I pashëm, i mbajtur shumë mirë, paimagjinueshëm të jetë 74 vjeç, xhentil si vetë ai, buzagaz, shunë elegant. Dhe është njëri prej shkrimtarëve më të mëdhenj të botës: Mario Vargas Llosa. E kemi takuar në fund të këtij gushti në Viareggio, Itali ku kishte shkuar për të tërhequr çmimin Ndërkombëtar Viareggio-Versilia 2010. Dhe sot, pas një muaji e pak, ai merr çmimin Nobel për Letërsi.
Vargas Llosa, ka lindur në Arquipa, Peru¹ më 1936, e kalon kohën e tij duke u marrë me letërsi dhe realitetin e prekshëm. “Letërsia – përsërit ai me entusiazëm – është frut i imagjinatës dhe shpirtit kritik. Duke lexuar një roman, një poezi, duke parë një shfaqje në teatër, sa herë që biem në kontakt me botën e të treguarit, zbulojmë se ekzistojnë botë të ndryshme nga kjo e jona, dhe se bota ku jetojmë ne është e varfër e krahasuar me atë që të ofron letërsia. Dhe prej kësaj intrigohemi në kërkim të ndryshimit, të transformimit. Letërisa gjeneron pakënaqësi dhe pakënaqësia është motori i lëvizjeve dhe progresit. Letërsia është një instrument thelbësor i lirisë.”
PYETJE: Ky pasion qytetar që duket paksa ideal është mjaft i përhapur midis shkrimtarëve të Amerikës Latine, por jo në Evropë. Ju që jetoni midis Limës dhe Spanjës e keni këtë përshtypje?
MARIO VARGAS LLOSA: “Absolutisht. Në Botën e Tretë jeton dhe është e përhapur ideja se letërsia është një element konkret në brendësi të shoqërisë, një element progresi, që i zgjidh probemet e saj, që stimulon shoqërinë kolektive e që në mënyrën e vet është e aftë që të orientojë Historonë. Tek ne miti i letërsisë është shumë i rëndësishëm si tek individi, ashtu edhe tek kolektivi. Këtu në Evropë kam përshtypjen se letërsia, jo vetëm ajo, por edhe kultura ka skaduar sa i përket rolit të saj, dhe duke e vëzhduar duket si një derivat i pavlerë, diçka tepër shqetësuese.”
PYETJE: E përse shqetësuese?
MARIO VARGAS LLOSA: “Një shoqëri, tek e cila letërsia ka zbritur në kufijtë e jetës personale dhe në shoqëri ngjan me një luks të tepruar, kjo shoqëri është e destinuar që të bëhet shpirtërisht barbare, duke vënë në rrezik lirinë e saj.”
PYETJE: Ju mendoni se ta quash letërsinë si “humbje kohe” është një mënyrë të menduari gati mashkullore.
MARIO VARGAS LLOSA: “Janë statistikat që flasin. Femrat janë pjesa më e madhe e lexuesve, dhe më vjen mirë për gratë dhe keq për burrat. Janë meshkujt ata që pësojnë në pjesën më të madhe deformimet e kohës sonë.”
PYETJE: Këto kanë konsekuenca politike?
MARIO VARGAS LLOSA: “Sigurisht: në botën e sotme kemi njerëz super të specializuar në fusha të ndryshme, por në të njëjtën kemi një mori të pagdhendurish që lehtësisht mund të nënshtrohen dhe të bien viktimë e autoritarizimit.”
PYETJE: Si liberal cilat vende mendon se janë më shumë afër idealit të një qeverie të mirë?
MARIO VARGAS LLOSA: “Vendet e Evropës së Veriut të cilët nga socialdemokracia kanë kaluar gradualisht në një liberalizëm që ruan anë pozitive të socializmit për shembull nuk ka disnivele ekonomike të papranueshme si në demokracitë e tjera e në të njëjtën kohë i shfrytëzon për mirë tregun dhe ligjet e tij. Në vendet e pazhvilluara Kili është një nga ata që po bën shumë në këtë drejtim e sidomos e krahasuar me demokracitë jugamerikane.”
PYETJE: Në gjuhën spanjolle është duke dalë një roman i ri juaji, “El sueño del celta” (Ëndërra e keltit) e cila po botohet edhe në Itali nga Einaudi. për çfarë flet?
MARIO VARGAS LLOSA: “Është romani i një jete të vërtetë, asaj të Roger Casement, “˜celta’ (kelt), me një fjalë irlandez, i bërë konsull britanik në Kongo në kohën e Leopoldiz II e pra në epokën e kauçukut, në pjesën e dytë të Shekullit të Nëntëmbëdhjetë. Një personazh i jashtëzakonshëm i cili për herë të parë i denoncon tmerret e kolonializmit dhe që, mbi të gjitha, fshehtas, është një indipendentist dhe lufton për një Irlandë të lirë nga zgjedha angleze.”/Elida Buçpapaj
Përktheu Elida Buçpapaj
Fituesit e Çmimit Nobel i shpalli sot Akademia e Shkencave në Suedi.
NOBELIN PËR LETËRSI E FITOI PERUANI MARIO VARGAS LLOSA
Në mesin e kandidateve për të fituar ishin dhe poeti koreanojugor Ko Un, Adonisi nga Siria, Ngugi wa Thiong nga Kenia dhe novelisti amerikan Kormak MekKarti.
Pesë evropianë dhe një turk e kanë marrë çmimin prestigjioz në gjashtë vitet e fundit. Të gjithë ishin novelistë, përveç skenaristit Harold Pinter, i cili fitoi në vitin 2005.
Çmimi Nobel, fakte interesante nder vite
Akademia Suedeze jep sot çmimin Nobel për Letërsinë për vitin 2010.
Më poshtë gjenden fakte interesante përgjatë historisë së këtij çmimi:
* Është shumë e qartë që rekordi i Rudyard Kiplingut do të jetë shumë i vështirë për t’u thyer, pasi shkrimtari i njohur ishte vetëm 42 vjeç kur e mori atë në vitin 1907.
* Ndërkohë, shkrimtarja më e moshuar ka qenë Doris Lessing, që kur mori çmimin, në vitin 2007 ishte 88 vjeçe.
* Deri tani këtë çmim e kanë marrë 106 shkrimtarë duke filluar nga viti 1901.
* Çmimi nuk është dhënë vetëm shtatë herë: 1914, 1918, 1935, 1940, 1941, 1942 e 1943. Motivi? Askush nuk e meritonte edhe pse luftërat botërore nuk ndihmuan për përzgjedhjen.
* Vetëm në katër raste çmimin e kanë marrë njëkohësisht dy shkrimtarë: në 1904 për Frederic Mistral dhe Jose Echegaray; në 1917 për Karl Gjellerup dhe Henrik Pontoppidan; në 1966 për Samuel Agnon dhe Nelly Sachs; në 1974 për Eyvind Johnson dhe Harry Martinson.
* Vetëm në dy raste çmimi është refuzuar nga fituesit: në 1958 nga Boris Pasternaku dhe në 1964 nga Jean Paul Sartre.
* Shkrimtarët janë më të shumë se shkrimtaret. Nga 106 çmime 12 janë për gratë. E fundit ka qenë Herta Mueller më 2009.
* Askush deri tani nuk e ka marrë çmimin dy herë.
* Te 106 çmimet Nobel për Letërsinë kryesojnë autorët e gjuhës angleze (26), të ndjekur nga ata të frëngjishtes dhe gjermanshtes (13), më pas spanjishtja (10) itliashtja (10), suedishtja (6) dhe rusishtja (5).
* Shumë gjuhë janë paraqitur vetëm një herë. Ato variojnë nga kinezçja, finlandishtja, arabishtja, yiddish, islandishtja dhe bengalishtja.
* Nga këta Rabindranath Tagora (Nobel 1913) shkruante në bengalisht dhe anglisht, Samuel Beckett (Nobel 1969) frëngjisht dhe anglisht, Joseph Brodsky (Nobel 1987) shkruante poezi në rusisht dhe prozë në anglisht.