Qeveria e Fan S. Nolit, që në fillimet e saj u ballafaqua me problemet e kufijve, trashëgimi të Konferencës së Paqes. Në Arkivin e Ministrisë së Jashtëme italiane gjindet një letër e Kryeministrit Noli, drejtuar kolegut të tij italian Benito Mussolini, e cila bën fjalë për atë problem. Ja teksti i përkthyer i asaj letre:
Ministria e Punëve të Jashtëme të Shqipërisë
Kabineti i Ministrit
Tiranë, 6 korrik 1924
Shkëlqesi,
Po përfitoj nga rasti i kthimit të të Ngarkuarit me punë, zotit Tefik Mborja, për të tërhequr vëmëndjen e Shkëlqesisë Suaj mbi çështjen e kufijve, që shqetëson në këtë çast gjithë Kombin.
Qeveria shqiptare është shumë e alarmuar nga drejtimi që po merr ajo çështje delikate. Jemi njoftuar, për shëmbull, se Komisioni Ndërkombëtar, i kryesuar nga gjenerali Gazzera, ka ndërprerë punimet e tij në zonën asnjanëse të Korçës, si pasojë e udhëzimeve të marra nga Konferenca e Ambasadorëve e cila po rishqyrton dhënien e katërmbëdhjetë fshatrave të caktuara Shqipërisë nga Komisioni, ndërsa pak ditë më parë, e njëjta Konferencë urdhëronte Qeverinë greke t’i zbrazte ato. Nga ana tjetër jemi të kërcënuar nga humbja e mundëshme e monastirit të Shën Naumit, që zotëron rrugën Pogradec-Korçë e të malit të Vermoshit që zotëron qytetin e Shkodrës.
Një zgjidhje e pafavorshme e këtyre tri pikave tejet të rëndësishme të kufijve shqiptarë do t’ishte fatale për Qeverinë e sotme shqiptare, sepse ky dështim nga kundërshtarët tanë sigurisht do t’i vishej paaftësisë së saj dhe antipative të shkaktuara jashtë. Asnjë shpjegim nga ana e jonë nuk do të mund të kënaqte popullin e dëshpëruar nga kjo bjerrje tokësore. Autoriteti i Qeverisë sonë do të dëmtohej në mënyrë të pandreqëshme e një tjetër shpërthim i brëndshëm mund të kishte pasoja të pallogaritëshme.
Për të shmangur këtë ndërlikim të rrezikshëm vemë të gjitha shpresat tona tek Shkëlqesia Juaj e tek mbështetja diplomatike e Qeverisë italiane në dobi të tezës shqiptare mbi tri pikat e diskutueshme të kufijve tanë. Jemi të sigurtë se kjo mbështetje nuk do të na mungojë edhe në këtë rrethanë të vështirë, siç nuk na ka munguar në të shkuarën.
Duke përgëzuar Shkëlqesinë Tuaj për shpejtësinë me të cilën kaluat krizën e fundit të Vëndit Tuaj, urojmë që Ju të mbeteni në pushtet për një kohë të gjatë, për të mirën e dy Vëndevë tona.
Ju lutem pranoni ndjenjat e konsideratës sime të lartë.
Fan S. Noli
Kjo letër dëshmon se sa e rëndësishme ishte për Shtetin shqiptar t’asaj kohe, mbështetja italiane në kontekstin evropian e botëror të gjeopolitikës. Dëshmon edhe një tjetër fakt: kur bëhet fjalë për interesat madhore të një Kombi, i kërkohet ndihmë edhe një regjimi që, në kushte normale, për bindje politike apo ideologji, nuk do të parapëlqehej. Kryeministri Noli i mbante sytë nga Lindja e Bashkimi Sovjetik, por nuk nguronte t’i kërkonte ndihmë Italisë e Mussolinit, madje duke i uruar që “të mbetej në pushtet për një kohë të gjatë për të mirën e dy Vëndeve tona”.
Është një këndvështrim i gjërave që ka qënë i pranishëm në shumë çaste dramatike të historisë sonë, por jo gjithmonë ka gjetur miratim nga historiografia, sidomos ajo e tetëdhjetë viteve të fundit. Ajo e ka mbushur skenën shqiptare me “tradhtarë” e “armiq“, pa mbajtur parasysh se ata protagonistë të ngjarjeve e vendimeve kishin punuar vetëm për interesat e vërteta të Kombit, herë herë duke flijuar dhe vetëveten….
Raporti i markezit Durazzo, drejtuar Ministrisë së Jashtëme në personin e Kryeministrit Mussolini, që mbante edhe postin e Ministrit të Jashtëm, është një dokument me interes për të krijuar një ide, pak a shumë të qartë, mbi opinionin e diplomacisë italiane për gjëndjen politike në Shqipërinë e mbas revolucionit të qershorit 1924. Ai e përshkruan atë periudhë të shkurtër të “sprovës socialiste” me ngjyrat më të errta. Paraqet një Vënd të zhgënjyer në pak muaj qeverisje të elitës intelektuale të Shqipërisë, të përfaqësuar nga ekipi i Imzot Fan Nolit, që përballet me një gjëndje kushtetuese të paligjësuar nga grushti i Shtetit, me një “gjëndje kronike të dështimit të financave publike; me mosmarrëveshje të brëndëshme; me mungesa pothuajse absolute të njerëzve me përvojë dhe kompetentë në degët e ndryshme të administratave publike; me një rënie të mprehtë ekonomike, të nxitura nga varfëria e përhapur e nga pakënaqësia e gjallë”.
Në tërësi ky raport jep një radiografi të Vëndit tonë për atë periudhë. Autori i tij nuk është një dashamir i Vëndit tonë, por me gjuhën e tij të diplomatit vë theksin mbi një sërë mangësish e, në këtë drejtim, besoj se i bën një shërbim jo të keq studjuesve të historisë për të përimtuar e përcaktuar më mirë arsyet që çuan në dështimin e asaj sprove historike.
Nuk është e vështirë të zbulohet mes argumentimeve të tij prirja e përgjithëshme e politikës tradicionale italiane deri në ditët tona të një farë dyfaqësie, në të cilën hasen vështirësi të krijohet besim e të ketë siguri në qëndrimet, të cilat më shumë përcaktohen nga inrteresat e çastit të Vendit se sa nga parime të fuqishme e të ngulitura thellë në vetëdijen e kombit e të Shtetit.
Në arkivin e Ministrisë së Jashtëme italiane, në pakon nr. 731 jepet një listë emrash, ndërmjet të cilëve ishin edhe Luigj Gurakuqi e Mustafa Kruja, të cilët kanë lundruar atë natë me anijen ushtarake “Cesare Rossa RGL” në drejtim të portit të Barit n’Itali. Nuk shënohet vëndi i nisjes, por me gjasë duhet të ketë qënë Shëngjini. Ata emra janë:
Dervish Bej, Hasan Dani, Rakip Dani, Luigj Gurakuqi, Rexhep Shala, Hysni Curri, Ismail Haki Korça, Zija Prizreni, Halit Kastrati, Mustafa Maksuti, Sulejman Shkodra, Bejto Plava, Mehmet Plava, Idriz Sadiri, Muharrem Mitrovica, Riza Drini, Qazim Kruja, Mustafa Kruja, Caje Kruja me dy fëmijë, Vat Gjoni, Luigj Naraçi, Ahmet Kaiza, Llazar Nikolla, Llazar Marko, Dobuj Plava, Kristofor Popi.
Kapiteni i Fregatës
Komandanti
Carlo Alberto Mercalli
Ikjen e opozitës nga Shqipëria dhe zbarkimin e saj në tokën italiane, në muajt e parë të vitit 1925 e përimton mirë ish prefekti i Shkodrës, Mustafa Kruja, në një letër që i shkruan At Paulin Margjokajt më 25 maj 1950, në përgjigje të një pyetjeje të këtij të fundit, të datës 14 t’atij muaji. At Paulini i shkruante kështu bashkëbiseduesit krutan: “Më shkruani në letër se qysh më 1927 e njihshi maskën çlirim-nacjonale të fabrikueme në Moskë. Kishe me dashtë me dijtë mâ gjatë mbi këtê pikë….” Dhe ja përgjigja e Krujës:
“….Do me vapore do me barkë e me Fan S. Nolin e qeverín e tij në krye të gjithë na, kundështarët e athershëm t’Ahmet Zogut u zhbarkuem e u shpërndamë në 25-27 dhjetor në Brindizi e në Bari. Ishim nji ushtrí intelektuale e shpartallueme, për gabimet e fajet t’ona individuale e kolektive, edhe e pazonja me i ramë në tê se, si grup-se parti s’ishim, e kishim bjerrë luftën definitivisht e pa fé mundsije me e çue kryet mâ përpjetë. Pandërgjegjsija (incoscienza) e pazotsija politike kolektive përmbrênda e përjashta e mizerja morale e Opozitës antizogiste kurrë s’pat qênë shfaqun aqë sheshit e aqë tragjikisht sa ndër ata gjashtë muej të provës së vet qeveritare nën kryesín e Fan Nolit (qershor-dhjetor 1924). Ky regjim qe nji kshtjell kartet nga mâ e dobta. Nji erë e lehtë, nji frymë vetëm, mjaftoi me e shêmbun. Kur erdh në fuqí i a hapi Mussolini dyert e i a shtroi udhën vetë për nji marrveshtje me kushte mâ të mira se ato qi pat pranue mâ vonë Zogu. Qeverij’e Fan Nolit nuk desht e nuk dijti me përfitue. Të kishte dashtun e dijtun, së jashtmi do t’a kishte sigurue veten qind për qind. Por Fan Noli desht me u marrë vesht me Rusín sovjetike, kjo çeli në Tiranë nji legatë me nji personel 40 vetësh. Tirana ishte kushtue me u bâmë qêndra e veprimtarís komuniste në Ballkan. Prandej nëse Zogu materjalisht pat vetëm përkrahjen jugosllave, politikisht e moralisht kishte gjithë Okcidentin për vete, me Anglín në krye.
Por makar, si u mujtëm, si u shkatrruem e thyem qafën në mërgim a i kuptuem, a i pamë, a i njohëm nemose gabimet e fajet t’ona qi na çuen n’atë hall? Asnji grimë! Të tana ato mizerje morale, të tanë nj’atë pandërgjegjësí politike kolektive – qi po na përsiell edhe sod e ka me na përsjell deri në vorr – i kishim marrë me vete e s’i lëshojshim, s’dojshim me i lëshue për së gjalli! E me gjithë këtê dojshim ende me besue, madje besojshim ngultas se mbrênda gjashtë muejve – mbasi kaqë kishte ngjatun regjim’ i ynë – Zogun do t’a hidhshim përsëri… E si?
Të tâna pushtetet kapitaliste qi kishin interesa direkte a indirekte në Shqipní i kishin shtŷmë me duert t’ona kah Zogu. E pa ndihmën e ndonjânit prej këtyne – këtê po e kuptojshim të gjithë – se s’mund të bâhej gja.”