Nëse do t’i besonim teorisë së Partneriteteve Publike-Private, Shqipëria pas vitit 2015 do të ishte një vend me shërbime moderne, rrugë të përfunduara dhe spitale të teknologjisë së lartë. por realiteti është krejt ndryshe. Disa nga shërbimet që duhet të përfitoheshin nga kontratat me privatin thjesht nuk ekzistojnë, ndërsa nga një raportim që ka bërë sot Monitor, gjysma e parave publike të derdhura për këto kontrata sot janë nën hetim penal.
Praktikishtm është kuptuar 10 vite më pas, se konçensionet u shndërruan në mekanizma për të derdhur miliarda lekë nga buxheti i shtetit drejt kompanive të paracaktuara, pa një analizë të qartë kosto–përfitim dhe shpesh pa asnjë garë reale.
Vetëm në sektorin e shëndetësisë, në harkun e katër viteve, u dhanë koncesionet për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale, për check-up-in kombëtar, për shërbimin e dializës dhe për laboratorët e analizave, ndërsa paralelisht u ngrit skema e famshme e inceneratorëve me tre projekte të mëdha në Elbasan, Fier dhe Tiranë, të cilat sot njihen më shumë për hetimet e SPAK se sa për menaxhimin e mbetjeve.
Në infrastrukturë, historia është e ngjashme: mirëmbajtja e Milot–Morinë, ndërtimi i Rrugës së Arbrit apo kontrata për segmentin Orikum–Dukat kanë qenë shembuj të një modeli ku shteti garanton pagesat e rregullta, ndërsa risku i projektit mbetet minimal për privatin.
Sipas Ministrisë së Financave, nga viti 2017 deri në 2024 janë paguar 84 miliardë lekë (rreth 840 milionë euro) për 12 kontratat koncesionare kryesore. Shifrat janë domethënëse: vetëm Rruga e Arbrit ka marrë 19.3 miliardë lekë, sterilizimi 13 miliardë, shërbimi i skanimit 12.3 miliardë dhe inceneratori i Tiranës 7.4 miliardë.
Por pas këtyre pagesave që në letër duken si shifra të zakonshme të buxhetit publik, fshihet një realitet tronditës: nga këto 12 kontrata, 6 kanë pasur telashe me drejtësinë, duke përfshirë të tre inceneratorët, sterilizimin, check-up-in dhe laboratorët. Vetëm këto gjashtë kontrata kanë marrë nga buxheti rreth 39 miliardë lekë, afërsisht 400 milionë euro, që përbëjnë gati 46% të totalit të derdhur për koncesione në këtë periudhë. Me fjalë të tjera, pothuaj gjysma e parave që shqiptarët kanë paguar përmes taksave për koncesione publike rezulton e dyshuar si pjesë e aferave korruptive.
Hetimet e SPAK dhe skemat e korrupsionit “të ligjshëm”
Edi Rama duke dhënë dëshminë e tij për komisionin hetimor për inceneratoret
Në dosjet hetimore pasqyrohen me detaje mekanizmat e një korrupsioni të sofistikuar që u realizua përmes kontratash të nënshkruara zyrtarisht dhe me vendime qeverie. Skema e inceneratorëve është më e madhja, me një vlerë të përgjithshme kontratash mbi 430 milionë euro, ku akuzat flasin për kompani fiktive, pagesa për punë të pakryera dhe përfitime për një rreth të ngushtë zyrtarësh dhe biznesmenësh. Skema përfshiu disa zyrtarë të PS, ndërsa implikimi arrin deri te kryeministri Rama që ka firmosur personalisht procedurat e inceneratorëve.
Ilir Beqaj, ish-ministër i Shendetësisë pas një seance pyetjesh në SPAK
Po aq problematik është edhe koncesioni i sterilizimit, me një kosto mbi 100 milionë euro, ku janë arrestuar ish-zyrtarë dhe biznesmenë të lidhur me pushtetin për shpërdorim detyre dhe abuzime me procedurat e prokurimit, që arrinin deri tek ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, në bashkëpunim me ish.zv-ministrin Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj.
Përfituesja e koncensionit të check-up, Vilma Nushi në SPAK
Ndërkohë, check-up-i kombëtar, me një faturë prej rreth 120 milionë eurosh, është shembulli klasik i një shërbimi të paguar por jo të kryer në realitet, ku analiza që nuk janë bërë kurrë janë raportuar si të kryera dhe faturuar për t’u shlyer nga buxheti i shtetit. Koncesioni i laboratorëve, më i vonshmi në radhë, ka ndjekur të njëjtin model me procedura të dyshuara të manipuluara dhe tashmë është pjesë e hetimeve. Vetë Ministria e Financave ka pranuar se kontratat e tilla nuk janë monitoruar dhe kontrolluar siç duhet, duke lënë hapësirë për abuzime masive.
Në thelb, bëhet fjalë për korrupsion jo përmes rryshfeteve apo tenderave të vogla, por përmes kontratave të miratuara zyrtarisht, të mbështetura nga ligje dhe vendime qeverie, ku mekanizmat e shtetit garantojne fluksin e parave publike drejt një grushti kompanish të lidhura politikisht. Një korrupsion “i ligjshëm”, që i kaloi të gjitha filtrat formalë, por që sot ekspozohet si një mekanizëm për kapjen sistematike të fondeve të taksapaguesve.
Raporti i DASH: diagnoza e klimës së biznesit
Në këtë kontekst, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e biznesit në Shqipëri për vitin 2025 tingëllon si një aktakuzë politike se sa si një analizë e zakonshme ekonomike. Dokumenti e përshkruan Shqipërinë si një vend ku korrupsioni i përhapur, sistemi gjyqësor i dobët, mungesa e transparencës në prokurime dhe ekonomia informale me burim nga trafiku i drogës dhe pastrimi i parave mbeten pengesat kryesore për investitorët.
Fjalë për fjalë, në raport thuhet: “Komuniteti i biznesit raporton se hyrja masive e të ardhurave të paligjshme nga trafiku i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni po shtrembëron konkurrencën në treg. Investitorët raportojnë gjithashtu se mund të bëhen objekt shantazhesh nga administrata publike, media dhe grupe kriminale.”
Raporti nuk ndalet vetëm tek fenomeni i përgjithshëm i korrupsionit, por vë gishtin tek kontratat e Partneritetit Publik-Privat si një burim specifik shqetësimi.
“Përdorimi i vazhdueshëm i kontratave të partneritetit publik-privat (PPP) ka reduktuar hapësirat për konkurrencë të ndershme, përfshirë edhe për investitorët e huaj, sidomos në sektorin e infrastrukturës dhe sektorë të tjerë. Analiza e dobët dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP vazhdojnë të jenë shqetësime serioze.”
Përtej kësaj, DASH evidenton se praktika e dhënies së kontratave përmes procedurave të mbyllura dhe të dyshimta mbetet e zakonshme, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të promovuar platforma elektronike dhe transparencë formale në tenderime.
Raporti është i qartë: korrupsioni në prokurimet shtetërore është i vazhdueshëm dhe përbën një nga pengesat më të mëdha për investimet e huaja. Ndaj nuk është rastësi që, pavarësisht një rritjeje të investimeve direkte amerikane në Shqipëri në 382 milionë dollarë në fund të vitit 2024, ky nivel mbetet ende modest dhe përfaqëson vetëm një pjesë të vogël të kapitalit të huaj në vend./Lapsi.al