Grua…
Një koncept sa i vjetër aq sa i ri në përfytyrimin e përditshëm të autorit, një refren i pazëvëndësueshëm i ditënetëve të tij, një pëshpëritje e ëmbël dhe drithëruese në dialogun me veten dhe në monologjet e shpeshta të kësaj kohe të rëndë, një motiv lutje dhe shprese, ngushëllim dhimbje e mungesës, e humbjeve dhe zhgënjimeve, një krenari e arritjeve, horizont gjithmonë i kërkuar në prespektivë…
Grua…
Bie dhe ngrihet poeti me hijen dhe portretin e saj, me imazhin fluid dhe të ëndërrt, me format dhe trajtat e trupit dhe të shpirtit të saj, bota shumicën e çasteve ka emblemë dhe frymë fjalën dhe kërcimin e saj me nota malli, ndërsa ai bie pjanos së muzgut apo flautit të agimit të hershëm, në fund të fundit e ardhmja, por edhe vdekja sado e vonë mban pashmangërisht ritmet e saj të frymëmarrjes dhe frikën e ndalimit dikur si një lavjerrës i kohës në orën e vjetër të rërës…
Grua…
Një piramidë e ngadhnjimit mbi kërcënimet dhe viruset, një çelës i domosdoshëm për të hapur portat e qiellit, kur ai papritmas të ka humbur në lojën e dilemave të jetës, një fjalëkalim i sigurtë për të qënë i vetëm dhe i sigurtë në parajsën e ngritur me mure mjegulle të vargjeve , të cilat burojnë befas nga shpirti si pikat e mëdha të lotit apo djersës pas zjarrmisë së çastit sublime…
Grua…
Ajo është nëna dhe motra, Ajkuna dhe Penelopa, zana dhe shtriga, e shkuara dhe e sotmja, fati dhe shpresa, lindja dhe perëndimi, atdheu në skajin e ulët dhe të epërm të historisë, një kod shpesh i padëshifrueshëm në filxhanin madhështor të pelinit të jetës, por edhe gjurmë e pashlyer në gotën ku ëmbël përkundet plazma e saj e momenteve me puthje dhe premtime sikurse gjysma e mbetur bosh e harrimeve…
Grua..
Poeti sapo ka shkruar në rërën e nxehtë përballë detit të sapozgjuar prej zbatice dhe ngutet ti ruajë pastaj në shpirtin e tij përjetshëm fjalë të mrekullueshme si diamantë të porsagjetur për t’ia dhuruar pasardhësve të tij, miqve dhe të dashurve, një shportë me yje dhe xixëllonja që feksin dhe ndriçojnë çdo muzg të njeriut të dashuruar, fenerë të vegjel gëzimi ndërsa kanë gjetur udhën e humbur apo kanë humbur kuptimin e shenjtë të jetës dhe të varur në ndonjë cep të rrezikshëm të saj mund të bien…
Grua…
Nuk bëhet fjalë për gruan e tij, në çdo varg kumbon këmbana për çdo vajzë, grua tjetër, pjesë e ekzistencës, ndoshta në amshim, por edhe në të gjallë, një përpjekje e bukur dhe e mundimshme për ti dhënë asaj atë çfarë ajo meriton, butësinë e mirënjohjes dhe përkushtimin e nderimit për misionin fisnik të lindjes, rritjes dhe shenjimit të dashurisë dhe vazhdimit të jetës…
Grua…
Nuk ka nevojë për qindra fjalë dhe faqe, ka nevojë për pak momente magjike për të mundur ta ulësh lexuesin në një stol të vogël pauze dhe meditimi, ku çdo qelizë e qenies shqipton emrin dhe ka parfumin e saj dehës të jetës.
Dhe Zenun Hysenukaj ia ka arritur më së miri kësaj!
Shtator 2025