Xhorxh Noel Gordon Bajron
22 janar 1788 – 19 prill 1824
Poeti që e shpalli gëzimin një madhështi hyjnore.
Në vitin 1823 një breshëri brohoritjesh përshëndeti Lord Bajronin, që u nis të bashkohej, si vullnetar, me radhët e kryengritësve, ndonëse nuk jetonte vetëm e nuk u largohej njerëzve dhe, kur duhej të fliste si krijues, u nis të përdorte armët. Poeti, në të vërtetë, e kishte braktisur prej shumë kohësh Anglinë, i dëbuar nga skandali, ai ishte vendosur në Itali. Ai qe liberal dhe, ndonëse revoltohej menjëherë, mbahej krenar, shpesh i prapë, trishtë, po edhe njeri i gëzuar, i thjeshtë, i komunikueshëm. Udhëtimi në Greqi qe gjesti i fundit i romantikut të madh, lamtumira e tij dramatike që i dha jetës. Duket se i humbi të gjitha: femrat, miqtë, shëndetin, gjithçka për hir të artit dhe të drejtës njerëzore. Bajroni vdiq pak më vonë, në Misolongj, i dërrmuar nga ethet dhe lodhja e fushatës. Ishte 36 vjeç. Ai kishte një shqisë të përsosur, ndonëse jeta e vuri në provën më të skajshme.
Bajroni është poet romantik anglez, lord dhe njëri nga poetët romantikë më të mëdhenj të të gjitha kohëve. Gjenia poetike e Bajronit është lavdëruar dhe lëvdohet në mbarë botën. Ai ushtroi ndikim të madh mbi bashkëkohësit, por dhe mbi brezat pasardhës të poetëve. Përjetoi periudha të rënda, endja dhe veçimi nuk e pengoi kurrë të komunikonte me këdo dhe sidomos me bashkëluftëtarët grekë. Ai njohu kurdoherë dëshpërim e vuajtje, por ai gjente gjithmonë shpresën dhe vullnetin për të luftuar e për të krijuar. Epoka kur jetoi dhe krijoi quhet e Napoleonit dhe e Bajronit. Emri i poetit anglez është i shtrenjtë për ne shqiptarët, sepse i këndoi me frymëzim dhe me dashuri virtyteve të njerëzve tanë: trimërisë, mikpritjes, besës dhe fisnikërisë (Kënga e dytë e ditarit në vargje “Shtegtimet e Çajld Haroldit”).
Xhorxh Noel Gordon Bajron ka lindur në Londër më 22 janar 1788. I ati i poetit të ardhshëm, Xhon Bajroni, ishte aristokrat nga derë e madhe lordësh anglezë. Si mbaroi Akademinë Ushtarake në Francë, shërbeu në Gardën Mbretërore Angleze dhe fare i ri mori pjesë në luftërat e Amerikës. Për karakterin e bujshëm, për sjelljen e papërmbajtur dhe për borxhet e mëdha që bënte e thërrisnin “Xheku i Çmendur”. Shikimi i mprehtë e i vendosur, balli i madh e i kërcyer si një brerore e pështjelluar në kaos, njeriu i gëzuar, gjithnjë krijonte një prag stuhie, një terr të mbushur me rrufe, një kaos, një plojë. Unë jam njeri i lirë, unë jam durimi, vullneti dhe gëzimi! Po patët durimin, keni jetën, po patët vullnetin, keni krijimin, po patët gëzimin, keni dashurinë! Pikërisht ai e shpalli gëzimin një madhështi hyjnore.
E ëma e tij ishte grua e ashpër, me prejardhje nga dera mbretërore skoceze. Familja Hajt nuk e priti mirë martesën, kurse kapiteni Xhon Bajron as që donte të dinte për zakonet puritane të Hajtëve: kohët që qëndroi në Skoci vetëm kërcehej e këndohej deri në mëngjes. Ai mahnitej duke parë shfaqjen e egër dhe madhështore të natyrës, dukje e shijuar thellë shpirtin e saj, si një dhimbje e Zotit e një nënshtrim mistik. Kapiteni u bë sidomos i padëshiruar kur e bëri rrush e kumbulla pasurinë e madhe të trashëguar nga paraardhësit, lordët Bajron. Shpejt u bindën se “dhëndërrushit” i duheshin vetëm paratë e tyre, të cilat po ashtu i shpenzoi.
Djali ishte po aq i bukur sa dhe i ati, por kur filloi të ecte, e ëma e tmerruar vuri re se çalonte. Gati-gati shkrofëtinte nën dritën e verbët të vetëtimave. Konsultat mjekësore ia përcaktuan diagnozën: kishte lindur me pejza të kavileve të paralizuara, ndaj dhe porositën këpucë ortopedike, por Bajroni vazhdoi të çalonte dhe kështu bëri tërë jetën. Pikërisht kjo ndikoi për keq në sedrën e poetit të ardhshëm. Prej kësaj sedre doli një burrë i paepur dhe pas tij u duk një grimë drite rrufeje ai pa fytyrën nazike, aq sa të bukur edhe mizore. Aq sa e urrente veten, ose me mirë, aq sa e përbuzte atë, aq edhe e donte. Një i njohur i Bajronit citon këto fjalë të poetit: “Në qoftë se ky (tregoi me gisht ballin) më lartëson mbi njerëzit, këto (tregoi me dorë këmbët) më poshtërojnë sy të tjerëve”. Djaloshi bukurosh, flokëzi, sykaltër dhe elegant, kaloi një fëmijëri të gëzuar dhe të mbushur me ngjarje. Nuk iu shua kënga në shpirt ndonëse e kaplonte vazhdimisht një valë tërbimi. Ajo edhe i mbeti. Gjithnjë ishte gati të thërriste në shtrëngatë. Kjo dhe u bë dita dhe nata e tij, stuhia e fuqishme!
Natyra piktoreske e Skocisë, me malet, luginat, pyjet dhe detin e mrekullueshëm, e këndellnin, afria me njerëzit e thjeshtë e fisnikëronte, jeta e lirë ia ngrinte peshë shpirtin e ndjeshëm, mësimet e fillores dhe leximet argëtuese i jepnin vetëm kënaqësi. Entuziazmi fëmijëror iu rrit kur zuri të imitonte poezi apo të sajonte vetë vargje. Megjithatë ishte ende herët. Kohët e një ndjeshmërie të artë do të vinte. Ai ndjente mbi vete vrullin e pasionit krijues që do ta bënte të famshëm në botë. Vetëm pas vdekjes së dy të afërmve, mundi të fitonte të drejtën e titullit lord. Ishte vetëm dhjetë vjeç dhe ngjarja e shënuar ia ledhatoi së tepërmi sedrën djaloshit. E pa veten përfaqësues të fisit të Bajronëve. Kështu që u largua nga Skocia dhe erdhi në Londër. Filloi kështu një jetë e re. Së largu dukeshin zjarret mbi brymën e natës…
Bajroni u regjistrua në kolegjin Harou, ku, lordi i vogël i shpalosi dhuntitë jo të pakta që kishte: gojëtaria, thurja e vargjeve, dëshira dhe etja e madhe për të lexuar e të pajisej me dije. Shpirti i fryhej nga era dhe tërhiqej jashtë në natyrë, egoizmi i vërtitej nëpër hatullat e vetvetes, digjej nga ankthi për të bërë gjëra të jashtëzakonshme. Sepse i kishte vënë re kundërshtitë dhe prapësitë e jetës, e dinte dhe se ç’qe hidhërimi e dhembja, zhgënjimi e tirania. Ja, erdhi koha: të gjitha këto do t’i tregonte në poezitë e para që krijoi. Nuk ishin të përsosura, por dora e sigurt dhe fjala e saktë gjithkund e nxirrnin kokën. Ai e dëgjonte zërin e brendshëm, ndaj dhe shfrynte, godiste befas dhe pas pak tronditej thellë, ose qeshte hareshëm mbi të tjerët. Kështu, atij do t’i mbetej vragë për gjithë jetën dashuria fatkeqe për thjeshtrën, Augustën, grindjet e së ëmës, që jo rrallë e kalonin cakun e lejueshëm… Ecte vazhdimisht përpara, i bindur se shpejt do ta gjente rrugën e duhur.
Bajroni botoi vëllimin poetik ‘Orët e pushimit’ (1807) kur ishte ende student në Universitetin e Kembrixhit. Biografët e Bajronit vënë në dukje se që në vogëli iu kultivua ndjenja e vetmisë. Ia shkaktonte mjedisi, por dhe ceni fizik e dashuria e pafat. Patën frikë se mos skandalizohej dhe ashtu ndodhi, ndonëse zotëronte një buzëqeshje përplot empathi, e cila ngjallte besim. Kjo ndjenjë erdhi e iu forcua me kalimin e viteve dhe do të bëhet dominuese në poezinë e Bajronit, madje i nxjerr kryet dhe në vëllimin e parë poetik që botoi. Atij iu ngulit mendimi për të udhëtuar dhe e braktisi Universitetin, por u përpoq t’i bindte të afërmit se udhëtimi do t’ia plotësonte më së miri dijet dhe njohjen e jetës. Dhe deklaroi pa zë, pa fjalë por me qëndrim të heshtur: larg botës së qytetëruar! Botë e prishur dhe e pa shpresë! Le të shkonin drejt Lindjes! Atje ku qytetërimi nuk i kishte shtrirë kthetrat dhe njerëzit jetonin sa më afër natyrës dhe respektonin zakonet. Sigurisht që ndjeu dhe ndikimin e Rusoit. Ndjenjë e bukur, hamgjitëse, finoshe, gati si një lule, që i hap petalet në sytë e tu. Vezullonte bari dhe margarita e bardhë e egër… Në vitin 1809 u largua nga Anglia, udhëtimi deri në Konstandinopojë i la mbresë të pashlyeshme. Adhurimi për Lindjen nuk iu shua gjatë gjithë jetës. Udhëtimi i parë zgjati dy vjet.
Kthimi në atdhe e pikëlloi edhe më shumë se më parë, shtoju të tjerave dhe vështirësitë financiare. Solli me vete pjesë nga “Shtegtimet e Çajld Haroldit”. Miqtë u kujdesën që t’ia botonin, të mahnitur nga ato që lexuan. Ndodhi mrekullia që Bajroni do ta kujtonte me fjalët: kishte rënë të flinte i panjohur dhe kishte gdhirë i famshëm. Ishte viti 1812. Figura hamgjitëse e shtegtarit të trishtuar, me dhembjen therëse në shpirt, por me etjen e pashoqe për liri dhe për të rilindur, tablotë poetike, njëra më e madhërishme se tjetra, të vendeve ekzotike, poezia e natyrës, e maleve, e detit, dashuria, këngët, gjaku që aq shpesh ndryshon ngjyrë, drita e hënës…, i siguruan veprës një sukses të bujshëm dhe të gjatë. Dritë në terrin e zi e të përflakur të shtrëngatës nën shiun e furishëm! Punën e nisur do ta vazhdonte me më shumë frymëzim dhe e tërë poema do të botohet në vitin 1818. Poezia e Bajronit u prit si manifest i një brezi të tërë, që e mbante epokën, në të cilën po jetonte, ndonëse një epokë e mbetur prapa kohës. O ç’plagë po hapeshin! Ç’vuajtje! Si i gjithë brezi i moshatarëve, edhe Bajroni shpresat për triumfin e drejtësisë dhe të lirisë i mbanin te fitorja e Revolucionit të Madh Francez të vitit 1789, por që me trishtim vunë re zëvendësimin në Francë të republikës me diktaturën, më vonë me perandorinë. Mos duhej një poezi që të dukej si e marrë! Mos duhej vetëm të këmbëngulte më kot? Jo! Shpesh pikaste te kjo poezi një të njohur të vjetër, edhe pse tingëllonte si intuitë, që kthehej në një zhgënjim sfilitës dhe pikëllim i thellë, ndoshta nga ëndrra e gënjyer, që me aq madhështi dhe mrekullisht bukur e përshkon tejetej poezinë e Bajronit, aq më tepër që karakterizon atmosferën mbytëse të atyre viteve. Me të drejtë është bërë zakon që Bajroni të thirret “bir i shekullit”. Nuk është e lehtë të bëhesh mjaft i famshëm…
Motivi i mëdyshjes ndërmjet të përditshmes meskine e vulgare dhe fluturimeve romantike të shpirtit liridashës, por që dergjet me shpresa të paplotësuara, i diktoi veprës madhore të Bajronit një dramatizëm të veçantë. Në poezitë dhe poemat e tij gjejmë edhe rebelimin kokëkrisur, edhe dëshpërimin e pandreqshëm, edhe krenarinë e nëpërkëmbur, edhe ndijimin e sëmurë të plagës së shekullit, atë që Pushkini e ka quajtur “shpirt i plakur parakohe”. I gjejmë të përqendruara në heroin lirik bajronian, që është i vetëm në llojin e tij. Por, megjithatë, bënte përshtypje të madhe. Ishte rangu i saj i lartë! Dhe krijimtaria e Bajronit u bë objekt imitimesh të papara deri atëherë, por edhe me polemika e debate të zjarrta, duke përbërë atë, që njihet tanimë me emrin “bajronizëm”. Janë vitet e lavdisë së ndritur të Bajronit.
Ndërkaq në jetën private të poetit ndodhën ndryshime të konsiderueshme: u martua me Anabela Milbenkun. Bajroni kërkonte jetë të qetë familjare, mundësi sa më të mira për t’iu kushtuar punës dhe i besoi ndjenjave të vajzës, u martua. I mirëpriti me afsh ndjenjat e saj, ai u përfshi me shpirt të madh përplot shpërthime që i vinin nga një ndjesi e vërtetë dhe e paparashikueshme. Dhe vasha bëri çmos që ta qetësonte e ta bënte që të rilindte bashkëshorti i shquar, por u gabua në përllogaritjet e veta, se nuk i pati parasysh as karakterin dhe as pikëpamjet e Bajronit për jetën dhe për femrën. Nga ana e saj Anabela e quante se kishte zgjedhur bashkudhëtarin më të përshtatshëm të jetës, të tillë që do ta shpinte drejt përjetësisë. Dasma u luajt më 2 janar 1815. Nervozizmi i Bajronit e trembi vajzën, eksitimi tej mase dhe depresioni që e shoqëronte flisnin për çrregullime të sistemit nervor. Pritej gjendja të përmirësohej. I kërkonin falje dashurisë, qenies kaq të bukur, mundimit, fatit… Kur u lindi vajza, Ada, nëna e re shqetësohej për edukimin e së bijës, sepse i ati e tregonte veten të paekuilibruar. Bajronin zunë ta mbikëqyrnin mjekët psikiatër, ta ndiqnin ngado që shkonte. Në njërën nga ditët Anabela e mori vajzën dhe u largua nga i shoqi. Në vitin 1816 u ndanë me gjyq. Skandali u fry edhe nga lajmi për marrëdhëniet jo të ligjshme që kishte me thjeshtrën, me Augusta Linë, të cilën Bajroni e ka dashur më shumë se çdo grua tjetër. I ka kushtuar disa nga poezitë e tij më të ndjera. Nuk u bë heshtje. Po e mbajti vullneti i tij i fortë dhe mësimi i Plutarkut se njeriu duhet t’i nënshtrohet fatit. Kur fati u bë gati ta ndiqte, ai zhdukej në errësirë. Dendur zhytej thellë në ndjenja melankolike e delikate, po askush nuk dëgjonte asgjë, aq sa shpirti i tij nuk nxirrte tingull. Por ai të magjepste me furinë hyjnore të poezisë së tij. Për Bajronin këto kanë qenë ditët më të vështira të jetës. Aristokracia i ktheu krahët, gratë, me ta parë, largoheshin si të kishte lebrën, burrat nuk ia jepnin dorën. E kërcënonte dhe procesi gjyqësor për shkelje të moralit. Në këtë gjendje zgripi, vendosi ta braktiste atdheun për të mos u kthyer më. Mori me vete si kujtim vetëm mallkime dhe protesta. Ishte viti 1816.
Lord Bajroni në fillim jetoi në Zvicër, më pas në Itali. Ishin vërtet vite pune produktive: përfundoi pjesën e tretë dhe të katërt të “Shtegtimet e Çajld Haroldit”, ku gjeti pasqyrim dhe kriza e thellë shpirtërore – pllakosur pas largimit nga atdheu, por edhe lind sërish shpirti liridashës nga shpresa, duke iu përkushtuar luftërave çlirimtare të popujve kundër sundimit otoman. Atëherë shkroi dramën “Manfredi” (1817), që përshkohet nga pikëllimi bajronian, por edhe nga besimi te lufta për liri. Gjithashtu ai shkroi dhe monologun e njohur “I burgosuri i Shilonit” (1818) ku lavdërohet theroria në emër të lirisë dhe mallkohet tirania e pashpirt! Ndërkohë ai përfundoi njërën nga veprat më të mëdha që shkroi, romanin në vargje “Don Zhuan” (1819-1824), që Gëte e ka quajtur veprën më të mirë të Bajronit. Sa e vogël, sa e zakonshme dukej, po në të vërtetë ajo shkëlqente, me zjarr, me shumë zjarr ngadhënjyes!
Në Itali Bajroni u njoh nga afër me monumentet madhështore të kulturës antike dhe të Rilindjes Evropiane, jetoi më gjatë në Venecia, ku u njoh me Tereza Guiçolin, një konteshë në moshë të re, e martuar me një kont 60-vjeçar. Dhe u dashuruan me shikim të parë! Kontesha shquhej për bukurinë fine, për flokët e verdhë, të gjatë dhe kaçurrela, që i derdheshin mbi supe, fytyra përplot ndjenja të fuqishme dhe ekzaltim të thellë…, doemos edhe nga njohja me poetin me famë botërore. Tereza Guiçoli – një natyrë e lindur romantike, pranoi që të jetonte në një vilë me Bajronin, ndonëse po komprometonte kështu emrin e mirë që gëzonte në shoqërinë e lartë. Nuk u deshën sakrifica, as fatkeqësi, kundërshtime, harresa, madje as portretet e tyre të dashura nëpër albume etj.
Se marrëdhëniet me poetin e famshëm Tereza i rrethonte me brerore poetike rrëzëlluese. I vuri vetes si qëllim: me dashurinë e saj të madhe ta ndihmonte poetin e pikëlluar që ta vazhdonte me sukses krijimtarinë në dobi të njerëzimit, mbi të gjitha, synonte që brenda tij të ringjallej besimi i humbur te dashuria. Detyrë fisnike, por aspak e lehtë, po të kihet parasysh mendimi përçmues që kishte Bajroni në atë kohë për gratë (“Jepini gruas një pasqyrë dhe ca ëmbëlsira dhe ajo do të jetë e kënaqur nga jeta”, – ka thënë…), dhe në përgjithësi Xhorxh Bajron nuk është shquar për dashamirësi ndaj seksit femër, i rikrijonte artistikisht ashtu si duhej të ishin e jo si qenë në të vërtetë. Atë e shoqëronte fërgëllima e beftë të femrës tunduese e lozonjare, që është mësuar vetëm ta dashurojnë e t’i plotësojnë çdo tekë. E kishte të rrënjosur thellë në vetëdijen e tij të lënduar nga jeta se femrat e kishin bërë fatkeq. T’ia shkulje, siç dëshironte të bënte Tereza Guiçoli, kjo ishte një punë e vështirë dhe, ndoshta, e pamundur. Sidoqoftë, me përkushtimin ndaj tij, kontesha arriti që Bajroni ta dashuronte dhe ta respektonte. E shihte dhe e ndiente me dhimbje dhe kjo, megjithatë, po i ndodhte për herë të parë.
Në vitin 1823 u përhap lajmi i kryengritjes së grekëve kundër turqve për çlirim kombëtar nga zgjedha otomane. Mendimi për çlirimin patjetër të vendit, që mbahej si djepi i kulturës botërore, e pushtoi të tërin Bajronin. Në pranverën e vitit 1823 ishte gati ekspedita e financuar prej tij, që do të nisej për t’i ardhur në ndihmë kryengritësve grekë. Po ja që realiteti nuk i ngjante ëndrrës. Megjithatë ai ishte stoik, nuk i pëlqente cenimi i moralit, gjithnjë i pastër dhe korrekt. Ai përherë i gjente forcat të nënshtronte ndjenjat për hir të një qëllimi të lartë.
Ndër kryengritësit qenë të forta klanet që luftonin më shumë ndërmjet vetes sesa të bashkuar kundër pushtuesit, intrigat dhe lapërdhitë ishin çmeritëse, s’kishin të sosur, mungonin specialistët ushtarakë që do ta drejtonin luftën, ndihej mungesa e armëve. Grekët e pritën Bajronin me ankth të gëzuar. E morën në krahë e tyre të ngrohtë. Poeti i madh e ndjeu ligsht veten, në këtë gjendje ligështimi shpirtëror i kaloi ditët e fundit që i kishin mbetur në Misolongj. Gjatë një rrugëtimi kaluar në rrethinat e qytetit, Bajroni u ftoh dhe zuri shtratin për të mos u ngritur më. Vdiq më 19 prill 1824. Ishte vetëm 36 vjeç. Është thënë se vdiq nga ethet, por katër mjekët që i bënë autopsinë, ia gjetën trurin në gjendje të vajtueshme: korja ishte ngjitur pas cipës së kafkës, kurse pjesa e butë e trurit ishte e mbuluar me gjak. Por megjithatë, sikur do të ngrinte kokën krenare, kokën e një djaloshi por të rrëgjuar përpara bukurisë verbuese të lirisë, përplot tundim e rreptësi.
Është e vështirë që të përshkruhet pikëllimi popullor që pllakosi Greqinë. Ndaj dhe donte ta varroste me nderime madhështore përbri heroit kombëtar të Greqisë Tezeut, por fitoi mendimi për ta varrosur në vendlindje, në Njustad dhe jo në “Qoshen e Poeteve” në Londër…
Rishikuar, Tiranë, korrik 2025