Burnley ka përfunduar transferimin e sulmuesit shqiptar, Armando Broja, nga Chelsea, me një kontratë pesëvjeçare, e vlefshme deri në vitin 2030.
Klubi anglez konfirmoi marrëveshjen, ndërsa shuma e transferimit nuk u bë publike, por mediet britanike raportojnë se ajo arrin rreth 20 milionë paundë.
Broja u bë i njohur në Premier League gjatë huazimit te Southampton në sezonin 2021/22, ku spikati me paraqitjet e tij. Megjithatë, dëmtimet kanë ndikuar në ecurinë e karrierës së tij, me 23-vjeçarin që në gjysmën e dytë të sezonit 2023/24 luajti me Fulham, ndërsa sezonin e kaluar ishte pjesë e Evertonit.
Në prezantimin e tij te skuadra e re, Broja u shpreh entuziast për këtë sfidë:
“Jam shumë i emocionuar që jam këtu si lojtar i Burnley-t. Është një moment shumë pozitiv për t’u bashkuar me këtë klub, pikërisht në prag të nisjes së sezonit të ri të Premier League. Mezi pres të filloj!”
Me këtë transferim, Broja shpreson të rigjejë formën më të mirë dhe të ndihmojë Burnley-n në objektivat e sezonit të ardhshëm. sn
