Katër poezi prej Luçija Serregjit (1910-1993) e cila i ka botue ato në shtypin e vjetëve ’30-’40, si te Cirka, Illyria etj. nën pseudonimin Lux Secreta. Poezitë i mora prej gazetës ExLibris, sjellë prej Andreas Dushit.
.
●BRÎ ‘ LISIT TË RRXUEM
prej Lucie Serregji (Lux Secreta)
.
N’skâj të fushës n’blerim stolisë e në lule veshë,
Ku ajri i pastër percjellë jone t’lehta
Te’ i lis i rrxuem shtegtari pá pritë ndeshë…
.
Âsht lisi qi mbí tokë për sá qindvjeta
Nuk ju përkul stuhís as rrfés kërcnuese,
Por tash mbí tokë i mbaroi ditt e veta.
.
Kje sá herë për shtegtarin lândë ngushlluese,
Sá herë nën hije t’tij merzín largonte
Nën lvizje t’degve t’tija shungulluese.
.
Brî tij dikúr sá gjânat i ândrronte
Nen t’Shqypes çerdhe, qi n’kujdes ndërtuemun
E kish per zogjt e vet, ç’n’të kaluemet mote.
.
Ândrra e dikurshme tash kishte kaluemun
Bashkë me trup t’lisit qi nën kup’n e qiellit
Tash s’bâte hije t’xétit me i larguemun.
.
Me mâll kujton at kohë kur nder dit prillit
Bariu me fýll i ndillte t’qeta udhtime,
N’sá grigj’t pushojshin larg rrezeve t’diellit.
.
Sá herë gjuetari ulë brî tij plot gzime,
Me shokun e vet besnik prej gjahut kthyemun,
Vrete sâ shpênd qi vrau, me shum mundime.
.
Por mbasi lisi detyren e ká kryemun,
Mbî tokë pushon, tue dashtë ktê t’falnderojë,
Tue pritë dhe ato qi brî tij i janë shtŷemun.
.
Për me përshndetë, pse mâ s’mund t’i pranojë
Nën t’pastrën hije, ku pau e ndieu sá gjâna
Për të cilat mâ nuk flet, s’difton… s’ká gojë,
.
Mbasi u shuen për tê dhe dielli e hâna.
.
Kaluen, ndonse kadalë, vuejtje e mjerime
Qi qindra vjetsh Shqipnín paten ngujue,
E tash dhe Shqipja krahët i ká t’shtrime
Mbí pelhurë n’t’kuq ngjyrtue.
S’u trêmbet mâ kërcnimeve qi motit,
Deshten m’e bâ të pá-kénun mbi ket botë
Njat tokën e fatosit t’madh, Kastriotit,
Qi sod gzon liri t’plotë.
Tash qi Flamuri valvitet nën kupë t’qiellit,
Difton se i mbushen njizetetre vjet
Ç’se gzon përherë, nën rreze t’arta t’diellit
I lír n’tokën e vet.
Shtiellu n’ajrí, dija plakut bujár
Qi t’shkûndi për tokë pluhnin e robnís,
Qi t’naltoi n’Vlonë e t’bâni mâ krenár
Nepër çdo kând t’Shqipnís.
Shtiellu n’ajrí e nën fletë t’shpêndit t’zí
Rueje ket tokë me gjak fatosash lámun,
T’cillt s’u kursyen e për me t’pá n’lirí
Deken me ndér kan bâmun.
Rrnosh prá për jetë Flamur i ynë n’liri,
Rrnosh tue e gzue përherë kombin shqiptarë
Qi jetë i uron sunduesit t’ksaj Mbretní
Mbretit t’vet Zogut i Parë.
.
Lodhun delet prej diellit
Mrizojnë nen t’hapten hije
T’degve qi nen kupë t’qiellit
Lshon ahi, n’sá per brîje
Vû kryet permbí tesha
Pushon dhe blegtoresha.
.
Dhe dy sýt t’kjarët si drita
Fillon m’i a rrêjtun gjumi,
Pse sá kish nisun dita,
Sá ishte freskue n’ujë lumi,
Tue pshtjellë kryet n’rubë me lara
Kish vûe berret përpara.
.
Hova hova e lét era
Lote me flokët e shprishun
Qi n’báll lshote perhera,
Dhe permbî pêmë, si t’grishun,
Tubë zogjët ishin vêndue
Si t’dojshin me këndue.
.
S’ish ditë qi n’at kohë zhegu
Mos t’a trazote fylli
Qi bite n’at anë bregu,
Dér n’kohë qi i mbramjes hylli
Niste atje nalt me ndritë
Si shêj se s’kish mâ ditë.
.
I gëjatë prá s’ish pushimi,
Pse, bash nder jone t’para
E çote ambel tingllimi
Qi tue pershkue sá ara
I kthielltë nder veshë i vîte
Thue se krejt ngëjet sajë bite.
.
Por n’ket ditë për çudí
Kush-di çka do t’andrrote
Blegtoresha, e s’kish ndî
Fyellin qi prorë e gzote.
S’ndîhej gjâ n’at anë lumi…
S’kish çka me e çue prej gjumi.
.
Ç’prej asajë ditë perhera
Dote me dijtë, pse s’ndîhej,
Pse nuk i a bite era
T’fyellit jonet?… e mnîhej,
Pse s’e gzote n’kohë t’qetë
Veç kanga e zogjve e letë.
.
Kish muejtë dikúr t’hetote
Larg n’nji fushore t’blerë
Nji barí, qi pushote
Dhe aj, n’sá e kandshmja erë
Kangët i a trette pá dá,
Por tash, s’u shifte mâ.
.
Tue dalë me dele shifej
Nji plakë prej vjetësh perkulë,
Por fyelli mâ nuk ndîhej.
Blegtoresha, tu u ulë
Bregut, shpesh desh me pvetë
Çka fyellin e kish gjetë…
.
Q’kahmot nen strehë nii çerdhe,
Me shum kujdes ndertue
Pritte nji, “mirë se erdhe”
Dallndyshës me i a drejtue,
Porsá t’kthehet prêndvera
Permbî fushat e blera.
Sá t’kthiellë ruejti kujtimin
E ditve qi kaluene
Kúr t’vogjlit zogj gezimin
Mrênda sajë e provuene,
N’sá nana fluturim
I siellte pak ushqim.
Atje prej vêndesh t’xéta
Dallnysha shpesh ândrrote,
N’sá i shkûndte t’létat fleta
Ndoshta dhe u permallote,
Dishrote qi perhera
T’rrite mbi tokë prêndvera.
S’kish gzim nder vênde tjera
Veç t’ftoftit e ngushtote
M’e lânë, sá t’hikte vera,
Çerdhen qi fort e dote,
Kohë t’gjata me kalue
N’vênde qi s’kish dishrue.
Po pse, dallnyshë e ngrata!
Pse s’gzon nder vênde tjera?
Dhe atje me krânde t’thata,
Si i gjete ktû perhera,
Çerdhen do t’késh ndertue.
Çka prá atje t’bân me psue?
Dishron vendin e dashtun,
T’pelqen veç çerdhja e vjeter,
Rreth s’cilles, tue mos drashtun,
U knaqshe, s’dojshe tjeter
Banim mâ t’mirë e t’qetë
Se atê qi e lae të shkretë.
Shpejt prá se erdh prêndvera,
Gatou per fluturim;
Hidhu kah t’shtŷeje éra,
Largoje ç’do mjerim;
Pershndeti vêndet tjera
E kthe nder fusha t’blera.
Sâ ké me u gzue kúr, s’largu,
Çerdhen ké me hetue,
Me u shkputun ké prej vargu,
Shoqet ké me i kalue;
Porsé çka pate ândrrue
Sot shum ká me t’trishtue.
Ké me kerkue, por kot,
Nuk ké me gjetun mâ
Çka pate ndreqë kahmot;
Si ké tash me i a bâ?
Kush t’a rrenoi banimin,
Kush po t’a siell mjerimin?
T’u kput pra shpresa e jote,
Tash siellu rreth plot vajë,
Dikuer zêmra t’u gzote,
Por tash s’ké mâ uzdajë.
Nuk kan me t’pá mâ fmija
Qi tash janë mshehë nder shpija.
Ndoshta tash janë pêndue
Pse kot t’a prishen çerdhen.
Shoqet qi ké kalue
Qe, shpejt mbas tejet, erdhen,
Gjeten t’vetat banime,
Veç ti… Provon idhnime…