të saj…
r.