Nga Serge Schmemann – NYT/
Pak takime të nivelit të lartë Lindje-Perëndim në historinë moderne janë paraprirë nga kaq shumë spekulime dhe pasiguri sa takimi i së premtes mes Trump-it e Putinit në Alaskë. Pak, në mos asnjë, kanë përfunduar me më pak qartësi.
Por ajo që ishte e qartë ishte se Vladimir Putini doli i kënaqur. Duke lexuar shënime të përgatitura, që ngre pyetjen nëse ishin shkruar para takimit, në një konferencë shtypi pas tri orësh bisedime, presidenti rus dukej i kënaqur me faktin që ai, një i izoluar dhe kriminel lufte i shpallur në Europë, po zhvillonte një takim miqësor ballë për ballë me presidentin e Shteteve të Bashkuara, dhe pikërisht në tokë amerikane, pranë Rusisë.
Ai bëri komplimente për presidentin Trump, madje duke sugjeruar se Trump kishte të drejtë kur tha se po të ishte president në atë kohë, nuk do të kishte pasur luftë në Ukrainë. Ai foli gjatë për trashëgiminë ruse dhe ortodokse të Alaskës, për rëndësinë e hapjes së një faqeje të re në marrëdhëniet SHBA-Rusi, për potencialin e madh të tregtisë mes dy vendeve (që e bëri Trump-in të buzëqeshte). Por për luftën në Ukrainë, ai iu kthye sërish skenarit të vjetër: që për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme duhen eliminuar të gjitha “shkaqet rrënjësore” të konfliktit, të cilat sipas tij janë të gjitha në anën e Ukrainës.
Trump, i cili para takimit dukej se po lëvizte drejt një qëndrimi më të ashpër ndaj Rusisë, duke kërcënuar me “pasoja shumë të rënda” nëse nuk kishte armëpushim dhe madje duke sugjeruar se Putin po e përdorte, në këtë takim u rikthye tek admirimi i tij i hershëm për “Vladimirin” (Putini nuk e ktheu publikisht me “Donald”).
Trump qeshi me akuzat për ndërhyrje ruse në zgjedhjet amerikane, “mashtrimi rus, rus, rus”, siç e quajti ai,dhe falënderoi Putinin për një “takim jashtëzakonisht produktiv.” Sa për Ukrainën? Trump tha se “ranë dakord për shumë pika” dhe foli për “progres të madh” dhe “njëfarë përparimi”, pa dhënë detaje, por pranoi se “nuk ka marrëveshje derisa të ketë marrëveshje.” Ai tha se do t’i telefononte disa udhëheqësve kyç të NATO-s dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për t’u dhënë një përmbledhje.
Këto telefonata mund të hedhin më shumë dritë mbi çdo mirëkuptim që arritën dy presidentët, dhe mbetet e mundur që takimi të ketë prodhuar diçka që mund të quhet progres.
Por ishte e vështirë të shmangej përshtypja se Putini ia kishte dalë sërish të fitonte më shumë kohë për luftën e tij, e cila aktualisht po i ecën mbarë. Kur Putini bëri një shaka, në anglisht, se samiti i ardhshëm duhet të mbahej në Moskë, Trump u duk i kënaqur: “Kjo është interesante,” tha ai, “Nuk e di. Do të më kritikojnë pak për këtë, por mund ta shoh si të mundshme.”
Më e mundshme është që Trump ta humbasë interesin për t’i dhënë fund luftës. Kur tha se do t’i telefononte Zelensky-t dhe europianëve, ai shtoi: “Në fund të fundit, kjo u takon atyre.” Sërish nuk dha hollësi, por duke marrë parasysh besimin e tij në aftësitë për të bërë marrëveshje dhe instinktet e veta, tingëllonte sikur ishte gati ta linte këtë çështje pas dore. Kjo do të shpjegonte gëzimin e Putinit dhe do të ishte një goditje për Ukrainën. / New York Times – Syri.net