Analisti Fatos Lubonja ka reaguar ashpër për rrethimin e televizionit News24 dhe bllokimin e punës së gazetarëve, pas moslejimit të hyrjes në ambientet e punës dhe ndërprerjes së energjisë elektrike.
Lubonja e cilësoi situatën si një sulm të paprecedentë, duke kujtuar se precedentë të tillë i ka krijuar vetë kryeministri Edi Rama.
“Unë punoj në News24 dhe disa vite më parë, Edi Rama mbylli me dhunë televizionin ku punoja atëherë, Agon Channel. Për këtë rast pati gjyq në SHBA dhe qeveria shqiptare u dënua me pagesën e qindra milionë dollarëve. Por askush nuk u ndëshkua. Përkundrazi, këto akte po përsëriten,” tha Lubonja.
Ai theksoi se nuk bëhet fjalë vetëm për një goditje ndaj medias, por për një “sulm banditesk” që shkel ligjin dhe drejtohet, sipas tij, nga një “bandë me në krye Edi Ramën”.
Në aspektin juridik, Lubonja kujtoi se Avokatura e Shtetit ka deklaruar se është në proces ekzekutimi të një vendimi të Gjykatës së Apelit Administrative, të datës 13 korrik. Sipas tij, problemi është se prona në fjalë është në pronësi të bashkisë dhe për përdorimin e saj duhet të vendosë këshilli bashkiak, jo qeveria. Ai akuzoi kryeministrin se ka vendosur me VKM në favor të kompanisë “KAYO”, prodhuese armësh, duke e cilësuar këtë si të paligjshme dhe në shkelje të kompetencave të pushtetit vendor.
Lubonja paralajmëroi se kontrata i jep “KAYO”-s të drejtën që, pasi të marrë pronën, të lëshojë leje ndërtimi për ngritjen e kullave private në zonë — duke ngritur dyshime për klientelizëm dhe abuzim me ligjin.
“Ky është modeli i Edi Ramës: shkelje e ligjit, mbrojtje e klientelës së vet dhe sulm ndaj çdo mediaje që nuk është nën kontrollin e tij,” përfundoi Lubonja. bw