Me Nebil Cika (i riu) kisha një njohje e pakta mbi 10 vjeçare para se të largohej shumë para kohe nga kjo jetë dy vite më parë. Emisioni i tij, “Rrno për me tregue”, u bë vatër për shumë të persekutuar të sistemit më të egër diktatorial, e që s’po di të shkulet. Nuk do ta harroj kurrë si shumë vite më parë me ato kushtet e atjeshme më dërgoi më postë këtu në Amerikë disa libra të vyer shkruar nga ai dhe të tjerë. Me dedikimin “brezi i ri duhet të mësoi historinë e vërtetë.” Nebili (i riu) ishte vërtetë një vizionar i guximshëm, e kishte në gen trimërinë. E them këtë pa ndroje dhe do t’ju a vërtetoj po të vazhdoni të lexoni. Një antikomunist i pastër, puro, sepse sot takon 10 vetë dhe 11 të dalin antikomunistë. Kurse Nebili ishte i vërtetë. Një demokrat i përkryer, dhe këtu i pastër dhe puro. Pati guximin t’i dali kundra kryetarit të PD-së, në një kohë ku i lëpiheshin (lëpihen) ende të gjithë. Demokrat i mirëfilltë dhe jo ekstremist konservatorë (mos ngatërroni konservatorët tradicional me ekstremistët). Ai asnjëherë nuk i përqafoi teoritë konspirative. Një nga shkrimet e fundit të tija para se të vdiste ishte pikërisht përse demokratët shqiptarë nuk duhet ta ngatërronin kauzën e tyre me lëvizjen ekstremiste të Trump. Publicist i mirëfilltë, që i riktheu shtypit shqiptarë dhe lexuesit të famshmen gazetën “Minerva”. E krijuar nga Nebil Çika (i vjetri) dhe motra e tij, Ikbale Çika. Ikbalja është pamëdyshje dhe “nëna e gazetarisë femërore shqiptare”. Ajo ishte pronare e gazetave si “Java”, “Shpresa Kombëtare”, “Ylli i Mëngjesit” dhe “Gruaja Shqiptare”. Në fotot që shihni është Ikbalja dhe Nebili (i vjetri) vitet e arta para pushtimit 1944.
Nebil Çika (i vjetri) u torturua, u vra pa gjygj, u la trupi i tij i pajetë në birucat e “Hotel Bistros” në Tiranë. U zbulua trupi i tij dhe shumë intelektualëve të tjerë më 12 nëntor 1944 prej banorëve të lagjes nga kundërmimi (era e keqe). Ky akt terrorist u bë kastile, si e si të shtinin frikë në popull.
Dje duke shfletuar nëpër postimet e Ferdinand Nikaj, siç bëj shpesh, dhe ju a këshilloj ta ndiqni Ferdinandin, lexova një shkrim pikërisht të Nebil Çikës së datës 5 shkurt 1944 (disa muaj para se ta zhduknin) në gazetën “Arbënia”. ÇFARË GUXIMI! ÇFARË TRIMËRIE! ÇFARË NUHATJE POLITIKE! Kur lexon këtë shkrim, e kupton përse duhet ta asgjesonin këtë gazetar famëmadh. Kujtoj se gazetar i “Arbënia” ishte dhe In Memoriam – Xhemal Farka, i pushkatuar. Apo dhe gazetari, Fiqiri Llagami, i burgosur dhe helmuar në burg.
__________________________
Ju lutem lexoni shkrimin e Nebilit të vitit 1944, titulluar: “TERORI KOMUNIST”
Pardje, komunistët bënë tre atentate, në Tiranë, kundra jetës së disa shqiptarëve. Këto atentate u-bënë me shtytjen e pasionit, njëkohësisht edhe me qëllim tmerimi. Passion këtu do methënë etje për gjak dhe sadizëm kriminal. Kriminalët që i bënë atentatet pa dyshim kanë panedehur se, passi t’a kënaqnin instiktin e gjak-piresisë së tyre, do të shkonin në ndonjë pijetore të humbur dhe do t’i a ngritnin dollinë vetëhes, plot gas e krenari për veprën e kryer. Por kësaj here ndërmarjen e tyre e paguan mu aty me gjakun e tyre dhe me gjakun e shokve të tyre.
Këtë radhë gjindarmët nuk e bënë veshin të shurdhër kur krisi pushka dhe nuk ndenjën të qetë duke mbyllur një sy.
Kësaj here, gjindarmët vepruan.
Ka qenë e madhe kënaqësija e atyreve që duan Shtet dhe që e urrejnë tashma anarkinë, sepse tashma është kuptuar se komunistët nuk duan veçse shkatërrimin dhe prandaj përpiqen t’a mbajnë këtë vënd n’anarki duke përdorur tmerrimin për të penguar rimëkëmbjen e Shtetit.
Përnjimendi, edhe Shqiptari më i besueshëm tashma ka filluar të bëjë këtë arsyetim:
Ç’kërkojnë vallë këta komunistë? Okupatori fashist nuk është më; Gjermanët s’janë okupatorë, por edhe sikur të jenë, komunistët s’po bëjnë më as veprimin më të vogël kundra atyre; tashma ata janë ngritur kundra Shqiptëtarëve të fjeshtë… Ku e kanë hallin?… Të thuash se duan t’a marin fuqinë, këjo nuk ësht’ e mundur veçse po të vijnë Rusët këtu e Rusët nuk vijnë këtu sepse ashtu është dëshira e komunistëve t’anë; dhe në se Rusët kanë për t’ardhur sepse kanë për të ardhur, atëhere pse komunistët nuk durojnë edhe pak dhe pse nuk lënë për më vonë vrasjen e Shqiptarve që s’janë me ‘ta? S’e merr mëndja, pra, terrorizmin e tyre. Mëndja të thotë se ata kanë një qëllim tjatër. Ç’të jetë vallë ky qëllim?…
Qëllimi ësht’ açik, mor i dashur; qëllimi është t’a mbajnë në tmer popullin e kështu t’a ndalojnë këtë që të mbiidhet reth Qeverisë, e cila nuk dëshiron tjatër veçse të mëkëmbë përsëri Shtetin dhe të organizojë përsëri popullin me qëllim që ky të jetë gati për t’i bërë ball çdo rreziku që mund t’i vijë, nga jasht, nesër. Kur komunistët nuk e duan dhe e kundërshtojnë këtë gjë, a ka dyshim më se janë armiqt e betuar të Shqipërisë?
Qeverija bëri ç’ishte e mundur dhe e pa-mundur për t’i sjellë në vetëhe me të mirë komunistët. I këshilloi, i ftoi në llogjikë, i u-lut. Ju kujtoj se gjaku lyp gjak. Pastaj i këshilloi prap, i ftoi prap në qetësi. Ata refuzuan të dëgjojnë. Tashma është marrë vesh se ata janë të vendosur të mos dëgjojnë kurgjë.
Atëhere?
Atëhere Qeverija ja u ka dalë borxhit. Tani duhet t’u bjerë. Duhet t’u bjerë me reptësinë dhe me ashpërsinë më të madhe. Dhe kur ata të bëjnë një veprim tmerimi, Qeverija t’u përgjigjet me armën që përdorin ata, me-një-herë dhe me egërsi.
I tërë populli është me Qeverinë në këtë pikë.

