Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur sot akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama dhe institucioneve shtetërore, duke aluduar për një ngjarje të pazakontë që sipas tij ka ndodhur brenda ambienteve të burgut ku ndodhet i arrestuar ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Gjatë një konference për shtyp, Berisha deklaroi se ka informacione jozyrtare dhe “gossip”-e që flasin për një episod misterioz që ka ndodhur pak net më parë. Sipas tij, Veliaj është nxjerrë nga burgu në mesnatë dhe është çuar “në drejtim të paditur”.
“Kanë qarkulluar shumë gossipe, se burgu ka lajme dhe gossipe. Njëri prej tyre është se para 3 netësh e nxorën nga burgu dhe e çuan në drejtim të paditur. Sa është e vërtetë, muret e burgut e dinë. Por gossipi i asaj ndërtese këtë thotë,” tha Berisha para mediave.
Sipas tij, ky veprim përbën një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj Ramës, duke nënkuptuar se Veliaj mund të jetë subjekt i një skenari për ta eliminuar politikisht apo edhe më shumë.
“Pse e thashë këtë? E thashë sepse Edi Rama do që ta shohë me çdo kusht të asgjësuar politikisht, të paktën. Por ndoshta edhe për atë tjetrën. Ta nxjerrësh tjetrin në 12 të natës, të kalamendur, dhe ta nisësh në drejtim të paditur, kjo absolutisht është një aktakuzë direkte për Ramën. Ku e çoi atë?”
Berisha ngriti gjithashtu dyshime nëse është respektuar ndonjë procedurë ligjore për këtë veprim, apo nëse është përdorur, siç e cilësoi ai, “papagalli i Ulziut”, duke iu referuar ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari.
“Mori autorizim apo jo, apo përdori vetëm papagallin e Ulziut, Lamallarin, për të urdhëruar nxjerrjen e tij në 11 të natës, këtë nuk e dimë”. bw