Në një veprim të papritur dhe të pazakontë, Shtëpia e Bardhë ka hequr portretin e presidentit Joe Biden nga “Korridori i Presidentëve”, vendi ku ekspozohen portretet zyrtare të të gjithë presidentëve amerikanë dhe në vend të tij është vendosur një fotografi e një stilolapsi automatik.
Ky korridor ndodhet në krahun perëndimor të Shtëpisë së Bardhë dhe tradicionalisht përmban portretet e të gjithë udhëheqësve të mëparshëm të SHBA-së.
Simbolika e stilolapsit nuk është rastësore. Presidenti Donald Trump e kishte ngritur për herë të parë këtë temë muajt e fundit të mandatit të Biden, duke vënë në dyshim nëse nënshkrimet e presidentit në dekretet dhe ligjet ishin vërtet të tijat, pasi ishin “identike dhe të përsëritura”.
Trump kishte ironizuar se “nënshkrimet nuk i vendos më Biden, por një stilolaps automatik”, duke nënkuptuar se presidenti nuk kishte më kapacitetin mendor për të ushtruar detyrat dhe se bashkëpunëtorët e tij firmosnin në vend të tij. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, ligjërisht nënshkrimet e tij do të ishin të pavlefshme.
Shtëpia e Bardhë i kishte mohuar me forcë këto akuza gjatë kohës së presidencës së Biden.
Megjithatë, sipas raportimeve, Trump nuk e ka harruar këtë çështje dhe duket se tani, me një gjest institucionalisht të diskutueshëm, ka vendosur të marrë “hakun” e tij. gsh