Kujtesë: Kur flasin për përkthimet… Kryevepra e Gëtes ‘’Fausti’’ e shqipëruar nga Skënder Luarasit më 1953 (botuar më 1957) nuk mund të shpërfillet… Fragment: “Pleshti kryeministër” Shqipëroi Skënder Luarasi
MEFISTOFELI (Këndon)
Dikur një mbret jetonte
Që kish një goxha plesht;
Të birin sa e donte,
Dhe pleshtin aq e desht.
Prestarit i dha urdhër
T’i bënte në jelek,
Ta vishte pleshtin bukur
Me setr’ e benevrek.
Dhe pleshti bukur-veshur,
Me kadife e kaftan,
Me jetullat i ngjeshur,
Në gjoks var një nishan.
Na u bë kryeministër,
Vëllezër e motra ftoi;
Gjithë erdhën varg e vistër,
N’ofiq të lart’i çoi.
Mbretresha dhe princeshat,
Zotrinjt politikanë
Pickoheshin nga pleshtat –
T’i vrasin, frikë kanë!
Kruheshin, po s’i kapnin,
S’u bënin dot asgjë.
Por ne me vrap e vrasim,
Kur na pickon ndonjë.
—
Kujtesë
Përndjekja e Skënder Luarasit ne sistemin diktatorial.
Pengesat per botimet e librave, vecanerisht Faustit të Gëtes dhe perndjekja e Skënder Luarasit janë deshmi drithëruese!
Faustin, pjesën e pare e shqipëroi në vitin 1953, u botua në vitin 1957
Faustin, pjesën e dytë e shqipëroi në vitin 1962, por u botua në vitin 1987, pas vdekjes së tij, me mjaft ndryshime nga redaksia e botimeve
Fausti, sipas dorëshkrimit dhe hyrjes së S.Luarasit , u botua në vitin 1999.
Ndërkohë Sigurimi i Shtetit diktatorial e përndiqte me dosje aktive 2A!
Raport me shkrim dore.
Me date 27.12.1952 Skender Luarasi i shkruan kartoline me rastin e vitit te ri Fritz Th. Gartner në Austri, duke e uruar per vitin e ri dhe e lajmeron gjithashtu se per se afermi do t’i dergoje leter dhe se shpreson t’i dergoje nje kopje te perkthimit te tij te Faustit…”Per perkthimin e Faustit, as nga agjentura qe kemi ne drejtim te tij nuk kemi pasur ndonje te dhene se ka ne perfundim ndonje veper te tille. Kam dyshim se mos jane parrulla. Te drejtohet agjentura per te mesuar se me c’pune eshte duke u marre Skenderi, nese asht e vertete qe ka ne dore perkthimin e Faustit.
Shënim operativ
Nga të dhënat e mara në drejtim të albanologëve austriakë Kristo dhe Freya Maloki, rezulton se janë takuar me ta dhe kanë biseduar për një kohë të gjatë edhe Skënder Luarasi, Ramadan Sokoli, Petro Marko, Aleks Buda (i shuar me boje Dhimitër Shuteriqi) dhe Andrea Varfi
Duhet theksuar se Skënder Luarasi ka patur takime të shpeshta me të sipërmit, bile i ka përcjellë deri në Shkodër, kur ata u larguan. U mësua se Skënder Luarasi ka patur korespondencë me Kristo Malokin në Austri. Pasko Milo, me punë në Komisionin e Planit një ditë (datë 24 gusht) në hotel ‘’Dajti’’ ka takuar Kristo Malokin dhe i ka dhënë një letër (kopje) të daktilografuar (rreth tre fletë) të cilën ia paska dërguar Skënder Luarasi në Austri Kristos dhe se ai nuk e paska marë. Për këtë bile i ka thënë Paskua se letrat duhet të jenë ndaluar në censurë. Po kështu dhe Aleks Buda ka patur takime të shpeshta me të sipërmin dhe në datën 25.8.62 i ka marë për darkë në shtëpinë e tij ku ishte edhe Skënder Luarasi… Kristo Maloki është me kombësi shqiptare (nga Prizreni) dhe me shtetësi austriake. Erdhi në vendin tonë për studime albanologjike. Gjatë qëndrimit këtu la shumë për të dyshuar… prandaj duhet të vlerësohen takimet e tij me personat e mësipërm.
Tiranë, më 28.9.1962 Puntori operativ” Shënim me shkrim dore:
“Duhen kufizuar takimet me këta ‘’Albanologë‘’.
Duke u nisur nga materialet që disponohen në ngarkim të tij në të kaluarën dhe me qëndrimin armiqësor aktual vendosa:
Rimarrjen e S.Luarasit në përpunim aktiv 2/A me qëllim që të zbulojmë aktivitetin e tij të mundshëm armiqësor mbasi si pedagog dhe letrar mund të na dëmtojë seriozisht në këtë drejtim.””
“Tepër sekret Tiranë, më 9.12.1964.
Aprovohet VendimI mbi rimarrjen në përpunim aktiv 2/A për Skënder Luarasin”
( Përse merrej në përpunim aktiv 2A? Sepse sepse ‘’kishte bërë skandal’’ kur mbronte vlerat e romanit ‘’Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur’’ të Kadaresë duke demaskuar kulte letrare e interesa klanore!)
“Tirane, 18/IV/1959 R a p o r t
Informatori raporton se Skenderi I tregoi se si nje here qe njohur mire me shkrimtarin kinez qe ka ardhur tek ne para ca kohe. Kinezi – tha Skenderi – kish qejf te bisedonte me mua.
Veç se nje dite une shoh se shkrimtarin kinez nuk e lene te takohet me mua. Sigurisht, thote, ‘’e bejne se duan te me marin neper kembe”. Diten e fundit,para largimit, une desha ti jap disa dhurata dhe ai gjithashtu.Por nuk me lane te takohem. Ç’eshte kjo?
Une sekelldisem per kete. Një herë tjetër një shkrimtar indian qe ne hotel “Dajti”. Une nderhyra, se ai nuk po merrej vesh me portierin. Ai u kenaq kur i thashe se jam shkrimtar. Ne bisede e siper une i thashe se kam perkthyer dhe botuar librin indian “Sakuntala”. Ai u habit, sepse shoqeruesi i kishte thene se nuk eshte botuar asnje liber indian ne shqip. Skenderi shtoi: te huajve u ofrojmë ca injorante per ti shoqeruar. Po kesaj ç’i thua?
Masa operative: Kjo informate te shtypet nje kopje dhe ti dergohet Drejtoris Tiranes.
– Te behet nje permbledhje dhe te vihet ne buletinin qe do i dergohët K.Qendror.”
Dy ngjarje me studiues bashkatdhetarë shqiptarë për të dëshmuar situatën e atëhershme dhe metodat që ndiqeshin për ta izoluar e perndjekur Skënder Luarasin.
Studjuesi kosovar, Zekerie Cana në librin “Shpalime historike”. kujton: ”Gjatë qëndrimit në Tiranë me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit doja ti shkoja në banesë edhe prof. Skënder Luarasit që nuk e kisha parë plot gjashtë vjet. Formova numrin në telefon dhe tek po dëgjoja zërin e tij pak të shtjerrur …pedagogu i Universitetit të Tiranës, N.J.… i cili është ngarkuar me detyrë të më ‘’shoqëronte’’ , nuk ngurroi të afrohej dhe të mbante vesh ç’bisedoja…Mu drejtua me tonin qortues: ‘’Lëre atë punë. Ç’të duhet Skënder Luarasi?’’. Mbeta i shtangur – si i vrarë prej së gjalli… Profesorin e dashur Luarasi nuk e pashë kurrë më, sikur që edhe ai vdiq pa e parë Kosovën e tij….’’ Zekerie Cana, “Shpalime historike” Pjesa e dytë, f.473
Ndërsa studjuesi Shaqir Shaqiri kujton takimin e parë (dhe të fundit) me z. Skënder Luarasi në dhjetor të vitit 1979 kur rastësisht e sheh tek shkallët para hyrjes së godinës së Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Kërkonte ta takonte për ta pyetur mbi Zonjën Edit Durham e dy letra të saj që thuhej se i kishte Skënder Luarasi. Por shoqëruesit e pengonin. “E dija që më parë për embargon që vuante z.Luarasi por nuk më kishte shkuar mendja se nuk do të më mundësohej qoftë edhe një takim i shkurtër në praninë e shoqëruesve! M’i jepnin asokohe njëqind ”arësye” pse nuk më mundësohej takimi me të. ”është shumë i sëmurë”, ”nuk takohet me njeri”, etj.Pas tre javësh qëndrimi në Tiranë, krejt rastësisht, duke i përshëndetur ca miq që qëndronin përpara hyrjes së Bibliotekës Kombëtare, njëri nga shoqëruesit e mi (duke mos patur kah t’ia mbante tani) më tha: ”çfarë fati! Ja ku e ke shokun Skënder…Më prezantuan me të dhe i treguan se isha në Tiranë për të tëbuar edhe ca materiale për doktoratën time. Me të kuptuar se ishte fjala për Zonjën Durham, zotit Luarasi iu mbushën sytë me lot dhe me zë të butë, por plot pezm, iu drejtua të pranishmëve me fjalët që edhe sot e kësaj dite tingëllojnë në veshët e mi: -E shihni, pra? Kosovarit të robëruar iu desh të pagonte paksa nga borxhi i madh që kemi ndaj kësaj Zonjeje. E pastaj më akuzoni pse gjithnjë kam ndër mend Kosovën! Ja pra! Kosovari paguan borxhin e mbarë kombit!…Biseduam disa minuta në praninë e të tjerëve, dhe kurrë më s’e pashë. Përsëri ”ra në shtrat, shumë i sëmurë”…Më falni, por nuk mund të përmbahem e të mos them: ”Djalli i martë, e paçin faqen e zezë ata që ndoqën Skënder Luarasin! Por, një ”porosi” e këtij lloji do t’u drejtohet më vonë edhe atyre që sot kanë mundësi e nuk i ngrejnë një lapidar këtij atdhetari e gjeniu të kombit tonë. Ndjesë pastë shpirti i tij fisnik!”
(Shaqir Shaqiri, Djalli i marrtë ata që ndoqën Skënder Luarasin. Intervistoi Albana Gurra, Republika, 14,9,1997 f.21)
Shpresoj se edhe kaq mjafton te kuptohet sjellja ndaj S.Luarasit e qarqeve politike e klanore.