Njëherë Nastradini i kërkoi gruas bukë. Ajo i solli një copë të madhe dhe ia vuri përpara.
– Grua, i tha Nastradini, më jep pak djathë. Djathi është ushqim i mirë, ai të hap oresksin, të shton gjakun dhe të permirëson shikimin.
– O Zot ! u përgjegj gruaja, djathi mbaroi, nuk ka mbetur asnjë copë.
– Më mirë që ka mbaruar, tha Nastradini. Djathi të prish dhëmbët, të shkakton dhimbje të forta në stomak, të shurdhon.
– E ç’është kjo ? e ndërpreu gruaja. Ti njëherë thua ashtu dhe njëherë kështu, kë të besojmë?
– Në qoftë se do të kishte djathë, beso të parën, deri sa nuk ka, beso të dytën.