Më 19 shtator 2025, në ambientet e École de l’Étang në Châtelaine – Gjenevë, u mbajt një mbrëmje e përbashkët informative, e organizuar nga Shoqata zvicerane për të drejtat sociale EPER në bashkëpunim me Shoqatën Komuniteti Shqiptar në Gjenevë. Ky aktivitet shënoi Seancën e tretë informative kushtuar mërgimtarëve shqiptarë, me temë qendrore “Përfitimet Plotësuese (SPC) të AVS/AI”.
Seancën e hapi z. Nasuf Nuhiu, kryetar i Shoqatës së Komunitetit Shqiptar në Gjenevë, i cili falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe theksoi rëndësinë e këtyre takimeve për informimin e drejtë të komunitetit. Ai kujtoi se:
- Seanca e parë (prill 2025) trajtoi çështjen e AVS-it – Shtylla e parë e pensionit;
- Seanca e dytë (maj 2025) ishte përqendruar në Shtyllën e dytë të pensionit (LPP);
- ndërsa kjo seancë e tretë u fokusua tek përfitimet plotësuese (SPC), të cilat janë thelbësore për pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuara.
Ligjërata kryesore u mbajt nga znj. Luljeta Krasniqi Hajrizaj – juriste, përfaqësuese e programit Age-Migration pranë EPER-it, e cila, me kompetencë të lartë profesionale, sqaroi procedurat, të drejtat dhe rëndësinë e njohjes së skemës së përfitimeve plotësuese.
Në vijim, dy specialistë të kësaj fushe dhanë shpjegime të hollësishme mbi kriteret për përfitimin e SPC-ve, mënyrën e aplikimit, dokumentacionin e nevojshëm si dhe rastet konkrete të hasura në praktikë. Diskutimi u zhvillua në formë interaktive, duke iu dhënë pjesëmarrësve mundësinë të shtrojnë pyetje mbi situatat e tyre personale.
Takimi u ndoq nga një numër i konsiderueshëm mërgimtarësh shqiptarë, kryesisht të moshës së tretë, të cilët treguan interesim të madh për temën. Atmosfera miqësore dhe praktike e bëri seancën jo vetëm informuese, por edhe inkurajuese për ata që shpesh hezitojnë të kërkojnë ndihmë ose nuk janë të informuar mbi të drejtat e tyre ligjore.
Në fund, organizatorët nënvizuan se qëllimi kryesor i këtyre seancave është që çdo qytetar shqiptar në Gjenevë të ketë qasje të plotë në informacion mbi sistemin social zviceran, në mënyrë që të mund të përfitojë drejtësisht nga skemat që i garantohen me ligj.

Gjenevë 21.09.2025 Nexhmije Mehmetaj