VOAL- Papa Leone XIV është papa i parë nga SHBA dhe shpalosja e farefisit të tij është zhytje në historinë e Amerikave, bija të emigracionit nga Evropa: nga të parët e Atit të Shenjtë, 400 kanë lindur në Francë, 24 në Itali, 21 në Spanjë. Është sqaruar edhe se 17 nga të parët e tij ishin me ngjyrë dhe 8 prej këtyre ishin skllavërues: dikur, disa prej atyre që dilnin nga skllavëria, bëheshin, edhe ata, pronarë të skllevërve. Ky njoftim konfirmon atë që ka dalë pak ditë pas zgjedhjes së tij në krye të pontifikatit mes të parëve të tij ka edhe njerëz me ngjyrë. Në fakt në dokumentet përkatëse janë vërejtur 17 veta të përshkruar si “negër”, “mulat”, “njerëz të lirë me ngjyrë”, kreolë” (bij të një evropiani dhe të një të linduri në Amerikën Qendrore ose të Jugut), “quadroon” (njerëz me një të katërtën e gjakut të zi dhe tri të katërtat me gjak evropian.) Dhe është zbuluar edhe se Papa, ndonëse i largët, i nëntë, është kushëri me emra të famshëm si aktorja Angelina Jolie, këngëtarët Madonna, Justin Bieber, politikanen amerikane Hilary Cliinton, shkrimtarib Jack Kerouac. Të gjitha këto të dhëna janë fryt i një kërkimi të New York Times, realizuar nga Henry Louis Gates, më i madhi i gjenealogjistëve amerikanë, në bashkëpunim me shoqatat American Ancestors e Cuban Geneaology Club of Miami. Kërkimi për të parët e Papës ka shkuar prapa në kohë deri në vitet e para të Shekullit XVI dhe ka çuar më shumë në ndriçimin e anës amnore se atnore. Flitet për të parët nga ana e nënës me prejardhje nga Isla, një qytezë në Veri të Spanjës. Shumë prej tyre ishin ushatarakë të karrierës, një prej tyre ishte transferuar në Kubë më 1663 dhe kështu katër brezni të të parëve të Papës nga ana e nënës kanë lindur në Havanë, kryeqytet i ishullit të Amerikës Qendrore. Të tjerë paraardhës nga ana e nënës kishin emigruar nga Franca në Quebec (Kebek- Kanada) dhe mes tyre ishte Charles Louis Boucher de Grandpre (1745-1809) ushtarak karriere dhe komandant gjatë luftës së pavarësisë amerikane kundër Anglisë. Dhe përmes kanadezit Boucher de Grandpre Papa ka kushërini me Angelina Jolien, Madonnën dhe Hilary Clintonin, nënat e të cilave ishin kanadeze, me Bieber, lindur në Kanada, dhe me Kerouac, prindërit e të cilit kishin prejardhje kanadeze. Gjithnjë nga ana e nënës, një tjetër paraardhës i Papës është Antonio José de Suore (1795- 1830), lindur në Venezuelë, ushtarak i karrierës, protagonist i madh i luftës për pavarësinë e kolonive spanjolle në Amerikën e Jugut, president, nga 1825 deri më 1829 i Bolivisë, kryeqyteti i së cilës quhet Suore në nderim të tij. Për t’u afruar me kohët tona, gjyshi nga ana e nënës i Papës quhej Joseph Nerval Martinez, lindur në Haiti, transferuar pastaj në New Orleans, ku ishte martuar me Louis Baquie. Pas martesës ishin transferuar në Chicago, patën shtatë fëmijë, mes të cilëve Mildred, nëna e Papës Leone XVI. Nga ana atnore Papa ka origjinë nga Sicilia. Më 1905 Salvatore Giovanni Gaetano Riggitano kishte emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Qunicy, një qytezë e shtetit Illinois, kishte studiuar për prift, por pastaj kishte kuptuar se nuk ishte rruga e tij dhe ishte bërë mësues i spanjishtes në një gjimnaz të Quincy. Ndërkaq, për dy vjet ka qenë në klubin “Lovers of Italy”, një qendër kulturore ku ishin anëtarësuar njerëz të shoqërisë së lartë të Chicagos me interesa për studime në artin dhe historinë e Italisë. Më 1914 gjyshi i Papës u martua me Daisy Hughes, por pastaj më 1917 e kishte lënë për Suzanne Louise Marie Fontaine, emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga Franca dhe mësuese gjuhësh. Këtu historia bën lojëra: gruaja e braktisur e kishte denoncuar burrin dhe të dashurën e tij në polici për “sjellje të papërshtatshme”, të dy qenë arrestuar, por ishin kthyer menjëherë në liri: policia kishte qartësuar se ishte një rast xhelozie dhe nuk kishte fare të bënte me “sjellje të papërshtatshme”, që lidhet me ushtarakët. Në qytezën Quincy, Salvatore Giovanni Gaetano Riggitano ishte një emër i njohur dhe kështu që gazeta lokale Quincy Daily Herald kishte botuar një shënim për këtë rast me titullin “Riggitano në një trekëndësh”. Pasi mbaroi skandali, vazhdoi dashuria: të dy të dashuruarit u larguan nga Quincy dhe shkuan në Chicago, ku patën dy fëmijë. I dyti ishte Louis, babai i Leonit XIV. Nisur nga situata e ndërlikuar sentimentale, fëmijëve iu ishte dhënë mbiemri i gjyshes nga nëna, që ishte francez Prevost. Pastaj edhe gjyshi i Papës kishte ndërruar emër e mbiemër: Nga Salvatore Giovanni Gaetano Riggitano ishte bërë John Prevost. Dhe kështu, pavarësisht se gjyshi nga babai ishte italian, Papa ka një mbiemër francez. Babai i Papës, Louis Prevost, ka luftuar në Luftën e Dytë Botërore, gjatë së cilës ka marrë pjesë në zbarkimin në Normandi, e pastaj ka qenë drejtor shkolle; nëna e Papës, Mildred Agnes Martinez, ka qenë punonjëse biblioteke. Martesa në Chicago, më 25 janar 1949, më 14 shtator 1955 lindja e fëmijës së tyre të tretë, Robert Francis Prevost, Papa Leoni XIV. (Diva)