Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, ka ndezur tensionet në Jeruzalemin Lindor të pushtuar pas një vizite në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa, ku është filmuar duke udhëhequr lutje hebraike, në kundërshtim me një marrëveshje shumëvjeçare që ndalon adhurimin hebraik në këtë vend të shenjtë.
Ky veprim, i konsideruar si provokues nga pala jordaneze dhe autoritetet palestineze, ka shkaktuar një valë kritikash në mbarë rajonin.
Zyra e kryeministrit izraelit deklaroi se nuk ka asnjë ndryshim në politikën shtetërore lidhur me ruajtjen e status quosë, që lejon vetëm adhurimin mysliman në vendin e njohur si Tempulli i Shenjtë për hebrenjtë dhe Al-Aksa për myslimanët. Por, pamjet që tregojnë Ben-Gvir duke u lutur në mënyrë të hapur sfidojnë këtë deklaratë zyrtare.
Jordania, si kujdestare historike e vendit të shenjtë, e quajti vizitën e Ben-Gvir “një provokim të papranueshëm”, ndërsa Hamas-i e përshkroi si “thellim të agresionit të vazhdueshëm ndaj popullit palestinez”. Zëdhënësi i Presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, tha se veprimi i ministrit “i ka kaluar të gjitha vijat e kuqe”.
Ben-Gvir, një figurë ultra-nacionaliste i sanksionuar më parë nga Mbretëria e Bashkuar për nxitje dhune ndaj palestinezëve, ishte i shoqëruar nga forcat e policisë gjatë hyrjes dhe lëvizjes në kompleks. Sipas fondacionit islamik Waqf, ai ishte mes 1,250 vizitorëve hebrenj në vend të dielën në mëngjes.
Në deklaratën e tij gjatë vizitës, Ben-Gvir përmendi videot e pengjeve izraelite të lëshuara së fundmi nga Hamas, duke i quajtur “pamje tmerri” dhe përsëriti thirrjen e tij për pushtimin e plotë të Rripit të Gazës dhe për nxitjen e asaj që ai e quajti “emigrim vullnetar” të palestinezëve – një ide që ekspertët e së drejtës ndërkombëtare e cilësojnë si dëbim të detyruar dhe të mundshëm krim lufte.
Veprimi i Ben-Gvir pritet të përshkallëzojë më tej tensionet në një moment tejet të brishtë për rajonin. sn