Dhjetëra mijëra protestues dolën në rrugët e Tel Aviv të shtunën për të kërkuar përfundimin e luftës në Rripin e Gazës, një ditë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi planin e tij për të pushtuar Qytetin e Gazës, qytetin më të madh në territorin palestinez.
VOAL- Pas 22 muajsh lufte, Netanyahu po përballet me presion të madh nga Izraeli dhe jashtë vendit për t’i dhënë fund ofensivës së tij në Rripin e Gazës, ku më shumë se 2 milionë palestinezë kërcënohen nga “uria e përhapur”, sipas Kombeve të Bashkuara.
Sipas planit të miratuar nga kabineti izraelit i sigurisë, ushtria po “përgatitet të marrë kontrollin e Qytetit të Gazës”, një zonë urbane kryesisht e shkatërruar në pjesën veriore të territorit.
Të shtunën në Tel Aviv, gazetarët e AFP në vendngjarje vlerësuan numrin e protestuesve në dhjetëra mijëra, ndërsa forumi i familjeve të pengjeve e vendosi shifrën në 100,000. Autoritetet nuk kanë dhënë një vlerësim zyrtar. Protestuesit mbanin pankarta dhe foto të pengjeve që mbahen ende në territorin palestinez, duke i kërkuar qeverisë të sigurojë lirimin e tyre.
Hamasi, i cili ende mban 49 pengje, 27 prej të cilëve supozohet të jenë të vdekur, tha të premten se vendimi i Izraelit për të pushtuar Qytetin e Gazës nënkupton “sakrificën” e pengjeve të rrëmbyera gjatë sulmit të paprecedentë të lëvizjes islamiste palestineze ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.
Familjet e pengjeve dhe aktivistët izraelitë për paqe me palestinezët po bëjnë thirrje për një armëpushim me Hamasin për të siguruar lirimin e të burgosurve të mbetur. Por brenda qeverisë së Benjamin Netanyahut, e djathta izraelite e vijës së ashpër dhe mbështetësit e saj duan të vazhdojnë të pushtojnë dhe aneksojnë më shumë territore palestineze, duke injoruar kritikat ndërkombëtare.
Përveç çarmatosjes së Hamasit dhe kthimit të “të gjithë pengjeve, të vdekur dhe të gjallë”, plani synon të demilitarizojë Rripin e Gazës dhe ta vendosë atë nën kontrollin izraelit përpara se të krijojë një “administratë civile” që nuk do të jetë “as Hamasi dhe as Autoriteti Palestinez”, deklaroi zyra e Netanyahut të premten. “Ne nuk do ta pushtojmë Gazën, por do ta çlirojmë Gazën nga Hamasi”, i cili e ka sunduar territorin që nga viti 2007, deklaroi Netanyahu. Pas njoftimit të këtij plani, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë një takim urgjent mbi Gazën në orën 10:00 të së dielës, sipas disa burimeve diplomatike. Njoftimi i këtij plani shkaktoi mosmiratim ndërkombëtar, nga Gjermania, një nga aleatët kryesorë të Izraelit, deri te Bashkimi Evropian, Franca, Kina, Rusia dhe shumë vende myslimane.
Ushtria izraelite aktualisht pushton ose vepron në terren në gati 75% të Rripit të Gazës, kryesisht nga pozicionet e saj të përhershme në territorin përgjatë kufirit. Izraeli pushtoi Gazën në vitin 1967 dhe krijoi një seri prej 21 vendbanimesh, të cilat u çmontuan me tërheqjen e njëanshme në vitin 2005.
Të shtunën, Mahmoud Bassal, zëdhënës i Mbrojtjes Civile të Rripit të Gazës, raportoi se 37 persona u vranë nga sulmet ose zjarri izraelit, përfshirë civilë që prisnin shpërndarjen e ndihmës ushqimore. Sipas Bassal, 12 persona u vranë dhe gati 200 u plagosën kur forcat izraelite hapën zjarr ndaj tyre ndërsa ata u mblodhën pranë një pike kalimi në Gazën veriore që përdoret për shpërndarjen e ndihmave.
Operacioni izraelit në Gaza ka marrë tashmë 61,369 jetë, shumica e të cilëve civilë, sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë e Hamasit, e cila konsiderohet e besueshme nga Kombet e Bashkuara.
Nga ana izraelite, sulmi i pashembullt i Hamasit më 7 tetor 2023, rezultoi në vdekjen e 1,219 personave, shumica e të cilëve civilë, sipas një llogaritjeje të AFP bazuar në të dhëna zyrtare.Agjencitë/RSI