Më 2 shtator 2025, në ambientet e Hotel Tirana, Shoqata “Durrësi Autokton”, miq, familjarë dhe bashkëpunëtorë të shumtë përkujtuan 80-vjetorin e lindjes së Ambasadorit dhe studiuesit të shquar Shaban Murati – një figurë emblematike e diplomacisë dhe publicistikës shqiptare. Kjo ngjarje përkujtimore u zhvillua në mungesë fizike të ambasadorit Murati, i cili u nda nga jeta më 14 shkurt të këtij viti.
Në këtë konferencë përkujtimore, e cila u kthye në një homazh të ndjerë për jetën dhe veprën e tij, morën pjesë personalitete nga fusha të ndryshme të kulturës, medias dhe diplomacisë, të cilët ndanë kujtime dhe vlerësime për kontributin e çmuar të Profesor Muratit.
Takimin e moderoi shkrimtarja Hiqmete Daja, e cila foli për miqësinë e hershme dhe të qëndrueshme me profesor Muratin, duke e përshkruar si një njeri të rrallë në përkushtimin ndaj kombit.
Publicisti dhe botuesi Çerçiz Loloç solli në vëmendje bashkëpunimin afatgjatë me profesorin, duke theksuar aktualitetin e veprave të tij dhe kontributin në portalin “Alb-Spirit”, ku Murati publikoi analiza të thelluara diplomatike.
Ambasadori i Kosovës, z. Skënder Dyrmishi, vlerësoi lart rolin e Shaban Muratit në mbështetje të çështjes së Kosovës dhe gjithë kauzës shqiptare në rajon.
Dr. Mujë Buçpapaj, studiues dhe botues i gazetës letrare Nacional, e cilësoi Shaban Muratin si “Kissinger-i shqiptar”, duke nënvizuar peshën e tij në studimet gjeopolitike shqiptare dhe bashkëpunimin e ngushtë me gazetën që ai drejton. Ai solli gjithashtu kujtimet nga koha kur Murati ishte profesor i tij në universitet.
Shkrimtari dhe studiuesi Arben Iliazi, në emër të Fondacionit “Hasan Tahsini”, theksoi vlerësimin e veçantë që ky institucion ka për veprën dhe përkushtimin e profesor Muratit, veçanërisht në trajtimin e çështjes çame dhe të drejtave të shqiptarëve në rajon.
Shkrimtari Pandeli Koçi e përkujtoi Shaban Muratin jo vetëm si diplomat dhe analist, por edhe si poet, kritik letrar dhe studiues i letërsisë, duke e përshkruar si një figurë me vepër poliedrike dhe kulturë të gjithanshme.
Në fund të aktivitetit, djali i tij i madh, z. Erli Murati, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe vlerësimin, duke theksuar se prania e kaq shumë njerëzve në këtë përvjetor është dëshmi e respektit dhe nderimit të madh për figurën e të atit. “Kujtimi i tij do të mbetet i paharruar për të gjithë ata që besojnë në një të ardhme të lirë, krenare dhe të bashkuar për kombin shqiptar”, u shpreh ai.
Pas fjalimeve u shtrua një koktej për të pranishmit.
Kush ishte Shaban Murati?
Shaban Murati lindi më 2 shtator 1945 dhe u nda nga jeta më 14 shkurt 2025. Gjatë jetës së tij, ai u shqua si një ndër zërat më të fuqishëm të mendimit diplomatik dhe gjeopolitik shqiptar. Shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Suedi, Norvegji, Finlandë dhe Islandë. Ka drejtuar gjithashtu Akademinë Diplomatike të Republikës së Shqipërisë, duke ndihmuar në formimin e brezave të rinj të diplomatëve.
Si autor dhe publicist, ai la pas një trashëgimi të pasur veprash studimore dhe analitike, ndër të cilat spikasin:
Serbia kundër Serbisë: analizë e një gjysmërevolucioni të lënë përgjysmë (2004),
Enigmat diplomatike të pavarësisë së Kosovës: fletë nga ditari i një ambasadori (2007),
Vetëvrasja diplomatike e Shqipërisë dhe Kosovës (2021).
Kontributet e tij janë vlerësuar gjerësisht si një zë unik kombëtar, me një qasje kritike, të argumentuar dhe vizionare ndaj çështjeve shqiptare dhe ndërkombëtare. Ai do të kujtohet si një intelektual i klasit të lartë, diplomat i përkushtuar dhe mbrojtës i palodhur i interesave kombëtare./Nacional