Sa mbarova universitetin më çuan mësues në Velçan të Gorës. Një fshat në këmbë të malit të Lenijes, kufi me Gramshin.
Pa rrugë makine, me drita dy-tre orë, pa televizor, kish veç një telefon me rrotullim doreze që lidhej me Lozhanin, jo më tej.
Lozhani më pas të lidhte me Korçën, Korça me Pogradecin a Tiranën. Në dimër borë e qamet sa qëndronim edhe një muaj bllokuar pa zbritur në Korçë.
Në këtë humbëtirë kishte njerëz të mrekullueshëm dhe një varfëri vrastare. Edhe bukën, edhe vezët, edhe pak djathë e ca fasule i sillnim nga qyteti !!!
Pas mësimit ne mësuesit nuk e shtynim dot ditën. Dhe i vetmi vend ku mund të rrije qe kasollja e rojeve.
Atje ishte telefoni që lidhej me lokalitetin ndaj ata që ruanin magazinën e misrit dhe të lopatave merrnin dhe porositë që çonte me telefon pushteti.
Qe një bythë vend, as 2m x 2m. Por futeshim atje nja dhjetë vetë e lihej dera hapur që të dëgjonin dhe ata jashtë.
Roja i ditës quhej Sani.
Nuk ishte i moshuar, por i pa ushqyer, me vetëm një dhëmb të dalë mbi buzën e ngritur e me qurra që i fshinte me kurrizin e dorës.
Të gjitha këto na detyronin ta thërrisnim xha Sani. E ngaqë ishte “pronar” i kasolles fliste veç ai.
Tregonte gomarllëqe, broçkulla, gënjeshtra, por nuk e kundështonte kush. Se nesër atë xha Saniu nuk e qaste, e linte jashtë në dëborë.
Ndaj shihja që dhe Bert doktori e aprovonte çdo marrëzi të tij. Një ditë na tregoi se në Qafë-Kërrabë, në një tunel, u gjetën gjallë ca ushtarë italianë.
Që nga lufta për 40 vjet ata u ushqyen me biskota e një curril uji që për fat rridhte aty.
U pataksën shumica. Në vend ta merrnin me dru xha Saniun filluan pyetjet se ku laheshin e ku dhisnin italianët.
Mendova se po të rrija gjatë në atë fshat do besoja tek xha Saniu siç të tjerët në atë kasolle. Më zuri frika e më kapi ankthi.
Qysh atëhere kanë kaluar dhjetëra vite.Por sa herë shoh “Opinion” ai emision më duket si kasollja e Velçanit, mbushur me plot dallkaukë dhe Fevziu si xha Saniu.
Fiks. Ka ndryshim në veshje e drita, por mendjet njësoj. Broçkulla, rrena, gomarrllëqe e vazhdojnë deri sa vjen mesnata. Pastaj ikin të flenë. Kështu dhe qëmoti.
Ngopeshim me dërrdërre e përrpërre dhe ngriheshim. Iknim.
-Natën e mirë, xha Sani! Na kënaqe! -i bënim qejfin se mendonim për nesër të rrinim prapë atje mbasdite.
Nuk e shihnim kur largoheshim se do të na ngelej në sy e do na shpifej në ëndërra dora e tij që fshinte rrëkezën e një qurreje që i zgjatej, por që ai e përfshinte vërtik si mjeshtër dhe e ngjishte ndër pantallonat e tij plot andra…