NGA GENTIANA SULA
E ndiej peshën e kësaj dite dhe e përjetoj fort. Shikoj fytyra miqsh, dashamirësish e veprimtarësh të kujtesës, të cilët prej vitesh kanë dhënë shumë. Ka pasur një kohë kur këto aktivitete ishin të vogla dhe të ndara politikisht. Sot, simpoziumi bashkon gjithë spektrin politik, hierarkinë shtetërore dhe shoqatat e të përndjekurve politikë të Shkodrës. Pesha e kësaj dite më vjen nga përballja me faktet.
Ne, si institucion relativisht i ri, çdo gjetje që kemi nxjerrë nga arkivat na ka entuziazmuar në kuptimin e kërkimit të së vërtetës. Por dokumentari që shoqëroi hapjen e këtij eventi – “Në përkujtim të 16 qershorit 1990, mbi demonstratën e parë antikomuniste në Shkodër” – tregoi se të vërtetat historike i keni ditur gjatë gjithë kohës që nga viti ’90 e deri më sot, por ato nuk kanë shkuar aq larg kur vjen puna për atë që ne e konsiderojmë llogaridhënie historike dhe shërim të plagëve të së kaluarës. Prandaj ndjehem kokulur si kryetare e Autoritetit, përballë kërkesave për kërkim dhe kthimin e trupave të të pagjeturve, veçanërisht në zonën e Shkodrës, e cila mban numrin më të lartë të të përndjekurve politikë, të vrarëve dhe të dënuarve me vendime penale me vdekje, për të cilët ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare. Puna jonë është e madhe, megjithatë përballet me pengesa. Më vjen mirë që në shtator është planifikuar që ICMP të sjellë ekipe të specializuara pikërisht në zonën e varrezave të Rrmajës, ku kemi vendosur një tabelë shënjuese për të ndaluar çdo tjetërsim të atij terreni për sa kohë nuk janë bërë kërkimet.
NË KËRKIM TË SË VËRTETËS
Autoriteti ka bërë hapa të rëndësishëm në kërkimin e të vërtetës dhe drejtësisë për të pagjeturit. Deri më tani, kemi marrë 390 aplikime nga familjarë dhe komunitete, të cilat kanë shërbyer si bazë për hetimet tona. Kemi kryer hetime administrative për 11 vendvarrime të dyshuara dhe kemi vendosur 6 tabela shënjuese në këto zona, përfshirë varrezat e Rrmajës, për të mbrojtur terrenet nga tjetërsimi deri në përfundimin e gërmimeve. Për të forcuar këto përpjekje, kemi krijuar një strukturë të specializuar me staf të dedikuar, si dhe kemi hartuar një instrument nënligjor që përcakton rolet dhe përgjegjësitë e institucioneve dhe ekspertëve për gërmime, identifikimin e eshtrave përmes ADN-së. Por ky instrument nënligjor duhet të miratohet nga Qeveria Shqiptare duke i hapur rrugë më në fund procesit. Por do të ndiheshim të qetë, të ngrinim kokën para jush, t’ju shihnim në sy me kurajë, kur të nisnim sondazhet dhe sidomos gërmimet e para. E dimë që gërmimet e këtyre varreve, të pagjetura prej vitesh, nuk do të jenë të thjeshta.
Nuk janë varre të harruara diku, por të fshehura me qëllim nga shteti i asaj kohe. Kemi gjetur dokumentacion të plotë të urdhrave, udhëzimeve dhe shkresave për t’i fshehur, për të mos i gjetur familjet, për të mos i parë publiku, për të mos u kryer pelegrinazhi, për të mos u dhënë zemër familjeve. E dimë që kjo është e vështirë dhe mund të kërkojmë shtatë herë e të gjejmë vetëm një herë. Kërkimi për të pagjeturit dhe llogaridhënia historike na afron me standardet evropiane të drejtësisë tranzicionale, siç përcaktohet nga Konventa Ndërkombëtare për Zhdukjet me Forcë, të cilën Shqipëria e ka ratifikuar.
TË DHËNAT DIXHITALE
Ne po krijojmë një bazë të dhënash dixhitale me dokumente dhe dëshmi gojore, të aksesueshme për studiues dhe publikun, për të siguruar transparencë dhe dokumentim në çdo hap. Duke bashkëpunuar me institucionet vendore dhe me partnerët ndërkombëtarë si ICMP, synojmë të krijojmë një model për t’u përballur me të kaluarën me dinjitet dhe shpresë. Me mbështetjen e BE, OSBE dhe Kuvendit, shpresojmë të paraqitemi herën tjetër me më shumë përgjegjësi të përmbushura institucionalisht. Ajo që dua të them është edhe e karakterit njerëzor. Unë vetë vij nga një familje që ka një gjysh të pagjetur, ndonëse i kam dedikuar jo pak kohë kësaj çështjeje. Por kam një mesazh që besoj shumë prej jush do ta ndjejnë. Im atë, kur i thashë se po i kushtohem gjetjes së të zhdukurve, më tha: “Është shumë e vështirë, por kam një porosi – bëje për fëmijët e tu”. Dhe këtë dua të përcjell: le ta bëjmë për fëmijët tanë. Ne besojmë të gjithë në Autoritet që një Shqipëri që gjen bijtë e vet, ose të paktën i kërkon me këmbëngulje, është një Shqipëri më pranë Europës. Edhe institucioneve lokale dua t’u përcjell një mesazh: Bashkia, Prefektura dhe Këshilli i Qarkut kanë një rol të rëndësishëm në këtë proces.
Ne kemi përgatitur udhëzues për bashkëpunimin me pushtetin vendor dhe kemi avancuar në këtë rrugë burokratike. E dimë që është një sfidë teknike dhe kërkon burime, por nuk duhet të heqim dorë. Dhe një fjalë tjetër për familjarët: ju lutem, le të bëjmë detyrën e mos humbjes së shpresës. Nëse e humbasim shpresën, ne që jemi të interesuarit direkt; nëse familjarët e humbasin shpresën; nëse kleri e humbet shpresën për martirët e Kishës, për këta që janë shqiptarët më të mirë – atëherë nuk do të arrijmë asgjë. Prandaj le të mos e humbasim durimin, shpresën dhe çdo ditë të bëjmë nga një hap, sado të vogël, për ta çuar përpara këtë proces. Çfarë kemi sjellë si Autoritet në këtë simpozium? Një bashkëpunim shumë të frytshëm me Universitetin e Shkodrës. Kemi vënë në dispozicion arkivat; për herë të parë kemi sjellë dokumente nga arkivat e Degës së Punëve të Brendshme Shkodër dhe jam e sigurt që kërkimi shkencor do të ketë një prurje edhe më të mirë në sajë të dokumenteve që do të përdoren për herë të parë. Bashkë me to dhe punimet e 13 studiuesve.
DËSHMITË E GRUMBULLUARA
Kemi sjellë gjashtëmbëdhjetë dëshmi audio-vizuale të rasteve të kalimit të kufirit në zonën e Shkodrës, të mbledhura në terren nga stafi ynë i specializuar sipas standardeve më të mira të dëshmive gojore. Çdo dëshmi e mbledhur është një fakt. Kush ka dëshmi, sidomos familjarët e të përndjekurve të pagjetur, janë të mirëpritur. E dimë që ju keni bërë kërkime prej kohësh dhe dini shumë gjëra, ndaj ju lutem, na i sillni këto dëshmi sepse na ndihmojnë të qartësojmë fatin, të ngushtojmë kërkimin dhe të ecim më përpara me punën tonë. Gjashtëmbëdhjetë dëshmitë që kemi janë tejet të fuqishme dhe prekëse, por unë kam zgjedhur të veçoj një: historinë e Sami Repishtit, një shqiptar i madh, i cili nuk jeton më. Ai u arratis nga “krahu lindor i lumit Buna” në gusht të vitit 1959, tre vjet pas lirimit nga një dënim i gjatë 10-vjeçar në kampet e punës së detyruar. Ai theksonte: aq e fortë ishte shtypja dhe dhuna, sa njerëzit ishin gati të vinin edhe kokën në rrezik.
Në kujtimet e tij “Nën Hije e Rozafës”, ai rrëfen se arratisja ndodhte “në një atmosferë irracionale”, ndërsa viktimat e kapura ose të vrara tërhiqeshin zvarrë dhe shfaqeshin në qytet si pjesë e një taktike terrori të Sigurimit. Pas fjalëve të tij, le të kujtojmë të rinjtë dhe fëmijët që nuk janë më: viktimat e dhunës shtetërore në Shkodër dhe rrethinë gjatë viteve 1990, nga të rinjtë 17–29 vjeç deri te e vogla 5-vjeçare, Anisa Gruda, e cila humbi jetën në Shirokë. Koha ka ndryshuar; të shpresojmë se histori të tilla nuk do të rikthehen më kurrë. Ajo që dua të theksoj në fund është nevoja për llogaridhënie historike. Për të vdekurit kjo është mundësia për t’u dhënë atyre paqe: t’i kërkojmë, t’ua themi familjarëve të vërtetën. Nuk mund të themi se “po u kthejmë dinjitetin”, sepse ata e kishin dinjitetin. Ata ishin njerëzit më dinjitozë; për dinjitetin e tyre ata rrezikuan dhe u vranë. Atëherë, le ta shpallim publikisht: Çfarë dinjiteti të lartë kishin ata!/Gazeta Panorama